LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave

Punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, të cilat nisen para se më shumë se gjashtë vjetëve nuk kanë përfunduar ende,  dhe sipas banorëve kjo po iu shkakton vështirësi të mëdha.

Në seancën e Kuvendit të 7 prillit, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte deklaruar se punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë do të përfundohen maksimumi brenda dy muajve.


Mirëpo, zvarritja e punimeve në këtë rrugë ende vazhdon. Qytetarët të cilët banojnë në këtë zonë, për Telegrafin u shprehën të indinjuar me situatën e krijuar në atë pjesë, për shkak të këtyre punimeve.

Fahri Berisha banor i kësaj zone tha se kjo rrugë po e pengon që ta zhvillojë biznesin. Sipas tij, në rrezik më të madh janë fëmijët e tyre, pasi nuk ka kalim për këmbësorë dhe veturat vozisin shumë shpejtë.

“Rruga e papërfunduar këtu, po na paraqet shumë vështirësi. Unë këtu e kam biznesin kur po shkoj të marr zhavorr në Drenicë për të hyrë në punëtorinë time, po duhet të shkoj në Penuhë kjo është e para. E  dyta është që fëmijët e mi shkojnë në shkollë dhe rruga është shumë e ngarkuar, nuk ke si të kalosh dhe fëmijët duhet të dalin në rrugë për ta kaluar rrugën, për të ardhur në shtëpi. Tjetra është që ne arat i kemi në pjesën tjetër të fshatit dhe në momentin që vendosen balloret këtu,  ne nuk do të kemi qasje andej, s’kam ku të kyçem në rrugë”, tha Berisha.

Fahri Berisha, qytetar / Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ai thekson se këto punime nuk mund të quhen rregullim, kjo sepse sipas tij as ujëmbledhësit nuk janë funksional dhe kur bie shi, uji vërshon po thuajse në gjysmën e rrugës.

“Në këtë pjesë nuk është shtruar asfalti në zhavorr fare, në tokë të punuar është shtruar. Shikojeni ujëmbledhësit një shi me ra këtu shkon uji deri në gjysmë të rrugës. Është tmerr kjo këtu”, theksoi ai.

Naser Feta një tjetër banor, tregoi se kompania e cila është duke i kryer punimet në këtë magjistrale në fshatin Penuhë të Podujevës, ka shkaktuar edhe dëme.

Ai tha se fshati i tij kanë mbetur pa ujë të pijshëm tash e një vit, kjo pasi kompania ka këputur gypin e ujit dhe nuk e kanë rregulluar më.

“Këto punime këtu kanë filluar qe pesë vjet, ne vetëm dëm kemi nga këto punime të rrugës që nuk ka përfunduar. Ne banorët e fshatit Penuhë nuk kemi ujë qe një vit, kjo kompania e cila është duke i kryer punimet, e ka këputur gypin e ujit dhe e ka ngjit një tjetër që nuk është funksional. Kemi bërë ankesë në komunë dhe në polici. Mirëpo askush nuk na u është përgjigjur”, tha Feta.

Naser Feta, qytetar / Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ai tutje tregoi se organet gjegjëse nuk kanë ndërmarrë asgjë për këtë gjë, ai tha se vetë banorët e fshatit do ta këpusin asfaltin vetë për ta rregulluar problemin.

“Katundi ka vendosur të del me bager dhe ta këpusë asfaltin aty,  problemin e ujit dhe të rregullohet. Unë tash jam duke shkuar në polici që ta jap një deklaratë, sepse nuk na kanë lënë mundësi tjetër. Ne jemi qe një vit pa ujë dhe duhet të bëhet zgjidhja brenda javës”, rrëfeu ai.

Punëtorët duke punuar në magjistralen e rrugës Prishtinë-Podujevë / Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërkaq, Feta thotë se nuk ka shpresë që kjo rrugë të rregullohet edhe në pesë vitet e ardhshme.

Kjo sepse sipas tij, intensiteti i punës është shumë i vogël dhe është duke u punuar me numër të vogël të punëtorëve.

“Kjo rrugë i ka pesë ose gjashtë vite që ka filluar, mirëpo unë nuk kam shpresë që kjo të rregullohet edhe pesë ose gjashtë vjet të tjera, me këtë intensitet të punës. Me një bager, me një lopatë dhe me dy punëtorë është tmerr kjo çka janë duke bërë këta. Kjo rrugë është rrezik për fëmijë dhe për gjithçka”, theksoi Feta.

