LAJMI I FUNDIT:

Vendosja e kufizimeve për gastronominë dhe akuzat për keqpërdorimin e 43 milionë eurove për shpronësime rrugën Prishtinë-Pejë – top ngjarjet e javës në ekonomi

Vendosja e kufizimeve për gastronominë dhe akuzat për keqpërdorimin e 43 milionë eurove për shpronësime rrugën Prishtinë-Pejë – top ngjarjet e javës në ekonomi

Hyrja në fuqi i vendimit për kufizimin e punës së gastronomisë, akuzat nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve për keqpërdorimin e 43 milionë eurove nga ish-Qeveria Haradinaj në projektin e rrugës Prishtinë-Pejë dhe dhënia e 3.65 milionë euro grante për mbështetjen e bizneseve të vogla e të mesme, ishin disa ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të kufizoj punën e objekteve hoteliere, restoranteve dhe kafiterive.


Në kuadër të masave të reja kufizuese ndaj pandemisë COVID-19, nga dita e hënë, gastronomia ka filluar të punojë deri në ora 21:30 dhe në ambiente të hapura.

“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30”, thuhet në vendim, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Po ashtu, lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

Gastronomia me orar të ri, 'dërgesat me porosi' nga sot do të punojnë edhe pas orës 22:00
Lexo po ashtu Gastronomia me orar të ri, 'dërgesat me porosi' nga sot do të punojnë edhe pas orës 22:00

“Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët”, vijon njoftimi.

Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna apo përdorimi i këndeve të lojërave për fëmijë.

Dokumenti i prezantuar nga ministri Hekuran Murati

Nga 30 gushti kufizohet edhe qarkullimi i lëvizjes së qytetarëve, duke u rikthyer masa e kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 deri në 05:00.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paraqitur disa të gjetura që sipas tij flasim për keqpërdorime gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë, saktësisht për 16 zona kadastrale.

Ai tha se vazhdimisht kanë thënë se me shpronësimet gjithmonë janë bërë dallaveret e mëdha dhe këtë e kanë vërtetuar edhe me raportin e brendshëm të Auditorit.

Murati: U keqpërdorën 43 milionë euro në shpronësime, Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë
Lexo po ashtu Murati: U keqpërdorën 43 milionë euro në shpronësime, Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë

Murati ka bërë thirrje që prokuroria të merret me këtë rast.

Sipas këtij raporti është falsifikuar vlera e pronave të shpronësuara në rrugën Kievë-Zahaq.

“Gjithmonë kemi thënë se në vazhdimësi se me shpronësimet dhe me dallaveret e mëdha ka pasur keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat tani i kemi edhe dokumentin që dokumenton këtë gjë pra bëhet fjalë për një keqpërdorim 43 milionë euro e që në fakt brenda atij 43 milionë euro ka dyshime të mjaftueshme për të konstatuar se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë eurove. Pra, falsifikim të vlerave deri në 12 milionë eurove”, ka thënë Murati.

Lidhur me këto akuza ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se, paratë nuk janë paguar për shpronësime, dhe sipas tij është një dënim që po e bëjnë për Dukagjinin.

“Paratë nuk janë paguar për shpronësimin, e këta e kanë bërë konferencën e më pastaj e kanë dërguar lëndën në prokurori. Krejt kjo është për mos ta kryer rrugën Pejë-Prishtinë. Është një dënim që po e bëjnë për Dukagjinin”, ka reaguar Haradinaj.

Haradinaj: Rruga Prishtinë - Pejë po pengohet qëllimisht me akuza të rrejshme
Lexo po ashtu Haradinaj: Rruga Prishtinë - Pejë po pengohet qëllimisht me akuza të rrejshme

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se ka lansuar tri grante në vlerë prej 3.65 milionë euro për përkrahje të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

“Për sa i përket granteve, MINT ka ndarë grante në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë euro për tri grant-skemave. Përmes këtyre kemi për qëllim të përkrahim veprimtarinë e sektorëve që kanë ndikim në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, duke fuqizuar në këtë rast sektorin privat, përmes ndërmarrjeve mikro dhe të vogla”, ka njoftuar ministrja Hajdari.

Gjatë javës, mbi 20 kafiteri janë mbyllur në Prishtinë nga Inspektorati. Kjo me arsyetimin se nuk i kanë respektuar masat e hyra në fuqi për parandalim të pandemisë COVID-19.

Në dyert e shumë lokaleve në qytet, janë vendosur ndalesat për të punuar. /Telegrafi/