Një luftëtar vullnetar britanik është vrarë në Ukrainë. Ai një kohë kishte shërbyer edhe në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Jay Morais ishte përfshirë në luftime intensive në rrugët e qyteteve të Donbasit, Severodonetsk dhe Bakhmut.


Legjioni Ndërkombëtar i Ukrainës, forca luftarake shumëkombëshe e krijuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vitin e kaluar, konfirmoi vdekjen e 52-vjeçarit.

“Me pikëllim, Jay Morais ka vdekur në krye të detyrës”, tha një zëdhënës ndërsa nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Screenshot 6 12

Kuptohet se Morais vdiq në një spital në Kharkiv pasi ishte plagosur gjatë përballjes me trupat ruse, raporton thetelegraph.co.uk..

E fejuara e ushtarit të ndjerë, ukrainasja Lidiya Martynova tha se atij iu bë një funeral në Ukrainë me nderime ushtarake ndërsa trupi iu dogj. Gjysma e hirit u vendos në një varrezë në Kiev dhe gjysma tjetër u dërgua tek të afërmit në Britani të Madhe.

Morais më parë kishte kaluar kohë në Legjionin e Huaj Francez, duke shërbyer në Kosovë dhe Bregun e Fildishtë, por para kësaj ka jetuar në Bristol.

Ndryshe, Morais besohet të jetë shtetasi i pestë britanik që ka vdekur ndërsa ishte vullnetar në Ukrainë. /Telegrafi/