Skënder Tovërlani, qytetar / Foto: Ridvan Slivova

Kurse banori Skënder Tovërlani vlerëson se te rrethrrotullimi në fshatin Sibovc, nuk kalojnë dy ditë pa u bë aksidente për shkak të vendosjes së rrethit në mënyrë të gabuar.

“Çdo ditë ka aksidente sidomos te rreth rrotullimi në fshatin Sibovc, aty ka çdo të dytën ose të tretën ditë. Problemi shfaqet me këmbësoret sidomos te shkolla e fshatit Gllamnik sepse nuk ka trotuare. Është tmerr kjo gjë sepse një rrugë 12 deri 13 kilometra të zgjasë me vite”, u shpreh Tovërlani.

Rrethrrotullimi në fashtin Sibovc të Podujevës / Foto: Ridvan Slivova

Sipas njohësit të komunikacionit, Bekim Ahmeti vonesat e punimeve në rrugët magjistrale në Kosovë ekzistojnë qysh prej vitit 2009.

“Kjo vonesë ka ekzistuar qysh prej vitit 2009. Pjesë e projektit të rrugës kam qenë edhe unë, prej pompës së benzinës Isa Petrol, deri në hyrje të Mitrovicës në fshatin Kqiç. Kurse këtë pjesën e rrugës Prishtinë-Podujevë, e kam projektuar prej Bërrnicës së Poshtme e deri te rruga për Besi”, tha Ahmeti për Telegrafin.

Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit në një intervistë për Telegrafin

Ai thotë se vonesat për finalizimin e këtyre punimeve po bëhen për arsye nga më të ndryshmet, siç ishte në fillim me problemet e shpronësimeve, të pronave private.

“Si ka ndodhë në vitin 2009 kur është projektuar rruga deri më tani nuk ka realizim apo përfundim të punimeve. E arsyet janë të shumta që po ngecin këto punime, njëra prej arsyeve ka qenë edhe problemet me prona,  pra deri janë kryer shpronësimet e pronave private”, tha ai.

Gjendja e rrugës Prishtinë-Podujevë pasi janë lënë punimet në gjysmë / Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Kurse tash,  sipas tij vonesat po shkaktohen për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve.

“Tash së fundmi qëndron kjo që janë rrit dukshëm çmimet e derivateve dhe i çdo produkti tjetër e cila e finalizon një rrugë. Qe besa ka qenë edhe një kërkesë, të cilën nuk e di a e kanë bërë zyrtare apo jo që të pezullohen punimet për një afat të pa caktuar kohorë deri në zbritjen e çmimeve për arsye që operatorët ekonomik janë ankuar që në pamundësi të realizimit të punëve krahas rritjes së çmimeve enorme të çdo artikulli ushqimorë dhe ndërtimorë, do të pezullohen punimet deri në uljen e këtyre çmimeve ”, deklaroi për Telegrafin Ahmeti.

Magjistralja Prishtinëm – Podujevë / Foto: Ridvan Slivova

Ai ka shtuar se përveç këtyre shkalla e shpenzimeve te vozitësve është shumë më e madhe, duke ia bashkangjitur këtu edhe dëmtimin e veturave.

“Përveç dëmtimit të makinave ka edhe vonesa kohore, ku dikush nuk e ka luksin e pritjes në kolona të trafikut. Unë vetë erdha prej Mitrovicës në drejtim të Prishtinës, ku pritëm dikund 30 minuta në kolonë, në qoftë se e kishim pas një punë për ta kryer një punë në kohë do ta kisha të pamundur me arrit në kohë. Problemi tjetër është edhe bë shpenzimet e karburanteve të cilët janë te ngasësit, mirëpo dëmtime ka edhe në amortizerat e veturave kur rruga është me gropa, dëmtohet shkalla e amortizatorëve por edhe shkalla e shpenzimeve rritet shumë”, përfundoi ai.

Aliu: Rruga Prishtinë-Podujevë pritet të përfundojë brenda dy muajve
Lexo po ashtu Aliu: Rruga Prishtinë-Podujevë pritet të përfundojë brenda dy muajve

Magjistralja Prishtinë-Podujevë ka filluar punimet në vitin 2016, ndërsa pretendimet ishin që kjo rrugë të kryhet brenda tri vjetëve por edhe tash pas gjashtë viteve nuk ka arritur të përfundohet në tërësi. /Telegrafi/