Trepça ka siguruar kualifikimin në finalen e madhe të play-offit të Superligës së Kosovës në basketboll, pasi e mposhti Pejën edhe në ndeshjen e katërt gjysmëfinale me rezultat 103-96, duke e mbyllur serinë me 3-1.

Ndeshja në Pejë dhuroi spektakël dhe ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që shënuan shumë, por në fund mitrovicasit u treguan më të qetë në momentet vendimtare dhe e menaxhuan më mirë epërsinë.


Ndeshja e së dielës ishte interesante. Skuadra pejane e fitoi çerekun e parë me rezultat 32:24. Por skuadra e verdhë sikur u ndal në çerekun e dytë, të cilin Trepça e fitoi me plot 20 pikë dallim, 34:14. Pas pjesës së parë rezultati ishte 58:46 në të mirë të “xehetarëve”.


Çereku i tretë përfundoi 23:22 për Pejën, ndërsa rezultati pas 30 minutave ishte 80:69 në të mirë të Trepçës.

Peja megjithatë nuk u dorëzua. 1 minutë e 25 sekonda para fundit u afrua në vetëm një pikë, 92:91.

Dardan Kapiti më pas realizoi dy gjuajtje të lira për 94:91. Peja në anën tjetër të fushës dështoi në tentim për tri pikë, ndërsa Sek Henry realizoi treshe, 32 sekonda para fundit për 97:91. Kështu ndeshja u mbyll, ndonëse u shënuan edhe pikë të tjera.

Trepçën drejt fitores e udhëhoqi Vining me 24 pikë, ndërsa kontribut të madh dhanë edhe Hasbrouck dhe Henry me nga 18 pikë, si dhe Kapiti me 15 pikë.

Te Peja, më i dalluari ishte Bracey me 31 pikë, ndërsa Dardan Berisha realizoi 24 pikë, por paraqitjet e tyre nuk mjaftuan për ta çuar serinë në ndeshje të pestë.


Me këtë triumf, Trepça e pret tani finalen e madhe, ku synon ta kurorëzojë sezonin me titull kampioni. /Telegrafi/

telegrafi sport app