LAJMI I FUNDIT:

Turqisë nuk i ngutet për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO – thonë se nuk është urgjente për Ankaranë

Turqisë nuk i ngutet për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO – thonë se nuk është urgjente për Ankaranë

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk, do të diskutojë ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha sot kryetari i komisionit, duke shtuar se çështja nuk është aq urgjente për Ankaranë sa është për disa vende të tjera.

Projektligji Suedi-NATO “do të diskutohet kur të vijë koha në përputhje me agjendën e Komisionit të Punëve të Jashtme”, transmeton Telegrafi.


“Gjithçka që është urgjente për vendet e tjera nuk duhet të jetë urgjente për ne”, u tha Fuat Oktay ligjvënësve në një takim në parlament.

Dhjetë ditë më parë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ia përcolli zyrtarisht Kuvendit të Turqisë kërkesën për anëtarësimin e Suedisë në NATO, pas 17 muajsh bllokadë, njoftoi zyra e tij.

Erdogan hoqi veton e tij për pranimin e Suedisë në NATO në korrik, duke shtuar se ratifikimi do të varet nga parlamenti turk, i cili rifilloi punën e tij pas pushimit veror më 1 tetor.

Erdogan ka vazhduar t’i bëjë presion Suedisë që nga vera për të marrë masa kundër “fyerjes së Kuranit”.

Ankaraja qorton autoritetet suedeze për butësinë e tyre ndaj militantëve kurdë që jetojnë në territorin e saj, dhe kërkon ekstradimin e dhjetëra prej tyre.

Ndryshe, Turqia miratoi hyrjen e Finlandës në NATO më 30 mars. /Telegrafi/