LAJMI I FUNDIT:

Tri paralajmërimet e mëdha për njerëzimin

Tri paralajmërimet e mëdha për njerëzimin

Dr. Zeqir Veselaj
Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës

Sot është Dita e Tejkalimit të Tokës (Earth Overshoot Day) për vitin 2022, pra dita kur tejkalohet kufiri i konsumit nga ana e njerëzimit të asaj që ekosistemi Tokë prodhon për një vit. Prej sot e për pesë muajt e ardhshëm, njerëzimi shfrytëzon resurse natyrore nga viti i ardhshëm. Dhe kjo po ndodh për çdo vit: ne po tejkalojmë kufijtë bartës të planetit. Deri kur, as vet nuk e dimë.


Në kuptimim më të thjeshtë, kufi është “një vijë ose pikë ku mbaron diçka ose shuma maksimale e lejuar e diçkaje”. Fjalori Webster kufirin e definon si “shuma, numri ose niveli më i madh i diçkaje që është ose e mundur ose e lejuar”. Edhe shakaja që na kënaq së qeshuri kur e kalon kufirin shndërrohet në problem. Ushqimi më i mirë, kur e kalon kufirin e konsumit, shkakton probleme për organizmin. Vetëm kufiri e ndan tingullin e Mozartit nga zhurma bezdisëse. Kur preket kufiri i një shteti, fillon lufta. Por, njerëzimi nuk po i mbron shumë nga kufijtë planetarë që sipas Johan Rockstrom nga Stockholm Environmental Institute tashmë janë cenuar seriozisht.

Kufiri i shtimit të popullsisë

Në vitin 1798 ekonomisti britanik Thomas Malthus publikoi në mënyrë anonime botimin e parë “Një ese mbi parimin e popullsisë” me jehonë të gjerë. Malthus argumentoi se rritja e popullsisë do të ndodhë me progresion gjeometrik, ndërsa mjetet e jetesës do të rriten vetëm me progresion aritmetik. Sipas Malthus, popullsia rritet më shpejt se furnizimi me ushqime të disponueshme për nevojat e saj. Sa herë që ndodh një rritje relative e prodhimit të ushqimit mbi rritjen e popullsisë, stimulohet një shkallë më e lartë e rritjes së popullsisë. Me kalimin e kohës, rritja e popullsisë do ta tejkalojë rritjen e prodhimit bujqësor, ndërsa do të bjerë për shkak të mungesës së ushqimit. Baza matematikore e kësaj teorie është parimi se “popullsia rritet me progresion gjeometrik: 2, 4, 8, 16, 32 etj., e nga ana tjetër, prodhimi i resurseve rritet me progresion aritmetik: 2, 4, 6, 8 etj. Malthus përfundoi se “fuqia e popullsisë për shtim është pafundësisht më e madhe se fuqia e Tokës për të prodhuar resurse jetese për njeriun”. Popullsia gjithmonë do të rritet deri në kufirin e jetesës.

Vetëm faktorë, si: “vice majors” (luftërat, fatkeqësitë natyrore), “mjerimi” (uria, mungesa e ushqimit dhe sëmundjet) dhe “përmbajtjet morale” (abstenimi nga martesat, kufizimi i lindjeve) mund ta kontrollojnë këtë rritje. Para dy shekujsh popullsia e botës ishte vetëm një miliard, ndërsa sivjet “prek” shifrën 8 miliardë njerëz dhe po rritet shumë shpejt.

Teoria e Malthusit, e njohur si fataliste dhe e kritikuar shumë, fitoi mbështetës. Shpesh është përdorur si argument kundër përpjekjeve për ta përmirësuar gjendjen e të varfërve. Gjatë shekullit 20, ambientalistët e përdorën teorinë e Malthusit për të theksuar se Toka nuk mund të mbajë më shumë njerëz se një kufi i caktuar dhe se burimet do të mbarojnë, nëse rritja e popullsisë nuk vihet nën kontroll. Një nga shembujt më të njohur të mendimit neomaltusian është edhe raporti “Kufijtë e Rritjes” i Klubit të Romës, shkruar nga një ekip i ekspertëve të MIT.

