LAJMI I FUNDIT:

Tri mënyra për t’i eliminuar njollat me erë të keqe të yndyrës nga rrobat

Tri mënyra për t’i eliminuar njollat me erë të keqe të yndyrës nga rrobat
(Foto: Pexels)

Artikujt e zakonshëm që kemi në shtëpi mund të ndihmojnë në pastrimin e njollave me erë të keqe kur larja e zakonshme në lavatriçe nuk mjafton.

Larja e rrobave të yndyrshme mund të jetë sfiduese dhe aroma e pakëndshme e vazhdueshme është një problem shtesë. Përveç çngjyrosjes, njolla futet në fibra, duke krijuar një lidhje dhe erë që është e vështirë të eliminohet pa qasjen e duhur. Kjo për shkak se yndyra është një lipid dhe largon ujin.


Meqenëse shpesh edhe centrifuga gjatë larjes nuk mund t’i bëjë asgjë, sendet e zakonshme shtëpiake si uthulla ose soda e bukës mund të ndihmojnë.

Uthulla e bardhë

Detergjenti i rrobave i kombinuar me uthull të bardhë mund të jetë zgjidhja juaj. Detergjentet përmbajnë enzima që synojnë njollat me bazë yndyre dhe proteina, duke i zbërthyer ato në molekula më të vogla që mund të lahen lehtësisht. Uthulla e bardhë, nga ana tjetër, zbërthen yndyrën. Punon për ta shpërbërë vajin, duke siguruar që të largohet nga pëlhura. Kur përzihet me detergjentin e rrobave, uthulla e bardhë ndihmon në heqjen e njollave dhe aromave.

Për të përdorur uthull të bardhë për të hequr erën e yndyrës, filloni duke shtuar sasinë e rekomanduar të detergjentit të rrobave. Më pas, gjatë ciklit të fundit të shpërlarjes, shtoni gjysmë filxhani uthull të bardhë. Ky hap i fundit është vendimtar, ai pastron aromat e mbetura dhe mbetjet e yndyrës. Megjithatë, kini parasysh se uthulla e tepërt mund të dëmtojë pëlhura të caktuara dhe t’i ndryshojë ngjyrat për shkak të aciditetit.

Nëse keni larë një rrobë ngjyrë të errët me ndonjë me ngjyrë më të çelët, ja si mund të shpëtoni nga ngjyra e padëshiruar
Lexo po ashtu Nëse keni larë një rrobë ngjyrë të errët me ndonjë me ngjyrë më të çelët, ja si mund të shpëtoni nga ngjyra e padëshiruar

Soda e bukës

Kur kemi të bëjmë me aromat e forta të vajit dhe yndyrës, soda e bukës mund të jetë një agjent i shkëlqyer pastrimi. Ajo shkon përtej sipërfaqes, duke neutralizuar në mënyrë aktive vetë molekulat përgjegjëse për erën e njohur të yndyrës.

Së pari, spërkatni zonat e yndyrshme me sodë buke, më pas lëreni të qëndrojë për rreth 10 minuta. Hiqni sodën e bukës duke e fërkuar dhe larë materialin në ciklin e ujit të nxehtë. Përsëritni këto hapa derisa njolla të hiqet. Ky përbërës përdoret më së miri kur njolla është ende e lagur ose është shfaqur së fundmi, pasi soda e bukës do të nxjerrë lagështinë nga rrobat.

Sapun enësh dhe vaj eukalipti

Sapuni i enëve është i njohur për fuqinë e tij për heqjen e yndyrave. Nga ana tjetër, vaji esencial i eukaliptit ka veti antiseptike, një aromë freskuese dhe njihet për aftësinë e tij për të neutralizuar aromat. Prandaj, përdorimi i këtyre dy përbërësve së bashku mund të neutralizojë njollat me erë të keqe të yndyrës në rrobat tuaja.

Përzieni një çerek filxhani sapun enësh me një lugë çaji vaj eukalipti për të krijuar një shkumë të pasur dhe pastroni butësisht njollën me një furçë dhëmbësh. Lëreni përzierjen të qëndrojë për rreth tre orë, duke i dhënë kohë sapunit të enëve që të shpërbëjë yndyrën. Ndërkohë, aroma e vajit të eukaliptit do të përshkojë pëlhurën, duke siguruar një aromë të pastër dhe të freskët.

Pas njomjes, transferojini rrobat në makinë larëse dhe lajini si zakonisht, duke përdorur ujin më të nxehtë të sigurt për pëlhurën. Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa sapuni i enëve dhe vaji i eukaliptit janë efektivë, ato duhet të përdoren me moderim për të parandaluar që mbetjet të mbeten në rrobat tuaja. /Telegrafi/