LAJMI I FUNDIT:

Veseli takoi Selimin, brenda 18 muajsh do të kryhen projektet e para investive amerikane

Veseli takoi Selimin, brenda 18 muajsh do të kryhen projektet e para investive amerikane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Koordinatorin Nacional të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), Petrit Selimi me bashkëpunëtorë, me të cilët diskutoi rreth fushave të investimeve kapitale nga buxheti i MCC-së në Republikën e Kosovës.

Duke e përgëzuar Selimin për angazhimin e tij të deritashëm, veçanërisht për shkurtimin e afateve për fillimin e realizimit të projekteve, Veseli tha se Kosova është e bekuar dhe duhet të ndihet krenare që ka afër vetes një partner të tillë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përkrahës jo vetëm në forcimin e shtetësisë në aspektin ndërkombëtar, por edhe në rrafshin ekonomik.


“Këto projekte investive do ta përmirësojnë ekonominë e Kosovës dhe do të punësojnë rininë tonë, duke e bërë Kosovën një vend më prosperues dhe më të fuqishëm. Projektet në sektorin e energjisë elektrike, të ujit e të ambientit, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tërheqjen e investitorëve të huaj”, theksoi Veseli.

Duke ofruar përkrahjen e tij për punën e korporatës, Veseli garantoi se për çdo iniciativë të saj, e cila kërkon ndryshime të infrastrukturës ligjore apo miratim të ligjeve të reja, Kuvendi do të ndërmarrë hapat përkatës dhe do të bëjë këtë në afat sa më të shpejtë.

Duke e falënderuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kryetarin Veseli për përkrahjen e parezervë, Koordinatori Nacional të Korporatës së Sfidave të Mileniumit, Petrit Selimi, nga ana e tij, tha se ky takim vjen në kuadër të ciklit të konsultimeve me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, për punën e kësaj korporate. Ai tha se tashmë është hyrë në fazën e përfundimit të identifikimit të sektorëve, ndërsa në fund të vitit do të bëhet edhe identifikimi i projekteve konkrete.

“Furnizimi me energji elektrike, problemet ambientale dhe sundimi i ligjit, janë disa nga fushat e mundshme, në të cilat do të hyjnë miliona dollarë amerikanë. Kjo është një ndihmë konkrete dhe e drejtpërdrejtë e qeverisë amerikane për rritjen e ekonomisë së Kosovës. Besoj se pas 18 muajsh do të arrijmë të presim shiritat e parë të projekteve investive”, tha Selimi.

Korporata e Sfidave të Mileniumit është një degë e qeverisë amerikane që sjell investime madhore në fusha kritike për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kosova është shteti i parë i Ballkanit Perëndimor që është kualifikuar për kontratën kompakte, si niveli më i lartë i kontratës me MCC, e cila sjell miliona euro në fusha kritike për krijimin e vendeve të reja të punës./Telegrafi/

14572037_10211480445544737_1770291116_o