Tre top klube angleze kanë gati 100 milionë euro për Olisen

Michael Olise po konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bayern Munich.
Anësori francez, i transferuar verën e kaluar nga Crystal Palace për 53 milionë euro, ka shkëlqyer me paraqitjet e tij, duke tërhequr interesin e gjigantëve evropianë.
Fillimisht, për të kishte shfaqur interes Paris Saint-Germain, por sipas “Sport Bild”, tani në garë janë futur edhe tre gjigantë nga Liga Premier: Manchester City, Liverpool dhe Chelsea.
Këto klube janë të gatshme të ofrojnë shifra që arrijnë deri në 100 milionë euro për ta siguruar shërbimet e tij.

Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të lejojë largimin e yllit të ri. Drejtori sportiv Max Eberl ka qenë i qartë se nuk duan të dëgjojnë për largimin e sulmuesit francez.
“Olise ka ende më shumë se tre vjet e gjysmë në kontratë. Do të bëhet gjithnjë e më vendimtar për lojën e Bayern dhe do të formësojë të ardhmen e këtij ekipi. Nëse varet nga ne, sa më gjatë aq më mirë", tha Eberl.
Gjithsesi klubet angleze pritet që në verën e vitit të ardhshëm të testojnë Bayernin me oferta të majme. /Telegrafi/




















































