LAJMI I FUNDIT:

Murati: U keqpërdorën 43 milionë euro në shpronësime, Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë

Murati: U keqpërdorën 43 milionë euro në shpronësime, Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paraqitur disa të gjetura që sipas tij flasim për keqpërdorime gjatë qeverisjes Haradinaj në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë, saktësisht për 16 zona kadastrale.

Ai tha se vazhdimisht kanë thënë se me shpronësimet gjithmonë janë bërë dallaveret e mëdha dhe këtë e kanë vërtetuar edhe me raportin e brendshëm të auditorit.


Murati ka bërë thirrje që prokuroria të merret me këtë rast.

Sipas këtij raporti është falsifikuar vlera e pronave të shpronësuara në rrugën Kievë-Zahaq.

“Gjithmonë kemi thënë se në vazhdimësi se me shpronësimet dhe me dallaveret e mëdha ka pasur keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat tani i kemi edhe dokumentin që dokumenton këtë gjë pra bëhet fjalë për një keqpërdorim 43 milionë euro e që në fakt brenda atij 43 milionë euro ka dyshime të mjaftueshme për të konstatuar se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë eurove. Pra, falsifikim të vlerave deri në 12 milionë eurove”, tha ai.

Tutje, Murati theksoi se “Ministria e Infrastrukturës me 24 gusht të vitit 2018 ka kërkuar nga ministria e Mjedisit, po flasim për qeverinë PDK-AAK-NISMA qeverinë e PAN-it apo qeverinë Haradinaj dhe në atë shkresë kërkon që të fillohet procesi i shpronësimit për segmentin Kievë-Zahaq 31.3 kilometra ku do të shpronësohen 1059 prona, nga to 858 prona private, 148 prona shoqërore, si dhe 53 prona të privatizuara. Më 19 shkurt të vitit 2019 pra gjithmonë po flasim për qeverinë e PAN-it kemi vendimin preliminar për shpronësim kurse më 17 maj të vitit 2019 kemi edhe tabelën e vlerësimit e cila nga departamenti i tatimit në pronë i dorëzohet MMPH në këtë tabelë vlerësimi i departamentit të tatimit në pronë vlera e tërësishme është vlerësuar të jetë 31 milionë e 40 mijë e 729 euro”, theksoi ai.

Murati tha se fillimisht ishte vlerësuar se shpronësimet në ato zona do të kishin vlerën mbi 31 milionë euro, por më vonë kjo shifër është ngritur në 43 milionë euro, e që i bie 12 milionë euro janë shtuar.

“Vlera sipas tabelave që I janë dorëzuar nga zyra e kryeministrit njësisë së auditimit kap shifrën 43 milionë euro, kurse vlera e vlerësimit që kishte bërë departamenti i tatimit në pronë kishte vlerën 31 milionë euro. Pra, përgjatë rrugës prej vlerësimit dhe prej dorëzimit të atij dokumenti vlerësues derisa është marr vendimi në qeverinë e Kosovës në qeverinë Haradinaj vlerat janë shtuar për 12 milionë euro dhe nuk kemi të bëjmë me ndonjë shtim inflacioni apo shtim të përgjithshëm për të gjitha pronat , pra janë prona të veçanta të cilat që në fillim janë të vlerësuara lartë edhe janë dyfishuar prona specifike i është dyfishuar vlera dhe kësisoj kemi përfunduar me një fryrje apo falsifikim prej 12 milionë euro”, theksoi ai.

Ministri i Financave ka thënë se e çuditshme këtu është edhe fakti se ndër emrat e pronarëve të pronave aty, ka edhe nga komuniteti serb.

Murati ka paralajmëruar se këtë vlerësim do ta dorëzojnë në Prokurori.

“Ne normalisht e kemi stopuar me këtë gjendje do e stopojmë këtë vlerësim, do shohim të gjitha mundësitë ligjore që nesër do e dorëzojmë në prokurori raportin e auditorit si dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat që të shikojmë për ta shpëtuar buxhetin. Deri më tani nuk është kryer asnjë pagesë fatmirësisht jemi të sigurt se nuk është dëmtuar buxheti deri më tani por nga tani e tutje kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të ndërmerr të gjitha veprimet që përgjegjësitë t’i vë para drejtësisë“, tha Murati. /Telegrafi/