LAJMI I FUNDIT:

Tre të rinj akuzohen për hakim të llogarive të personaliteteve të njohura në Twitter

Tre të rinj akuzohen për hakim të llogarive të personaliteteve të njohura në Twitter

Dy adoleshentë dhe një 22-vjeçar janë akuzuar për hakim të llogarive të personaliteteve të njohura në rrjetin social, Twitter, përfshirë atë të ish-presidentit amerikan, Barack Obama, miliarderit, Bill Gates dhe shefit ekzekutiv të kompanisë Tesla, Elon Musk, ka thënë Departamenti amerikan i Drejtësisë të premten.

Mason Sheppard, 19-vjeçar nga Britania është akuzuar për kryerje të sulmit kibernetik, si dhe për krime që lidhen me pastrim të parave, është thënë në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.


Nima Fazeli, 22-vjeçar nga Orlandoja, është akuzuar për ofrim të ndihmës në këto krime.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka identifikuar të pandehurin e tretë, ndonëse Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të qarkut Hillsborough në Tampa ka thënë se është arrestuar edhe një 17-vjeçar.

Gjiganti Twitter ka thënë përmes një deklarate se vlerëson “veprimet e shpejta të zyrtarëve për zbatim të ligjit”.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI), ka thënë se dy të akuzuar janë në mbajtje, por nuk ka treguar se për kë bëhet fjalë.

Kur hakerët kanë sulmuar llogaritë e personaliteteve të njohura ditë më parë, ata u kanë kërkuar përdoruesve që të dërgojnë monedha digjitale Bitcoin. /REL/