LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimia muzikore e Gjon Kujxhisë dhe… qokat kulturore

Trashëgimia muzikore e Gjon Kujxhisë dhe… qokat kulturore

Gjon Kujxhia vdiq i ri. I ri fort, 23 vjeç. Bombardimeve ajrore të 25 shtatorit të vitit 1943 nuk qe e thënë t’i shpëtonte edhe banesa e tij në Firence dhe aty iu këput fryma e fundit, djaloshit shqiptar nga Shkodra, student për muzikë asokohe, në Konservatorin “Luigi Cherubini”.

Simbas përshkrimeve të miqve të tij bashkëstudentë shqiptarë atje, copat e materialit prej bombardimit rrënimtar e zunë përfundi, me fletoret e pentagrameve hapur, duke punuar në dhomën e tij. Vdekja e mori për vete Gjonin e ri, në kulmin e moshës e të muzës dhe la pezull këndej në botën tonë, andrrat edhe punët e tij të bukura dhe shumë serioze .


Gjon Kujxhisë “kanga i a përsolli jeten mbi kët shekull plot me lot, prej djepit n’arkivol”, shkruan Ernest Koliqi, njëzet vjet më vonë (“Shejzat” [Le pléiadi], rivista culturale,sociale ed artistica, Roma 1963). I lindur dhe i rritur në një familje qytetare të kulturuar e në një mjedis artistik siç ishte ai i “Gjuhadolit” të kohës me njerëz të dhënë në shumicë pas së bukurës e artit ku, vetëm njerëzit e familjes së tij formonin një orkestrinë mandolinatë (e përbame prej mandolinash), geni i tij qe kultivuar e lëmuar shumë shpejt.

Aty, në atë oazë të Shkodrës e prej vetë atyre luheshin jo vetëm pjesë nga melodramat e kompozitorit të talentuar dom Mikel Koliqi, i cili më pas do të kalonte nëpërmes fundit të ferrit të burgjeve të regjimit dhe më së mbrami në amshim do të nisej me petkun e Kardinalit… Por luheshin e këndoheshin aty edhe këngë nga Schuberti si “Serenata” etj. a “Va pensiero” e Verdit. Luheshin gjithashtu dhe pjesë nga të tjerë autorë të mëdhenj botëror, si: Bach, Handel, Beethoven, Schubert etj.

Grupit familjar të Kujxhijve iu shtuan edhe djem e vajza të lagjes “Gjuhadol”. Gjoni ishte shpirti i shfaqjeve që jepeshin aty. Falë këtij formimi po edhe talentit si dhunti, ai arrin shpejt të realizojë vepra që mbesin. Në këtë moshë, ende të re gjithashtu për t’u shënuar, ai la dy sosh, shumë të vlerta edhe sot. Me interes për t’u e studiuar e analizuar edhe në rrafshe akademike të fushës së muzikologjisë. E para ‘Valle kombëtare’ vol. I, u botua prej tij, atje në Firence, në qershorin e 1943-shit. Fillimisht në pak kopje. Me dëshirën për t’i shpërndarë ato kopje ndër miq e mbasi të mblidhte përshtypjet e vlerësimet e tyre, me e ribotue, të qortuar e të plotësuar librin.

Kurse, vëllimi i dytë, për mbas fatit tragjik të autorit, nuk arriti të dalë, por mbeti pezull. Fati i librit të dytë shkoi deri tek shënimi në kopertinën e librit të parë: “Nga i njejti auktuer per se shpejti do të dalë nga shtypi libri Kangë popullore hengu shkodranë, vol. I. Këndue nga kangatari i njoftun shkodran Zot. Nush Bushati”. Bile, Tonin Harapi, njëri prej atyre muzikantëve të shquar shqiptarë, njohës shumë i mirë sidomos i këngës qytetare shkodrane, ai, që simbas Kolë Gurashit “i ka shti në nota muzikore për me mbet t’pa vdekshme kangët e vjetra t’ahengut shkodran” do të shkruante më 1991: “Ka që pohojnë se Gjon Kolë Kujxhija ka mbledhë dhe përgaditur për botim atëherë edhe këngët e ahengut shkodran dhe i ka dhënë për shtyp, por deri tashti nuk dimë asgjë për fatin e tyre” (Gjon Kolë Kujxhija-editimi Eno Koço, 2018)… Ndërsa, nga muzikologu Mustafa Kantja, vjen dëshmia e publikuar në “Bashkimi i kombit” (24 shtator 1944)”… “Kishte qenë shkrue që ato dy vepra të mbeteshin si përmendore e këtij artisti të pafat”.

Përgjatë kohës së regjimit të shkuar, Gjon Kujxhija mbeti jashtë përmendjes dhe vepra e tij, ajo e botuara e tjetra në dorëshkrim, natyrisht e pavlerësuar dhe thuajse e përhumbur dhe e tretur. Ashtu siç ka ndodhë në përgjithësi me vlerat e vërteta, që si rregull qenë të papërshtatshme për shijen e rrejshme (preferenciale, propagandistike) të regjimit. Muzikologu Harapi vetëm në vitin 1991 mundet ta kërkojë “melhemin” (ilaçin) për të shëruar plagën e harresës dhe përhumbjes së qëllimtë të asaj çfarë la Gjon Kujxhija. Një prej vlerave të njëmendta të artit dhe kulturës sonë dhe trashëgimisë së saj, siç e pohojnë zëplotë muziktarët e njohësit më në zë zë të këtij vendi…

Këto ditë, të dy veprat vlerësuar si monument të muzikologjisë shqiptare e si një trashëgimí e vyer do t’i paraqiteshin lexuesit të dëshiruar si një botim serioz, edituar nga Eno Koço. Në sallën e Akademisë së Shkencave, në një pjesëmarrje gjithashtu të dëshiruar, me persona të interesuar e të dashuruar me vlerat e trashëgimisë sonë, ishin ata që donin shumë të ishin. Të dy veprat në një vëllim, kuruar bukur me shënimet dhe vlerësimet e epërme bërë nga muziktarë e njerëz të kulturuar të bashkëkohësisë së Gjonit. Dhe, plot të tjerë pasues ishin gjithashtu aty, mbas ftesës plot përunjësi e të njerëzishme të Nikolin Kujxhisë, nipit e familjarëve që e kishin mbështetur gjithçka me financat modeste familjare…

Në sallë nuk ishte asnjë zyrtar i kulturës qoftë edhe ndonjëri i rangut të tretë, të Ministrisë së Kulturës. Entit të detyruar me ligj për evidentimin, ruajtjen e mbarështimin e trashëgimisë kulturore! Siç nuk kishte qenë askush prej tyre kur dashamirët e Martin Camajt përkujtonin atë dhe veprën e tij të shënuar si vlerë e shënuar e letërsisë sonë. Sakaq Zonja ministreshë në faqen elektronike të institucionit që drejton, nuk mënon të na përditësojë vëmendjen tonë me kalendarin e gjithfarë qokash që u bëhen prej aty miqve dhe miqve të miqve… Kurse shefi i saj, kryeministri ynë, surprizues si gjithnjë, qokën e fundit një mikut të tij artist ia bën duke i… recituar poezi nga libri i sapobotuar. Në një audiencë aq të lartë publike që Zotëria posedon. Për shkak të postit, sigurisht… Ndërsa, ndër pesë vitet e tij kryeminstrore unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë t’ia përmendë emrin, së paku Poetit Kombëtar, Gjergj Fishta. Jo domosdo si parapëlqim, po një detyrimin e vet si i pari i punëve në këtë vend.