Mesfushori spanjoll Marc Casado është vënë në shënjestër nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane dhe thuhet se është i hapur për t’u larguar nga Barcelona gjatë kësaj vere.

Liverpool, Chelsea dhe Bayer Leverkusen kanë nisur lëvizjet për të siguruar shërbimet e tij, duke përfituar nga pasiguria që ekziston rreth rolit të Casados në ekipin e parë. Ai e vlerëson kohën e kaluar në klub, por po mendon gjithnjë e më shumë për një ndryshim, në kërkim të më shumë hapësire dhe stabiliteti.


Ngjitja e tij në skuadrën e parë ishte e menjëhershme, duke kaluar nga lider i Barcelonës B në pjesë të rëndësishme të planeve të trajnerit Hansi Flick. Performancat e mira e vendosën në qendër të vëmendjes, por një dëmtim në gju dhe konkurrenca e fortë në mesfushë e lanë jashtë në fundin e sezonit.

Prania e emrave si Frenkie de Jong, Gavi, Eric Garcia dhe Marc Bernal tashmë i rikuperuar e ka vështirësuar ndjeshëm pozitën e tij. Edhe pse stafi teknik e vlerëson, mungesa e minutave dhe dëshira për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës 2026 po e shtyjnë ta konsiderojë largimin.

Klubet e interesuara kanë dërguar tashmë oferta që arrijnë deri në 40 milionë euro. Presidenti Joan Laporta nuk e ka përjashtuar një shitje të mundshme, por ka kërkuar që situata të vlerësohet me kujdes, në varësi të planeve të trajnerit për sezonin e ardhshëm.

Gjithçka do të varet nga hapësira që Marc Casado mund të ketë në projektin e ri të Barcelonës. Nëse nuk i garantohet një rol më aktiv, atëherë një transferim jashtë Spanjës bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Ndërkohë që e ardhmja e tij është ende e paqartë, emri i Casado-s vazhdon të qarkullojë me forcë në tregun evropian dhe duket se kjo verë mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në karrierën e tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app