Në fund të korrikut 2014, Stéfane France, po shijonte ditët e fundit të pushimeve në vilën e tij verore, kur atë e morën në telefon nga zyrat qendrore të arkivave të televizionit francez, në komunën e vogël të Issoudun-it: “Unë kam diçka këtu, që ty mund të të interesonte”, mendon kolegu që ka punuar dikur për shoqatën e teknikëve dhe inxhinierëve të koncernit të dikurshëm kombëtar të televizionit, TDF.

Pak më vonë, France mban më duar një kutizë të vjetër me filma Kodak, mbushur me foto në pllaka xhami: “Foto nga televizioni në Paris gjatë Luftës së Dytë Botërore”. France, megjithëse edhe vetë një pionier i televizionit dhe bashkëthemelues i kanalit televiziv me pagesë “Premiere” në Gjermani, mbetet pa fjalë. Ai nuk kishte dëgjuar kurrë për diçka të tillë.


00   aifel

Historia e kanalit TV gjermano-francez gjatë kohës së okupimit nazist në Paris, është thuajse fare e panjohur. Ky “televizion në Paris” transmetoi nga data 7 maj 1943 deri në 16 gusht 1944 nga kulla “Eiffel” një program shumorësh.

Deri më sot e kësaj dite, janë shfaqur shumë pak dokumente për të, si nga Arkiva Kombëtare, ashtu dhe nga ato private. Por për të qarkullojnë shumë histori të jashtëzakonshme e anekdota.

Një urdhër absurd dha shkas për projektin në fjalë u bë në fillim, e ashtuquajtura “Zyra e Lartë për Informacionet” në Francë, një autoritet radiofonik në atë kohë, më maj 1941, e cila njoftoi se do të çmontonte të gjitha radiostacionet e instaluara në kullën e pushtuar “Eiffel”, qysh në qershor 1940, për të shfrytëzuar për qëllime lufte, lëndët e saj të para.

Inxhinierëve që merreshin me çmontimin të firmës “Telefunken”, megjithatë urdhri në fjalë iu duk fare pa kuptim. Kështu, Kurt Diels dhe Fritz Schröter u angazhuan më shumë për përdorimin e kanalit ekzistues të atëhershëm TV me fuqi 30 kW, për kohën më i fuqishmi në botë, që ishte instaluar në majë të kullës “Eiffel”.

Alfred Bofinger, drejtues i grupit Radio-TV të sektorit të propagandës në Berlin, u bind përfundimisht nga dy inxhinierët me përvojë. Ai gjeti menjëherë edhe një intendent që u përshtatej kushteve e qëllimit për transmetuesin televiziv nën urdhrat gjermane: Kurt Hinzmann, anëtar i të ashtuquajturës “Njësia K”, një grupim, i cili në rast të aneksimit të Francës nga Britania e Madhe, do të mund t’i vinte në funksion pajisjet e atjeshme radiofonike. Hinzmann kishte qenë më parë drejtor i transmetuesit TV të Berlinit.

Kështu, me urdhrin 2688/42, Komanda e Lartë e Wehrmacht-it gjerman vendosi përfundimisht më 20 maj 1942, rivënien në funksionim të transmetuesit TV parisien.

Infrastruktura e ngritur atje nga francezët përpara pushtimit gjerman, megjithatë duhej riparuar e sjellë nga norma 455-radhëshe e sistemit francez, në standardin gjerman me 441 radhë.

00   aifel0

Kontingjenti i teleshikuesve i planifikuar për të arritur ky transmetues, para së gjithash duhej të ishin ushtarët gjermanë të plagosur që ishin shtruar nëpër spitalet e Parisit. Përtej tyre, me anë të tij sigurisht se do tentohej të depërtonte propaganda gjermane me zë dhe figurë në veshët dhe sytë e francezëve në kohë reale.

Qysh nga fillimi, ai iu bashkëngjit radiotelevizionit francez, i cili vuri në dispozicion pjesën më të madhe të personelit – ku numëroheshin deri në 120 nëpunës.

