Një zjarr i fuqishëm pyjor ka përfshirë provincën turistike të Antalyas në Turqi, duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa dhjetëra ekipe zjarrfikësish po luftojnë me flakët e favorizuara nga erërat e forta.

Zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje në distriktin Aksu dhe, i ndihmuar nga erërat e fuqishme, u përhap me shpejtësi drejt distriktit fqinj Kepez.


Autoritetet kanë evakuuar banorët nga të paktën 254 shtëpi, ndërsa një pjesë e autostradës që lidh Antalyan me qytetin e Ispartës është mbyllur përkohësisht për shkak të rrezikut.

Të paktën dy persona janë dërguar në spital me lëndime në këmbë, ndërsa gjashtë të tjerë janë trajtuar në vend pasi janë prekur nga tymi.

Situata ka qenë veçanërisht shqetësuese edhe për kafshët. Mbi 100 qen nga një strehimore në Aksu janë evakuuar dhe janë dërguar në një zonë të sigurt. Pamjet nga vendi tregojnë veterinerë duke trajtuar një qen të prekur nga tymi.

Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 2,000 banesa në zonë, transmeton Telegrafi.

Përballë përhapjes së flakëve është mobilizuar një operacion i gjerë ajror dhe tokësor.

Në luftën kundër zjarrit janë angazhuar rreth 600 persona, 110 automjete zjarrfikëse, 10 helikopterë dhe të paktën pesë avionë zjarrfikës.

Ekipet e emergjencës po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve dhe të mbrojnë zonat e banuara, ndërsa era e fortë po e vështirëson ndjeshëm operacionin.

Situata e zjarreve mbetet problematike edhe në zona të tjera të Turqisë. Zjarre të tjera po luftohen në provincat fqinje Adana dhe Mersin.

Për momentin, autoritetet po mbajnë nën vëzhgim zonat e rrezikuara, ndërsa banorëve të evakuuar u është kërkuar të qëndrojnë larg zonave të prekura deri në përmirësimin e situatës. /Telegrafi/