LAJMI I FUNDIT:

Ushtari i tri luftërave, me plagët e Gjergj Elez Alisë: Zeqir Hoxha, “Lugati” që e mashtroi disa herë vdekjen (Foto)

Ushtari i tri luftërave, me plagët e Gjergj Elez Alisë: Zeqir Hoxha, “Lugati” që e mashtroi disa herë vdekjen (Foto)

Lufta mbulonte vendin me hijen e zezë. Plumbat binin si rrebesh, bashkë me copat e granatave e të bombave. Në vitet 1998-99, vdekja u bë sinonim i kësaj toke. Pasojat e kësaj lufte Kosova ende i vuan. E, se plagët vështirë shërohen, këtë e dëshmon më së miri Zeqir Hoxha – burri që vazhdon luftën për të qëndruar në këmbët e tij!

Zeqir Hoxha 04


Zeqiri është 48-vjeçar. Vjen nga fshati Budakovë e Komunës së Suharekës. Aktualisht jeton në Prizren.

Në vitet 1991-92 ka marrë pjesë në Luftën e Kroacisë, në kuadër të Brigadës 113, ‘Shqiponjat e Kosovës’. Nga aty, për 18 muaj e gjysmë ka luftuar edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Nga Kroacia në Bosnje, e nga Bosnja në kampet e Shqipërisë

“Kjo ishte luftë mes katër zjarreve: me serbët, me kroatët, me çeçenet e vet boshnjakët. Me tradhtinë që Fikret Avdiqi ia bëri popullit të vet, unë me shokë e lamë luftën dhe shkuam në Slloveni”, tha ai.

Në kryeqytetin slloven, ai takon ushtarakun e njohur shqiptar, Tomë Berisha.

zh

“Na ofroi mundësinë për të jetuar kudo në Evropë. Kishim viza për në Belgjikë, Gjermani, Francë dhe Angli. Por, na tha po ashtu: ‘Lufta e Serbisë është hapur dhe një ditë ajo do të nis edhe në Kosovë. Kemi djem që janë duke u stërvitur në Shqipëri, në dy grupe. Por, po kërkohen njerëz që kanë përvojë lufte’”, thotë Hoxha, sipas të cilit kjo bëri që ai ta gris pasaportën. “Grupi jonë kishte 15 veta. Aty ishte gjeneral Bekim Berisha (Abeja), Abdurrahman Nazifi (Bugari), Behlul Kosumi nga Podujeva, Fazli Gashi etj.”.

Zeqir Hoxha 03

Kështu nisen drejt kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Për bashkëbiseduesin e Telegrafit, “më e mirë ishte një orë në liri në Kosovë, se njëmijë vjet jetesë në robëri”.

Si e arrestoi, Sali Berisha – Adem Jasharin… e Zeqir Hoxhën…

“Në Tiranë na kanë pritur Shaip Muja me Sali Çekun dhe Raif Gashin. Në Zyrën e Kosovës kanë qenë Ali Aliu, Zymer Berisha, Kadri Balaj, Mehmet Kraja dhe Skënder Zogaj. Përmes tyre shkojmë në kampin stërvitor, në Labinot Fushë të Elbasanit. Një kosovar që punonte atë kohë në Prefekturë, Selim Boletini, na ofroi ndihmën e nevojshme ekonomike. Me ndihmën e tij nisëm përgatitjet ushtarake”, thotë ai, duke u ankuar se nuk kishin përkrahje nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali. “Në një takim me Azem Hajdarin, ishim: unë, Adem Jashari, Sali Çeku, Skënder Çeku, Zahir Pajaziti, Visar Ahmeti, Alil Alidemaj, Fatmir Humolli, Sabit Gashi, Hyrë Emini – Mira(dëshmore) dhe Adem Çobani. Pushteti me këmbëngulje donte të mbyllte kampin. Meqë nuk lejuam, na kanë burgosur. Adem Jashari dërgohet në Rajonin Numër 1, unë në Rajonin Numër 2 në Tiranë. Për të na liruar intervenojnë Fatmir Humolli dhe Raif Gashi”.

Zeqir Hoxha 01

Sipas tij, pushtetarët shqiptarë donin ta mbyllnin kampin, meqë me jugosllavët kishin bërë një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Ndaj, në mënyrë të fshehtë dhe ilegale këta kanë vepruar në Laç, në maje të Tomorit e në Pogradec tek ish vilat e Enver Hoxhës…

“Kjo ka vazhduar deri në vitin 1997”, thotë ai.

Plagët e luftës…

Ishte viti 1997 kur filluan aksionet e para të UÇK-së. Zeqir Hoxha ishte emëruar komandant i njësitit vëzhgues diversant për tërë zonat në Kosovë.

“Aty ku nuk kanë mundur të çajnë forcat e UÇK-së, hynim ne. Në grupin tim kisha shtatë djem të pamartuar. Betimi i parë ishte: Prano vdekjen, para jetës”, shpjegon Hoxha për rrezikun që ballafaqonte ky njësit.

Më 14 qershor 1998, ai plagoset për herë të parë në Betejën e Junikut. Nga ai moment plagët nuk iu ndalen.

“Plagosem keq në këmbë. Atë ditë janë plagosur edhe Naim Maloku, Gani Shehu e Bashkim Leku – i cili vdes nga plagët e marra. Por, nuk u ndala. Pas një jave kemi ndërmarrë aksione me rëndësi. Në një nga to kemi kapur një ushtar rus, të cilin ia kemi dorëzuar OSBE-së për të treguar se jemi ushtri që ka rregull, disiplinë, e që zbaton etikën e etikës ushtarake”, flet ai me krenari për luftën e pastër të ekipit të tij.

zh2

Gjatë një beteje tjetër në kufirin shqiptaro-shqiptar, Zeqiri është plagosur për herën e dytë. Këtu lind rrëfimi për luftëtarin “lugat”.

