Gazeta gjermane “Bild” shkruan se miliona njerëzve të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët tani gjenden para pensionimit, u kërcënohet varfëria për shkak të kostove të banimit.

Sipas një studimi të Institutit Pestel, të porositur nga sindikata IG Bau, rreth 5,1 milionë njerëz që pritet të dalin së shpejti në pension marrin më pak se 800 euro pension në muaj - pas zbritjes së qirasë, nuk mbetet pothuajse asgjë për të jetuar.


Mes të anketuareve nga gazeta “Bild” është edhe kosovari Avdi Kafexholli. Ai është 64-vjeçar dhe punon si teknik i mirëmbajtjes në një zinxhir të ushqimit të shpejtë.

Kafexholli thotë: "Unë dal në pension pas tre vjetësh dhe atëherë nuk do të mund ta përballojë më jetën në München. Paguaj 1270 euro qira për banesën time 68 metra katrorë në München-Pasing. Kjo është rreth 55 për qind e rrogës sime aktuale. Gruaja ime nuk ka punuar, e si mund të punonte, ajo u kujdes për katër fëmijët tanë. Unë llogaris rreth 900 euro pension“.

Atyre të dyve u duhen 2300 euro për të jetuar. „Nuk dua të shkoj në zyrën e ndihmës sociale, prandaj do ta lë Gjermaninë.“ Avdiu, sipas “Bild”, erdhi nga Kosova para gati 30 vjetësh, dhe atje dëshiron të kthehet si pensionist.

„Gjithmonë kam qenë i kënaqur me Gjermaninë. Këtu për ne çdo gjë ka shkuar shkëlqyeshëm.

“ Para luftës, ai ka punuar për gjashtë vjet si mësues i shkollës fillore. "Kam frikë se nga ajo kohë nuk do të marr fare pension. Dhe edhe nëse po: nuk do të mjaftonte aspak për të jetuar". /Telegrafi/