Turistë nga SHBA: Na vjen keq që kufiri në Çakorr na ndaloi rrugën

Protesta për hapjen e pikës kufitare dhe funksionalizimin e rrugës në Çakorr ka tërhequr jo vetëm qytetarë vendas, por edhe vëmendjen e turistëve të huaj që po udhëtonin nëpër Ballkan.
Në mesin e tyre, një grup çiklistësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët po eksploronin rajonin, u ndalën pikërisht në këtë pikë kufitare – aty ku rruga vazhdon fizikisht, por mbetet e mbyllur për kalim.
“Na vjen keq që u ndalëm në këtë kufi dhe nuk mund të vazhdojmë udhëtimin tonë”, shprehet njëra prej tyre, duke theksuar se kishin planifikuar të vazhdonin rrugën drejt Malit të Zi.
Ajo shton se janë duke përjetuar një eksperiencë shumë të mirë në Kosovë, duke e cilësuar vendin si të bukur dhe njerëzit si shumë mikpritës, por kjo ndalesë e papritur në kufi ka qenë zhgënjyese për ta si udhëtarë.
“Do të ishte shumë më mirë nëse kjo rrugë do të ishte e hapur”, thotë ajo, duke theksuar rëndësinë që ka lëvizja e lirë për turistët, sidomos për ata që udhëtojnë me biçikleta nëpër rajon.
Sipas tyre, kërkesa për leje të veçanta për të kaluar kufirin e bën të vështirë dhe të panevojshëm planifikimin e udhëtimeve në këtë zonë, e cila përndryshe ofron një nga peizazhet më të bukura natyrore në Ballkan.
Protesta në Çakorr u organizua pikërisht me qëllimin për të kërkuar hapjen e kësaj pike kufitare dhe shfrytëzimin e plotë të rrugës që lidh Kosovën me Malin e Zi – një projekt që konsiderohet me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe lidhjen ndërkufitare.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një kontrast të fortë: një rrugë e ndërtuar dhe e gatshme për përdorim, e rrethuar nga natyrë mbresëlënëse, por që mbetet e bllokuar për qytetarët dhe vizitorët.
Reagimet e turistëve të huaj, si në këtë rast nga SHBA, i japin një dimension ndërkombëtar kësaj çështjeje, duke e nxjerrë në pah ndikimin që ka mbyllja e kufirit jo vetëm për vendasit, por edhe për imazhin turistik të vendit./Telegrafi/




















































