LAJMI I FUNDIT:

Vëllaznimi synon të kthehet në Superligë

Vëllaznimi synon të kthehet në Superligë

Nuk ka dyshim se mungesa e Vëllaznimit në Superligën e Kosovës do të ndihet shumë, por gjakovarët janë mobilizuar që në elitë të kthehen sa më parë. Këtë e dëshmon edhe fakti se për kryetrajner kanë kthyer Ajet Shoshollin, i cili edhe më parë ka qenë shumë i suksesshëm dhe për të cilin nuk ka pothuaj asgjë të panjohur në këtë skuadër.

“Jam kthyer dhe këtu do të qëndroj për një vit dhe objektivi kryesor është që Vëllaznimi të kthehet në elitën e futbollit kosovar. Besoj se me organizimin e duhur të kryesisë dhe me angazhimin e të gjithëve do të arrijmë qëllimin”, thekson Ajet Shosholli për Zërin, duke bërë me dije se skuadra ka nisur përgatitjet nga 25 korriku dhe ato deri më tash janë zhvilluar në stadiumin e qytetit, ndërkohë që nga fundi i javës do të dilet edhe jashtë stadiumit dhe intensiteti i stërvitjeve do të shtohet duke punuar nga dy herë në ditë.

Kur skuadrat largohen nga Superliga zakonisht ikin edhe futbollistët, por kjo nuk ka ndodhur shumë me Vëllaznimin, ndonëse ata që kanë shkuar në skuadra tjera janë vërtetë cilësor.


“Ramadan Kryeziu është kthyer te Liria, Alban Mehja në Shqipëri, kurse Dardan Rogova ka kaluar në radhët e Hajvalisë. Mirëpo, skuadra është përforcuar me kthimin e Alban Dylazekës nga Austria, kurse pritet edhe kthimi i Debatik Çarkaxhiut nga Deçani”, shprehet trajneri i trofeshëm, Ajet Shosholli. Mirëpo Vëllaznimi duket se ka nevojë ende për përforcime, të paktën për një sulmues, i cili do të ishte zëvendësim për Rogovën.

Gjatë kësaj kohe, Vëllaznimi ka zhvilluar një ndeshje miqësore duke e mposhtur skuadrën e Ligës së dytë Arbreshët me rezultat të thellë 9:0, kur sipas Shoshollit deri ën fillim të edicionit të ri në Ligën e parë, Vëllaznimi pritet t’i zhvillojë edhe katër ndeshje kontrolluese. Siç dihet, ndeshjen e parë të edicionit të ri skuadra gjakovare e zhvillon kundër Istogut si udhëtuese. /Telegrafi/