Një “lugat” u çua në Laprakë…!

“Jam plagosur më 14 dhjetor 1998, me Mujë Krasniqin dhe 36 të tjerë. Mirsad Murseli nga Peja u plagos. Për ta tërhequr, meqë kishte plagë të rënda, shkova unë. Nga një helikopter serb plumbi më ka kap në kokë dhe më del nga mjekra. Një pjesë e predhës më kapi në shpinë dhe në gjunjë. Kam ndjerë që po më lëshojnë këmbët. Maliq Dokshi me Afrimin, dëshmor nga Shtimja, më kanë tërhequr deri në Cahan”, tregon ai këtë moment të rënd, por pa detaje, meqë kishte humbur vetëdijen.

Kur zgjohet, pas 72 orësh, e gjen veten në morgun e Spitalit Ushtarak të Laprakës. Aty e kishte dërguar mjeku me origjinë greke, Lefter Jorgo.

Zeqir Hoxha 07

“Kam pasë vdekje klinike. Kur i kam hapur sytë, ishte terr. Në atë dhomë të errët, nga të dyja anët kisha të vdekur. Një letër ma kishin vendosur në këmbë, me numrin 36. Dola në korridor. Për një moment roja bërtiti: ‘Vampir’. Mezi ecja mbështetur për muri, sepse kisha plagë. Thosha që mos të frikësohen, por nga plasaritjet që kisha në kokë e fytyrë, të gjithë trembeshin. Një vajzë nga Lushnja, sikur lutet: ‘Aman të keqen mos më ha’. Jam munduar t’i them që s’jam lugat, por i bie të fikët”, thotë luftëtari i cili shkon ta ndihmojë vajzën, e nga pas i vjen një ushtar me kallashnikov duke bërtitur: “Ej, filloi ta hajë vajzën”!

zh02

Fati deshi ai të shpëtojë edhe këtë herë. Shpëtimtarët e tij thotë se ishin mjekët Fatos Olldashi dhe Mentor Petrela. Ky i fundit madje e kishte rrahur mjekun grek.

Më mirë i vdekur në luftë se me kokë në jastëk

“Në Laprakë vjen Kryqi i Kuq italian. Përmes Kishës kam vazhduar për në Itali, për në spitalin ushtarak të atij shteti, ku më kanë thënë se nuk guxojnë të ndërhyjnë pasi duhej vendosur pllaka e arit në qiellzë”, tregon Hoxha për Telegrafin, këtë rrugëtim të mundimshëm për shërim.

zh03

Nga aty ai dërgohet në Roterdam të Holandës, ku i nënshtrohet operacionit që ka zgjatur tetë orë. Në këtë spitali ai qëndroi tri javë.

“Copat e predhës në trup nuk kanë guxuar t’i heqin, pasi mund të paralizohesha. Ato ende i kam. Kisha frikë se mos vdisja me kokë në jastëk. Ndaj, doja t’i kthehesha luftës. Kokën e kisha me fashë, por megjithatë ika. Në aeroport më nxorën problem, pasi nuk guxoja të fluturoja me këtë gjendja. Por, nuk lëshova pe. Pasi nënshkrova rrezikshmërinë që mund të më kanosej, u nisa”, thotë luftëtari i cili arrin në Shqipëri, nga ku futet në Kosovë me një grup prej 50 vetëve, të cilit i printe Fadil Murllaku, e ku ishin edhe dëshmori Ahmet Kaçiku, Asllan LLolluni, Hajdar Shala, si dhe dëshmori nga Kavaja – Endrit Cara.

Plagët e hapura…

Më 14 prill të vitit 1999, kanë filluar luftimet e ashpra në Gallush të Semetishtit në Suharekë, ku vriten Haxhi Haxhaj e Hamdi Bytyqi, ndërsa plagoset- tashmë i ndjeri – Hajriz Kabashi. Në orën 13:40, Zeqir Hoxhën sërish e kapin plumbat – tash në krah dhe në shpinë. Ata plumba ai ende i ka në trup. Me këtë rast, për kurimin e tij janë kujdesur mjeku Sali Asllanaj (tash kryetar i Komunës së Suharekës) dhe Agim Hazrolli. Nga aty dërgohet në Mollopoc të Shtimes, e pas çlirimit të Kosovës për në Spitalin e Prizrenit.

zh04

Zeqiri sot jeton me gruan, me prindërit që i ka në moshë të shtyrë, si dhe me dy vëllezërit që nuk janë në gjendje për të punuar (njëri është me të meta, e tjetri vuan nga torturat që ka marrë nga burgjet e ish-Jugosllavisë). Ai jeton me një pension invalidor nga shteti.

Me ndryshimin e kohës, gjendja e tij përkeqësohet keq. Ndonëse deri sot i është nënshtruar shtatë operacioneve, dhembjet nuk i ndalen.

“Sistemi nervor më jep kriza. Tash mu ka shfaqur edhe diabeti”, tregon shqetësimin e radhës, burri që nuk dorëzohet. Nënshtrimi për të është Balozi që ai dëshiron ta luftojë, si një Gjergj Elez Ali i kohëve moderne.

“Jam krenar për atë që kam bërë. Pendohem për atë që s’kam mundur ta bëjë për këtë vend”, thotë Zeqir Hoxha, “lugati” që disa herë mashtroi vdekjen. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Lajme
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Kalo në kategori