LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimi e errtë

Trashëgimi e errtë

Serbët protestojnë kudo. Në Belgrad dhe viset provinciale nga Rashka e në veri. “Kundër diktaturës” – është moto dhe kauzë e tyre. Natyrisht, kjo është çështje e brendshme serbe, por nga njëlloj ndjeshmërie europaine, le të thuhet: ata kanë të drejtë.

1.


Askund në botën e lirë, si në Ballkan, nuk ndodh që kierarkët politikë të lëvizin anasjelltas: herë në krye të guvernës, e herë në ballë të shtetit në rotacionin e paprerë. Nuk i limiton dot as ligji, si në Amerikën e bekuar dhe as praktika e mirë, si në Europën e ëndrruar. Veçse Ballkani nuk është i lirë: ligji dhe praktikat e tillë mondane janë akoma të huaja për shpirtin e tij politik.

2.

Kjo është e përgjithshmja e Gadishullit fatkeq dhe, tutje, e krejt hapsirës së mugët deri larg në vendlindjen e diellit. Mirëpo, ky njeri me emrin Vuçiq, që posa absolutizoi fuqinë pushtetare në Serbi, ka dhe të veçantën e vet. Ishte shpresë ideologjie dhe pinjoll i devotë i aksit të errtë infernal Millosheviq – Sheshel, që do ti banojnë, më pas, si kriminelë çelitë e Sheveningenit. I pari do të vdesë aty, kurse tjetri gati u kalb e mori emblemën e zezë për gjithë jetën.

3.

Diktaturë nuk quhet vetëm njëpartizmi ose simbioza dhunëtare Parti-Shtet: fashiste, komuniste a juntiste…Gjermania e Führerit, kur ylli i tij ngjitej, nuk pat suspenduar demokracinë formale – dje, apo idhujtari Putin që i bëri uratën – sot. Madje, as Sllobodani, prijësi i tij frymëzues me të cilin i përkisnin bashkë njëj vëllezërie politike, përfillte, anise cinikisht, formën parlamentate të rendit shtetëror.

Të gjithë, ndaj, do të rezultonin fitues zgjedhjesh me votën e lirë. Por nëse kishin korrektësi me legalitetin, ishin në konflikt të thellë me legjitimitetin. Sepse është doktrina gebëlsiste e terrorit, trilleve dhe mashtrimit që i mbjellë frikën e shplan trurin vdektarit të thjeshtë. Tashmë edhe fëmijët, gati si në legjenda, e dijnë historinë e përgjakur të tyre.

E biografia e kryeparit të posavluar të Dedinjes, ka pikërisht këtë tizgë gjaku të huaj që kullon n’për rrjeshtat e saj..!