Kufiri “i padukshëm” i dyoksidit të karbonit

Nobelisti suedez Svante Arrhenius ishte i pari që më 1896 propozoi se ekziston një lidhje midis përqendrimit atmosferik të CO2 dhe temperaturës së tokës. Arrheniusi përcaktoi kontributin e CO2 në efektin serrë. Ai dëshmoi se si ndryshimet në përqendrimin atmosferik të CO2 kanë kontribuar në ndryshimet afatgjata të klimës. Ndryshe nga disa keqkuptime, Arrhenius nuk sugjeroi në mënyrë eksplicite, në këtë punim, se djegia e lëndëve fosile do të shkaktojë ngrohjen globale, megjithëse është e qartë se ai është i vetëdijshëm se lëndët fosile janë një burim potencialisht i rëndësishëm i CO2. Ai zbuloi se temperatura mesatare e sipërfaqes së tokës është rreth 15oC, për shkak të aftësisë thithëse të rrezeve infra të kuqe të avullit të ujit dhe të CO2. Ky quhet efekti natyror serrë, pa të cilin temperatura mesatare e Tokës do të ishte -18oC. Arrhenius sugjeroi se “një dyfishim i përqendrimit të CO2 do të shkaktonte një rritje të temperaturës me +5oC”.

Tre vjet më pas, gjeologu amerikan Thomas Chamberlin zhvilloi më tutje idenë se ndryshimet e klimës mund të rezultojnë nga ndryshimet në përqendrimin e CO2 atmosferik. Puna e Chamberlin për akullnajat e bëri atë të vinte në dyshim nocionet mbizotëruese të një toke që ftohet gradualisht, duke e bërë atë një pararendës të rëndësishëm të debateve për ngrohjen globale. Ai identifikoi se “sipas ciklit të formimit, rritjes dhe tërheqjes së akullnajave atëbotë, Toka po ngrohej në vend që të ftohej”. Për të gjetur një shpjegim, Chamberlin hulumtoi ndryshimet e klimës duke u fokusuar në ndryshimin e niveleve të CO2 në atmosferë.

Një artikull paralajmërues për efektin e djegies së qymyrit dhe shkarkimet e CO2 u botua në revistën Popular Mechanics nga Francis Molena më 1912. Për herë të parë përdoren shifra që e ndërlidhin djegien e qymyrit në shkarkimet e CO2 dhe rritjen e temperaturës duke theksuar se “furrat e botës po djegin rreth 2 miliardë tonë qymyr në vit. Kur ky qymyr digjet, karboni lidhet me oksigjenin dhe shkarkon 7 miliardë tonë CO2 në atmosferë çdo vit. Kjo do ta bëjë ajrin një batanije më efektive për Tokën dhe do ta rrisë temperaturën e saj. Efekti mund të jetë i dukshëm pas disa shekujsh”.

Arrhenius dhe Chamberlin llogaritën se aktivitetet njerëzore mund ta ngrohin Tokën duke shtuar CO2 në atmosferë, ndërsa Molena me shifra konkrete parashikoi efekte brenda disa shekujsh. Pas zbulimeve të tyre, tema pothuajse u harrua gati një shekull, kur ndërlidhja e CO2 me ngrohjen globale u adresua me Konventën Kornizë të Ndryshimeve Klimatike më 1992 dhe me Protokolin e Kyotos më 1996. Pra, efektet e Molenas u panë në më pak se një shekull.

Kufijtë e rritjes

Është i rrallë një libër që vërtet e “ndryshon” të menduarit njerëzor për botën. Në shekullin XIX, një libër i tillë ishte “Mbi origjinën e specieve” nga Darwini, i cili hodhi dritë mbi rrugën dhe parimet bazë që ka ndjekur evolucioni i botës së gjallë.

Në shekullin XX, libri “Kufijtë e rritjes”, e trajtoi një dimension ndryshe me të Darwinit, përkatësisht kërcënimet ndaj jetës në planetin tonë. Si libri më i shitur i vitit 1972, i cili ndihmoi në nxitjen e lëvizjes mjedisore, libri tregoi se “dinamika e botës moderne industriale është e paqëndrueshme ekologjikisht në kohëzgjatjen kohore të disa gjeneratave njerëzore”.

