Tuchel flet për vendimet dramatike të Kupës së Botës pasi tre emra të mëdhenj mbetën jashtë listës së Anglisë

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Thomas Tuchel, ka ndarë mendimet e tij rreth skuadrës së përzgjedhur për Kupën e Botës 2026, duke theksuar se zgjedhja e 26 futbollistëve ishte një nga vendimet më të vështira të karrierës së tij.
“Shpresoj që kjo të jetë skuadra më e mirë. Që nga dita e parë kemi thënë se po ndërtojmë ekipin më të mirë, jo domosdoshmërisht atë me më shumë talent”, deklaroi Tuchel.
Trajneri gjerman zbuloi se reagimet e lojtarëve pas telefonatave të ftesës ishin shumë emocionale dhe i dhanë bindjen se kishte marrë vendimet e duhura.
“Ishin disa telefonata të jashtëzakonshme. Ishte fantastike të shihja sa emocionalisht reaguan lojtarët dhe çfarë domethënie ka kjo ftesë për ta – madje edhe për ata që kanë qenë më parë pjesë e turneve të mëdha. Pas çdo telefonate bindesha edhe më shumë se kishim bërë zgjedhjet e duhura”, u shpreh ai.
Tuchel sqaroi se përzgjedhja u bazua në disa faktorë të rëndësishëm, duke përfshirë kontributin e lojtarëve me kombëtaren, formën me klubet dhe paraqitjet gjatë grumbullimeve.
“Skuadra u përzgjodh duke kombinuar disa elemente. Çfarë kanë bërë lojtarët për ne? A sjell futbollisti diçka të re në ekip? Kontributi i tyre për kombëtaren kishte peshë, por gjithashtu i kemi ndjekur vazhdimisht. Ajo që bëjnë te klubet e tyre nuk kalon kurrë në plan të dytë. Edhe ajo që ndodh gjatë kampeve stërvitore është po aq e rëndësishme”, tha trajneri anglez.
It’s official. Your #ThreeLions players heading to the @FIFAWorldCup! 🏆 pic.twitter.com/lqsDBYSP4X
— England (@England) May 22, 2026
Në fund, Tuchel pranoi se momenti më i vështirë ishte t’u komunikonte lajmin lojtarëve që mbetën jashtë listës finale.
“Pati disa telefonata shumë të vështira, sepse i respektoj si futbollistë dhe si njerëz. Të gjithë lojtarët në listën paraprake prej 55 emrash e meritonin një ftesë, por reduktimi i listës në 26 lojtarë ishte jashtëzakonisht i dhimbshëm”, përfundoi ai. /Telegrafi/













