Propagandë nga një pallat kërcimi

Menjëherë ia nisën kërkimet për një vend të përshtatshëm për të instaluar studio TV. Në fillim u fol për teatrin “Chaillot” në “La Place du Trocadéro”. Pak më vonë krahu perëndimor i muzeut të “Palais de Tokyo” ishte ai që fitoi në vendimin përfundimtar. Por pak para se vendimi të zbatohej, zgjedhja u zhvendos te “Magic City”, një ish-pallat i madh kërcimi, me sipërfaqe 2300 metër katrorë që gjendej në “Rue de l’Université 176/180”.

Në sallë u ngrit kështu një studio me parametra modernë me mure të izoluara që zinte një sipërfaqe prej 70 herë 35 metër, me një skenë të ngritur të pajisur me pajisje klimatizuese, 3000 projektorë dritash luksi dhe radhë sediljesh në formë shkallareje, që zinin rreth 300 spektatorë.

Si ambiente zyrash dhe administrate duhej të shërbente një hotel familjar aty pranë. Të dyja godinat u sekuestruan shpejt dhe u vunë në shfrytëzim “për arsye shtetërore”.

Deri në gatitjen përfundimtare të studiove, në verë të vitit 1942, ia nisën të transmetoheshin programe eksperimentale e testuese në ndërtesën e ish-ambasadës çekosllovake në Paris. Si logo e parë e këtij kanali TV, shërbente një profil kamere ndanë një dritareje që shihte nga kulla “Eiffel”.

Më vonë, ajo u zëvendësua me një imazh të përpunuar të kullës “Eiffel”, rrethuar nga valë rrethore në një fushë të bardhë.

“Televizioni i Parisit” në fillim transmetonte tri orë e gjysmë, e më vonë deri në pesë orë programe televizive. Përtej tyre, transmetoheshin edhe programe radiofonike të radiostacioneve gjermane nëpërmjet kullës “Eiffel”.

Qysh në fillim u tentua te dygjuhësia: dy spikerë njoftonin programin në gjermanisht e frëngjisht. Transmetohej direkt nga studio me katër kamera dhe rregullisht transmetohej “Ditari Javor”, si dhe filma të shkurtër në gjermanisht e frëngjisht.

Për emisionin “Jeta pariziene”, në terren dërgoheshin ekipe TV nëpër ekspozita e koncerte.

Fotot në pllaka fine xhami, që Stéfane France në verën e vitit 2014 i mbante në duar, janë tërësisht të pasistemuara dhe nuk mbajnë as diçitura e as të dhëna të tjera, përfshirë edhe datat. Mes imazheve të televizionit francez të Pasluftës, përzihen imazhet e “TV Paris”-it gjatë pushtimit gjerman. Bie në sy një festë pompoze: një orkestër ushtarake me sfond kryqin e thyer që luan në studion e “Magic City”-t.

00   aifel1

Këtu, bashkëpunëtorët e TV ishin vazhdimisht të diskutueshëm, pasi në studio gjendeshin shpesh edhe aktivitete partiake naziste; dhe fotot e gjendura tashmë mund të tregonin për shembull një aktivitet të tillë të mbajtur më 30 shtator 1943. Një imazh tjetër tregon - me shumë gjasa – një orkestër me 24 anëtarë që paguhej me rrogë nga transmetuesi në fjalë.

Më shumë enigma fsheh në vetvete – sipas Stéfane France – përkundrazi, një grua e veshur me të bardha, që këndon para një kamere TV gjermane: krahasimet e këtyre fotove na bëjnë të besojmë se mund të bëhej fjalë për yllin e skenave të kohës që u la më pas ndoshta me qëllim në harresë, Lina Margy, e cila u bë e famshme me këngën “Ah! Le petit vin blanc”. Në mënyrë paradoksale, shumicës së francezëve, kjo këngë deri më sot u është bërë e njohur më shumë si një hit i viteve të Pasluftës.