Libri në fakt nuk bëri asnjë parashikim, por ofroi 12 skenarë që mund të shpalosen në Tokë midis viteve 1972-2100, bazuar në faktin nëse njerëzimi i pranonte apo jo rreziqet ekologjike dhe ndërmerrte veprimet e duhura. Skenari i parë bazohej në “bussines as usual”, pa asnjë ndërhyrje dhe parashikonte kriza serioze ekologjike në fillim të shekullit XXI. Skenari i dytë lejonte përparime teknologjike që mund ta dyfishonin qasjen e njeriut në burime natyrore, skenar ky që gjithashtu sjell krizë, por disa dekada më vonë. Dhjetë skenarët e tjerë vlerësuan efektet e ndërhyrjeve, individuale dhe të kombinuara, duke përfshirë: riciklimin, kontrollin e ndotjes, restaurimin e tokës, stabilizimin e popullsisë, kufizimin e rritjes ekonomike dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së aseteve industriale duke eliminuar vjetërsimin e planifikuar. Disa nga këto ndërhyrje vështirë se janë menduar atëherë dhe asnjë nuk është arritur në shkallën globale të propozuar. Si rezultat, tani e gjejmë veten duke u përballur me krizat ekologjike: ngrohja globale, shkëmbinjtë koralor që po vdesin, kolapsi i biodiversitetit, liqenet e vdekura, rrjedhat e ndotura ujore, kimikatet toksike në trupin tonë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit nga burimet e varfëruara dhe një pandemi globale, e cila në vetvete është rënduar nga grumbullimi njerëzor dhe zvogëlimi i habitateve të egra.

Autorja kryesore Donella Meadows, duke shpërfaqur “naivitetin’ shkencor, priste reagim ndryshe nga njerëzimi, pasi që, si shprehej ajo, “kur u tregon njerëzve se kanë një fatkeqësi përpara, ata do të ndryshojnë drejtim. Nëse u jepni atyre një zgjedhje midis një të ardhmeje të mirë dhe një të keqeje, ata do ta zgjedhin të mirën. Ata madje pritet të jenë mirënjohës. Naive kjo qasje, apo jo?”

Kur u botua libri, përqendrimet e CO2 në atmosferë ishin 325ppm (pjesë për milion) dhe paralajmërimi ishte se pa ndërhyrje, përqendrimet mund të arrinin 380ppm deri në vitin 2000. Më 2022 përqëndrimi ka arritur në afër 420ppm apo 50% mbi nivelet e vitit 1750. Ky është përqendrimi më i lartë në rreth 4 milionë vjet, dhe po rritet me shpejtësi rreth 3 ppm në vit. Autorët paralajmëruan se kjo ngritje do të kishte kosto të rënda ekologjike në shumë dimensione. Që nga viti 1972, popullsia njerëzore është dyfishuar dhe konsumi i burimeve është trefishuar. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet për çdo ditë, temperatura globale është rritur mbi një gradë, ndërsa niveli i detit është ngritur 10-20 cm që nga viti 1900. Rreth 75% e fondit global të peshkimit oqeanik është eksploatuar në kufi ose përtej kapacitetit. Rreth 566 milionë hektarë të tokës bujqësore apo 38% e totalit është degraduar.

Këto janë simptoma të një bote në tejkalim, ku “njerëzimi po i shfrytëzon resurset e Tokës më shpejt, sesa që ato mund të ripërtrihen, dhe po prodhon mbeturina e CO2 më shpejt, sesa mund t’i absorbojë”. Fatkeqësisht për njerëzimin, asnjë nga paralajmërimet e librit nuk është zhvlerësuar edhe 50 vjet nga botimi.

Dennis Meadows thotë se qëllimi i librit atëherë ishte nëse mund të ngadalësojmë gjërat përpara se të arrinim kufirin. Shkencëtarët si Malthus, Arrhenius, Chamberlin e mijëra të tjerë nuk janë “Nostradamusa” të bëjnë paralajmërime me vargje shumëkuptimëshe. Paralajmërimet e tyre janë me shifra konkrete, të cilat po vërtetohen në pasoja shumë shpejt nga alarmi. Të tjera pasoja mbetet të shihen në të ardhmen jo fort të largët. Edhe në Kosovë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori