LAJMI I FUNDIT:

Universiteti i politikës

Universiteti i politikës

Universitetet në Kosovë nuk kanë cilësi, kushte elementare për studim. Aty ka korrupsion, profesorë me doktorata false; studentë që kopjojnë në provime e nuk studiojnë e në fund dalin me diploma; ndërsa, ligji universitar shkelet.

Njerëzit në pozita të larta shtetërore dhe parti politike, janë ata që më së shumti kanë marrë doktorata pa kritere dhe janë bërë profesorë. Doktoratat janë marrë e merren pa kritere profesionale, kurse me ato japin mësim profesorët, të cilët, disa prej tyre i kane diplomat shumë mashtruese.


Gjendja në arsim ka filluar të degradohet që nga viti 2000. Disa njerëz që po mbajnë pozita (në Senat) dhe flasin në emër të UP-së, janë rrugaçë, ose janë marrë me krime, korrupsion; janë ish ministra dhe deputetë që janë të akuzuar për korrupsion. Sot ne jemi të vetëdijshëm për sasinë e pamatshme të diplomave false ose të diplomave pa vlerë. Sot ne jemi të vetëdijshëm se investimet e prindërve nuk kthehen në formën e një diplome e cila do të materializojë dije reale e që do të jetë një instrument për tregun e punës. Sot ne jemi të vetëdijshëm se deformimi i rëndë i sistemit universitar ka krijuar kushtet ku rëndom studenti është klient dhe përkundër asaj që paguan merr diplomën. Kjo do të thotë në Kosove po jepen diploma për shumë e shumë profesione që ata që i marrin nuk janë në gjendje t’i ushtrojnë, duke hedhur në lumë një investim jetik të prindërve të tyre.

Një pikë tjetër e dobët me të cilën jemi ballafaquar këto vite është mos unifikimi i sistemit arsimor. Sistemi arsimor vazhdon të jetë i degraduar. Në këto kondita është shumë vështirë të iniciohet një reformim i thellë i arsimit, kur kemi ndërhyrje nga politika në sistemin arsimor. Sot çdo kush mund të bëhet student e të marrë një diplomë, të magjistrojë dhe doktorojë, sepse çdo kush mund të punojë si profesor universiteti. Në çdo qytet mund të hapen fakultete, pa pyetur për kapacitete dhe resurset. Kjo që behët me universitete është jashtë çdo standardi dhe morali në ruajtjen e vlerës së arsimit të lartë.

Këto 14 vite do të mbahen në mend edhe për degradimin e arsimit nga partiakizmi e joprofesionalizmi që e shkaktoi ky pushtet. Pushtetarët tanë e shkatërruan arsimin në Kosovë, si atë fillor dhe të mesëm. Paramendoi, edhe komandantët pa asnjë dite shkolle u bënë asistentë ne Mjekësi. Shumë emra të kësaj politike u bënë me titullin e doktorit të shkencave, e disa prej tyre dekanë e prodekanë.

Shoqëritë dhe vendet që i kushtonin rëndësi zhvillimit human dhe shkencës, ecnin më shpejtë, më sigurt. Andaj, edhe në Kosovë kërkohet edukim cilësor me dije, shkencë, kulturë, e vlera të reja për të pasur zhvillim, e në veçanti me punë praktike. Arsimimi është politika më e mirë ekonomike, është politika më e qëndrueshme afatgjate për të pasur një ekonomi të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Po ashtu, është politika më largpamëse drejt ndërtimit të një shoqërie që punon dhe një shoqërie që funksionon mbi një rend ligjor.

Përgatitja e punëtorëve për treg të punës, brenda dhe jashtë, është politikë arsimore e mirëfilltë e çdo qeverie. Pra, kjo duhet të jetë edhe për politikën kosovare. Cilësia e mësimit, edukatës, pra vlerave të mirëfillta në frymën e respektimit të punës dhe mbrojtjes së interesit publik, kohezionit shoqëror, solidaritetit njerëzor dhe zhvillimit në favor të shëndetit, harmonisë, dhe mbrojtjes së interesave të gjeneratave të ardhshme në nivel vendi, regjional, por pse jo edhe global, janë kushte të ekzistencës së mirëfilltë të shtetit.

Pra, një herë e përgjithmonë këto politika grabitqare duhet t’i heqin duart nga arsimi. Pa arsim të mirëfilltë, s’do të kemi rritje ekonomikë, s’do të kemi zhvillim.