eksperti-banner

Trajneri i Anglisë Thomas Tuchel ka deklaruar se Jude Bellingham duhet ende të luftojë për një vend në formacionin titullar për Kupën e Botës, pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në skuadër.

Sipas raportimeve të Goal.com, mesfushori i Real Madrid mbetet në garë të fortë për një vend titullar, ndërsa turneu që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada po afron.


“Rolet mund të ndryshojnë gjithmonë, por për momentin kemi 14 ose 15 lojtarë që konkurrojnë për vendin e titullarit, dhe Jude është njëri prej tyre”, është shprehur Tuchel, duke lënë të hapur konkurrencën në mesfushë.

Që prej marrjes së drejtimit të Anglisë në janar 2025, Tuchel ka aktivizuar Bellingham vetëm në katër ndeshje si titullar, ndërsa ka preferuar shpesh Morgan Rogers të Aston Villa, i cili ka qenë shumë më i përdorur në sistemin e tij.

Situata paraqet një ndryshim të madh krahasuar me periudhën e Gareth Southgate, kur Bellingham ishte një titullar i padiskutueshëm dhe një nga liderët e skuadrës.

Raportimet në Angli kanë përmendur gjithashtu një marrëdhënie të tensionuar mes Tuchel dhe Bellingham, veçanërisht pas disa episodeve ku trajneri ka kritikuar sjelljen e lojtarit në fushë, përfshirë edhe një deklaratë të mëhershme pas humbjes 3–1 ndaj Senegalit.

Megjithatë, në ndeshjen e fundit përgatitore ndaj Zelandës së Re, Bellingham u aktivizua nga stoli dhe madje mori shiritin e kapitenit, duke dhënë një performancë të vlerësuar pozitivisht nga trajneri.

Anglia po vazhdon përgatitjet finale për Botërorin, me ndeshjen e fundit miqësore ndaj Kosta Rikës, përpara debutimit në Grupin L kundër Kroacisë më 17 qershor, më pas ndaj Ganës dhe Panamasë. /Telegrafi/

telegrafi sport app