Britanikët, telespektatorët “e paftuar”

Duke kopjuar shembullin e “TV Berlin”-it, edhe “TV Paris”-i duhej të ishte cirku ai që do të duhej t’i mbante në shina teleshikuesit. E kështu që në foto shihet një përplasje mes një kali cirku, i cili mezi po futej në studion e TV.

Pas një shfaqjeje të suksesshme para kamerave të ndezura, kafsha refuzoi të ngjitej në shkallët e studios – e kështu që duhej tërhequr “me dhunë” nga zjarrfikësit që e nxorën atë më në fund nga dritarja.

Investime luksoze në mes të luftës

Të tilla aksione tregojnë se si në mes të Luftës së Dytë, investohej aq shumë për programet TV, që tekefundit realisht mund t’i shihnin vetëm pak njerëz. Nëpër spitalet ushtarake mund të shihje nga 350 deri në 400 “telespektatorë”.

Persona privatë që jetonin në apo rreth Parisit dhe që mund të kishin në shtëpi aparat TV, mund ta ndiqnin programin, por për shkak të normave të ndryshme të transmetimit të valëve e frekuencave, duhej t’ia dilnin mbanë me një kualitet imazhi që linte shumë për të dëshiruar.

Numri i recipientëve privatë renditej nga qindra deri në njëmijë. Me këtë sasi, publiku përbëhej kryesisht nga vetë të ftuarit e studios.

Sidoqoftë, kishte edhe një palë spektatorë “të paftuar” – që ndodheshin shumë larg Parisit: siç ishte një stacion radarësh britanik, i instaluar në “Beachy Head”, në Sussex, i cili duke ia nisur nga vera e vitit 1942, mund të arrinte t’i kapte sinjalet televizive nga një largësi prej më shumë se 240 kilometrash, d.m.th. të kapte edhe valët e TV Parisit.

Ata ndërtuan madje edhe një konstruksion special antenash në formë rrjete mes dy kullave druri, në lartësi prej rreth 30 metrash, për t’i forcuar sinjalet e dobëta që kapeshin nga TV Parisi. Imazhi i parë që agjentët e punonjësit e radarit si të hutuar arritën të shihnin, ishte logoja e kanalit TV me imazhin e kullës “Eiffel”.

Mirësjellje edhe në humbje

Spiunazhi britanik megjithatë nuk është se me këtë hap ia doli të nxirrte ndonjë gjë të madhe në lidhje me sekretet e nazistëve. Gjermanët e dinin se sinjalet TV teorikisht mund të arrinin edhe brigjet angleze – dhe qëllimisht e përdornin këtë përparësi, si mjet për të propaganduar idenë se në Gjermaninë Naziste, çdo gjë ecte për mrekulli.

Lajme aktuale e gjëra kundër regjimit, as që bëhej fjalë të transmetoheshin. Vend kishte vetëm për gjëra që nuk shkaktonin probleme, vetëm argëtim e informacione rutinore: në dhjetor 1943, në “TV Paris” shiheshin të transmetoheshin filma si “Në ofiçinën e babagjyshit të Krishtlindjeve”, apo dhe “Traditat franceze të Krishtlindjeve”.

Madje edhe më 7 qershor 1944, ditën e zbarkimit aleat në Normandi, shefat gjermanë të TV sugjeronin nga Parisi rutinën e padëmshme dhe normalitetin: programi nisi në orën 10 të mëngjesit me filmin “Kashtë në vesh”, dhe në kohën më të mirë të transmetimit në mbrëmje, transmetohej “Dasma veneciane”, që pasohej në program nga “Qyteti barok Dresden” dhe “Djepi i pyllit”.

Në orën 21:42, kur luftimet në Normandi po zienin, “TV Parisi” përshëndetej me teleshikuesit si zakonisht me mirësjellje: “Mirëmbrëma dhe Natën e mirë”. /Marrë nga “Der Spiegel”/