LAJMI I FUNDIT:

Vezët do të bëhen me kode unike të prodhuesve

Vezët do të bëhen me kode unike të prodhuesve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar se të gjithë fermerët prodhues të vezëve dhe qytetarët si konsumatorë se duke filluar nga e dita e enjte, në tregun e brendshëm, do të lejohen të qarkullojnë për konsum vetëm vezët të cilat janë të shënuara sipas kodeve të regjistrimit për prodhimet vendor me shifrën RKS-001 e tutje, ndërsa vezët e importit do të kenë të shënuara kodet e fermave të vendosura nga autoritete e tyre në vendin e origjinës.

“Vezët të cilat nuk janë të markuara e të cilat hasen në treg pas kësaj, do të konfiskohen dhe asgjësohen nga ana e inspektoratit”, thekson AUV-ja.

Sipas legjislacionit në fuqi bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 17/2008, “Për përcaktimin e cilësisë së vezëve”. Të gjithë prodhuesit dhe paketuesit janë të obliguar të bëjnë shënjëzimin e vezëve, sipas numrit unikë të regjistrimit të prodhuesit, shkruan Telegrafi.

“Deri më 20 prill është bërë regjistrimi i të gjithë atyre që kanë aplikuar pranë AUV-së. Andaj ne ftojmë ata të cilët ende nuk e kanë bërë aplikim dhe nuk janë pajisur me kodin unik të prodhuesve të vezëve, ta bëjnë sa me shpejtë në të kundërtën nuk mund të nxjerrin ne treg produktet e tyre”.
Konsumatorë të nderuar të Republikës se Kosovës, pas datës 5 maj, mos blini vezë të cilat nuk janë të shënjuara me kode.

“Kodi i tyre dëshmon origjinën e vezës. Ne si autoritet me trupat tona inspektuese do të jemi në teren, për të larguar nga tregu vezët të cilat nuk janë të shënjëzuara. Bashkëpunimi ynë me konsumatorë dhe prodhues kontribuon në ruajtje të shëndetit të përgjithshëm publik”, theksohet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. /Telegrafi/