Unai Emery, mjeshtëri i Ligës së Evropës

Unai Emery e arriti sërish. Trajneri spanjoll e udhëhoqi Aston Villën drejt fitores 3-0 ndaj Freiburgut në finalen e Ligës së Evropës në Stamboll, duke e fituar trofeun për herë të pestë dhe duke e forcuar statusin e tij si figura më dominante e kësaj gare.
Kjo ishte fitorja e pestë e Emeryt si trajner në Ligës së Evropës. Në epokën e re të Ligës së Evropës, vetëm Diego Simeone ka fituar më shumë se një herë tjetër këtë trofe (dy herë me Atlético Madrid), ndërsa Emery mbetet i veçantë edhe për faktin se e ka fituar turneun me tri klube të ndryshme: Sevilla (tri herë), Villarreal dhe tani Aston Villa.
Rekordi i tij në këtë garë është i jashtëzakonshëm: 109 ndeshje, 70 fitore, 23 barazime dhe 16 humbje, me përqindje fitoreje 64.2%.

Emery ka marrë pjesë gjithsej në gjashtë finale të Ligës së Evropës, ndërsa në nivelin e finaleve të mëdha kontinentale vetëm disa emra si Carlo Ancelotti, Sir Alex Ferguson, José Mourinho dhe Giovanni Trapattoni kanë qenë po aq shpesh në akte finale.
Rrugëtimi i tij në finale ka qenë pothuajse gjithmonë i suksesshëm. Ai e nisi serinë e trofeve më 2013/14 me Sevillën, kur pas 0-0 ndaj Benficës fitoi me penallti (4-2).
E pasoi me triumfin 2014/15 ndaj Dnipros (3-2) dhe më pas me rikthimin e madh ndaj Liverpoolit në 2015/16 (3-1). Humbja e vetme në një finale të këtij kompeticioni i erdhi në 2018/19, kur Arsenali u mposht bindshëm nga Chelsea (4-1).
Në 2020/21 fitoi me Villarrealin ndaj Manchester United në një seri historike penalltish (11-10), ndërsa tani e kurorëzoi gjithçka me suksesin e ri me Aston Villën.
Në finalen e Stambollit, puna taktike e Emeryt u pa qartë. Aston Villa kaloi në epërsi me Youri Tielemans pas një goditjeje këndi të punuar, shënoi të dytin para pushimit me Emiliano Buendian pas asistit të John McGinn, ndërsa Morgan Rogers e vulosi triumfin në minutën e 58-të, duke mos i lënë Freiburgut asnjë shans për rikthim.

Kapiteni i Aston Villës, John McGinn, e vlerësoi lart trajnerin pas finales, që u fitua dhe festua nga klubi anglez.
“Dëshira e tij për sukses dhe orët që i kushton detajeve më të vogla për të na dhënë shansin më të mirë për të fituar, është diçka që nuk e kam parë kurrë më parë… është frymëzuese”, deklaroi kapiteni.
Edhe ish-lojtarë të tij kanë folur për ndikimin e Emeryt, duke e cilësuar si trajner që “jeton futbollin 24 orë” dhe që di t’u transmetojë lojtarëve mentalitetin garues.
Vetë Emery, duke folur për lidhjen e tij me Evropën, theksoi se kjo garë ka qenë pjesë e identitetit të tij si trajner.
“Ligës së Evropës do të thotë shumë për mua… te Sevilla e kuptova çfarë përfaqësonte kjo për klubin dhe tifozët. Na dhanë shpirtin garues dhe e fituam tri herë”.
Ai shtoi se ka mësuar edhe nga humbjet, përfshirë finalen me Arsenalin kundër Chelseat, dhe se përvoja e tij në Evropë është ndërtuar për vite.

“Kam garuar në Europë 18 vjet radhazi… kam mësuar të menaxhoj situatat me presion të lartë”, nënvizoi ai.
Me pesë trofe të Ligës së Evropës dhe një histori që nuk ka të krahasuar në këtë garë, Emery tashmë nuk është vetëm fitues – por sinonim i vetë Ligës së Evropës. /Telegrafi/













































