LAJMI I FUNDIT:

Unazë për të rrethuar ndërtesën më të lartë në botë Burj Khalifa – projekti bashkon komunitetin, luksin dhe planifikimin magjepsës urban

Unazë për të rrethuar ndërtesën më të lartë në botë Burj Khalifa – projekti bashkon komunitetin, luksin dhe planifikimin magjepsës urban

Në Dubai, firma eksperimentale e arkitekturës ZNera Space ka propozuar një dizajn konceptual që paraqet një strukturë masive rrethore pesëkatëshe të mbështjellë rreth rrokaqiellit më të lartë në botë, Burj Khalifa.

Kjo e fundit ka një lartësi marramendëse prej 829.8 metrave, pothuajse dyfishi i lartësisë së Empire State Building në New York.


Koncepti, i njohur si Downtown Circle, bashkon komunitetin, luksin dhe planifikimin futuristik urban në një dizajn jashtëzakonisht ambicioz, i cili është sjellë në jetë nga një seri ilustrimesh magjepsëse të krijuara në bashkëpunim me Pictown, një kompani e specializuar në arkitekturë.

Arkitektët kryesorë të ZNera Space, Najmus Chowdry dhe Nils Remess, parashikojnë Downtown Circle si një goditje horizontale kundër rrokaqiejve marramendës të qytetit arab të Dubait, raporton cnn.

Sado bindës dhe radikal të jetë një dizajn Downtown Circle, ai është – për momentin – praktikisht dhe financiarisht i parealizueshëm, pranojnë Chowdry dhe Remess.

“Është menduar të jetë vetëm një propozim”, tha Chowdry, transmeton Telegrafi.

“Diçka që mund t’i nxisë njerëzit të rimendojnë për zhvillimin urban, të rimendojnë mbipopullimin e qytetit… Ne po premtojmë një qytet të qëndrueshëm”, deklaroi ai.

“Ne po punonim në aspekte shumë të rëndësishme që ngrenë diskutimin se si po planifikojmë ndërtimin e qytetit”, shtoi Remess.

“Arsyeja që zgjodhëm Burj Khalifa është sepse bëjmë fjalë për një zonë urbane shumë të dendur dhe ne duam t’i adresojmë çështjet që shoqërojnë popullsinë e dendur të qyteteve”, pohoi arkitekti.

Struktura, e destinuar të ngrihet 550 metra mbi nivelin e rrugës, do të kishte një perimetër prej më shumë se tre kilometrave.

Unaza do të mbështetej nga pesë shtylla të mëdha – me bazat e tyre të vendosura në zona boshe – që mund të shërbenin për një qëllim shtesë.

“Ne donim të krijonim një mikroklimë në qendër të qytetit dhe të krijonim një lloj mbështjelljeje rreth zonës për të kontrolluar temperaturën dhe për ta bërë atë më të jetueshme në mot të nxehtë”, tha Chowdry.

“Ju mund t’i përdorni ato [shtylla] vertikale si pastrues të ajrit”, deklaroi ai.

Struktura e shtyllave mund të përfshijë një dizajn inovativ të filtrimit të smogut të krijuar nga ZNera Space, i cili u përfshi në listën e ngushtë për çmimin e Festivalit Botëror të Arkitekturës 2018 në kategorinë “Projekti Eksperimental i së Ardhmes”.

Në Dubai, temperaturat shpesh tejkalojnë 40 gradë Celsius (104 gradë Fahrenheit) dhe arkitektët duan që dizajni i tyre të vendosë një pikë referimi të re për qëndrueshmërinë në rajon.

“I gjithë tavani do të jetë i mbushur me panele diellore”, tha Chowdry.

“Ajo që ne duam të bëjmë gjithashtu është të zbatojmë një teknologji që e kemi përdorur tashmë në një projekt të mëparshëm, qelizat diellore të hidrogjenit”, pohoi ai.

Kjo teknologji shfrytëzon energjinë diellore për ta kthyer ujin në hidrogjen, i cili më pas mund të fuqizojë ajrin e kondicionuar dhe të sigurojë energji për ndërtesën.

Dizajni u hartua për të përafruar me masterplanin optimist të Dubait për një mjedis të qëndrueshëm urban deri në vitin 2040.

Koncepti gjithashtu propozon opsione transporti nga njëri skaj në tjetrin duke përfshirë një sistem tramvaji elektrik që mund të arrijë shpejtësinë 100 kilometra në orë dhe infrastrukturë për të akomoduar taksitë qiellore.

Kjo sasi e ambicieve arkitekturore nuk vjen pa sfidat e saj inxhinierike, të tilla si krijimi i një strukture mjaft të fortë për të strehuar tiparet e brendshme, por mjaft të lehta për t’u mbështetur nga shtyllat.

“Struktura në vetvete është mjaft e lehtë. Unë e imagjinoj atë si një aeroplan të madh, por brenda saj është e gjitha bosh”, tha Chowdry.

“Por më pas mbështetet nga këto kolona dhe unazat e rrethit”, vazhdoi ai.

“Ne zgjodhëm ta bëjmë atë rrethore sepse është formati strukturor më i qëndrueshëm”, theksoi ai.

Rrethi i propozuar në qendër të qytetit do të ndërthurte hapësirën e banimit midis zonave tregtare, korporative dhe kulturore për të formuar një “qytet të vetë-qëndrueshëm brenda një qyteti”, pohoi Remess.

“Nëse jetoni atje, mund të arrini në zyrën tuaj, në parkun tuaj apo mund të arrini në shtëpinë tuaj brenda 15 deri në 20 minuta. Në Dubai, është e vështirë ta bësh këtë”, shtoi ai.

Pika kryesore e brendshme e dizajnit është një rrip i gjelbër i vazhdueshëm, i quajtur Skypark, i cili lidh të pesë katet e strukturës.

“Skypark është shtylla kryesore e të gjithë dizajnit”, shpjegoi Chowdry.

“Do të jetë një hapësirë ​​e gjelbër me përdorim të përzier dhe do të veprojë gjithashtu si një hapësirë ​​për të rimenduar se si do të zhvillohet bujqësia në të ardhmen, veçanërisht në qytete”, deklaroi ai.

“Nëse shikoni historikisht, fillimisht erdhi bujqësia dhe më pas ne ndërtuam qytetin”, tha Remess.

“Tani ne e kemi humbur këtë koncept. Me këtë brez të gjelbër brenda strukturës, ne duam të rikthejmë bujqësinë dhe prodhimin e ushqimit në qendër të qytetit”, pohoi ai.

Koncepti sigurisht që po tërheq vëmendjen, por jo të gjitha janë pozitive.

Që nga postimi i modeleve në faqen e Instagramit të firmës, disa komentues kanë thënë se dizajni mund të shkatërrojë strukturën e rrethit në qendër të qytetit.

“Disa nga komentet në internet kanë qenë negative, por – siç na tha dikush kohët e fundit – çfarë duket më mirë: një gisht bosh apo një gisht me unazë mbi të?” tha Chowdry.

“Unë mendoj se kjo thjesht shton vertikalitetin e Burj Khalifa”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Botë
Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre

Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre

Botë
A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?

A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?

Evropa
Japonia dhe Brazili bien dakord të mbrojnë pyjet tropikale të Amazonës

Japonia dhe Brazili bien dakord të mbrojnë pyjet tropikale të Amazonës

Botë
Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?

Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?

Botë
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Kalo në kategori