LAJMI I FUNDIT:

Tranzicioni në Kryeqytet

Tranzicioni në Kryeqytet

Asdren Osaj

Ligji për Kryeqytetin, i aprovuar në vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, Komunës së Prishtinës ia ndërron statusin nga Komunë në Kryeqytet të Shtetit. Prishtina deri me tash nuk e kishte këtë rol të rregulluar me ligj, ndonëse një gjë të tillë e kërkonte Kushtetuta e Republikës së Kosovës që nga viti 2008. Prishtina ishte e vetmja qendër administrative e një territori të shpallur shtet qysh para 11 viteve, që luante rolin e kryeqytetit, por që nuk e ka gëzuar statusin e tij.


Është bërë politike dhe garë elektorale e madh me fatin e Prishtinës. Në Prishtinë janë thyer shtizat e politikes ditore të partive të ndryshme politike. Prishtina ka qenë e dashur për partitë, veçmas për ato që kanë qeverisur me Qeverinë qendrore vetëm gjatë fushatave elektorale. Investimet e nivelit qendrore në Prishtinë, nga paslufta e këndej, nuk i tejkalojnë qindra e mijëra euro. Këtu nuk llogarisë investimet në projekte që ligjërisht janë nën menaxhimin e Qeverisë qendrore, llogarisë investimet në infrastrukturën e brendshme të qytetit.

Prishtina, duke shkelur edhe Kushtetutën e vendit, është sakrifikuar për interesa politike, dhe kjo i ka kushtuar në infrastrukturën e saj, mirëqenien dhe statutin e saj. Ndonëse ishte qyteti me i madh i vendit, ku barte barrën e rehabilitimit të të gjitha institucioneve të shtetit, por edhe të përfaqësive diplomatike të akredituara në Kosovë, Prishtina kishte kompetenca dhe përgjegjësi ligjore me pak se sa një komune me 5-6 mijë banorë, veçmas shumë me pak se sa një komunë ku shumicë ishin komunitetet jo shumicë.

Në Prishtinë nuk janë investuar me shumë se 200-300 milionë euro, që nga përfundimi i luftës, përfshirë këtu të gjitha sferat që ishin në kompetencë të komunës. Buxheti komunal për investime kapitale mesatarisht është sjellë nga 10, 15 e deri 25 milionë euro (nga të hyrat vetanake), që në total në terë këto vite të pasluftës nuk tejkalon buxhetin vjetor për ndërtimin e cilësdo autostradë që është ndërtuar në Kosovë. Kujtojmë që Qeveria obligimin vjetor ndaj kompanisë ndërtuese të autostradës e ka pas nga 150 milionë në 250 milionë euro, varësisht nga viti dhe vëllimi i punëve të kryera.

Prishtina është i vetmi qytet, tash kryeqytet në botë, që nuk ka transport të rregullt të udhëtarëve, nuk ka unaza që i japim frymë qendrës se qytetit, mos të flasim për metro apo tramvaj. Nuk ka trotuar dhe shtigje për çiklist dhe këmbësor. Prishtina është qytet/kryeqytet ku mungon infrastruktura e duhur për zhvillimin edukimit dhe arsimit të brezave të rinj.

Sot 11 vite pas luftës, ende ka mungesë të hapësirës shkollore, e mos të flasim për mungesën e kopshteve për fëmijë dhe strehimore për pleq. Se për strehimore për të pastrehët, që çdo ditë i shohim në rrugë as që është bërë fjalë ndonjëherë. Të gjitha këto, me një buxhet prej 25 milionë euro për investime kapitale, një qytet/ kryeqytet siç është Prishtinë, i dal i dërrmuar nga lufta, ka qenë e pamundur t’i bëj pa një mbështetje të sinqertë nga Qeveria Qendrore, gjë që s’ka ndodhur dhe ende s’po ndodh.

Prishtina në këto vite të pasluftës është përballur me një kaos, qoftë në infrastrukturë, qoftë në ofrimin e shërbimeve. Me kujtohet një kohë kur Komuna kish nevojë për asistencë policore për ta kryer një shërbim të saj, e në vend që të dërgoheshin njësit e rregullta policore, dërgoheshin njësit elite, speciale, ta merr mendja që po futemi në luftë. Veçmas kjo ka ndodhur nëpër aksionet për respektimin e orarit të punës nëpër kafiteri, klube dhe diskoteka. Ishte situatë trishtuese, si për qytetarët po ashtu edhe për vet pjesëtarët e policisë futja me arme të gjata brenda një lokali. Kjo ndodhte për faktin se Prishtina është ende i vetmi qytet/kryeqytet që s’e ka Policinë e Kryeqytetit

I vonuar, i përcjellë prapë me boshllëqe që do të vazhdojnë të pengojnë punën e Prishtinës, tash se fundi është aprovuar Ligji për Kryeqytetin i njohur si Ligji i Prishtinës, ligj ky i iniciuar pothuajse qysh para tetë viteve nga ish-administrata komunale e Prishtinës. Ligji i tanishëm në finesa ndryshon nga ai i propozuar para 8-9 viteve.

Kur jemi të zbatueshmeria e këtij ligji dhe nxjerrja e akteve të tjera nënligjore, e kam përshtypjen se më së miri kohëzgjatjen e funksionalizimit të Prishtinës, si kryeqytet, e përshkruan ajo thënia e njohur: “Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i terë”.

Ligji tashmë Kryeqytetit i jepet një grant shtesë në lartësinë jo më pak se gjashtë për qind e grantit të përgjithshëm të komunave, të përcaktuar në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, nga buxheti i Kosovës për secilin vit fiskal. Prishtinës buxheti vjetor i shtohet afërsisht 8.1 milionë euro, shumë simbolike për një qytet nëse granti i përgjithshëm vjetor për të gjitha komunat është mbi 130 milionë euro – pa llogaritur këtu fondet e grantit specifik për shëndetësi, arsim, shëndetësi sekondare dhe grantin për financimin e shërbimeve rezidente.

Ligji për Kryeqytetin i jep të drejt Kryeqytetit të ofrojë shërbime shëndetësore dytësor, d.m.th. ia njeh të drejtën Prishtinës që të themelojë Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit, çka bën që shërbimet për qytetarë të jenë të me shpejta dhe me cilësore.

Ndonëse, me kufizime të mëdha, Ligji i ri i jep me shumë kompetencë Kryeqytetit në fushën e sigurisë publike. Policia bazuar në këtë ligj themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.

Kryetari i Kryeqytetit, pas aprovimit nga Kuvendi i Kryeqytetit, i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë minimumin e kandidatëve për drejtorë të Drejtorisë së Policisë për Kryeqytetin dhe Kuvendit të Kryeqytetit ia jep të drejtën të kërkojë nga drejtori i Policisë së Kryeqytetit, raporte, informata rreth gjendjes se sigurisë në kryeqytet.

Ajo çka konsideroj që është e tepruar dhe që ky ligj ia mundëson Ekzekutivit të qytetit, është rritja e stafit politik brenda administratë se kryeqytetit. Ligji i ri i përcakton dy nënkryetarë të kryeqytetit, çka mendoj që është e tepërt, sepse nuk ka kushte dhe punë për dy nënkryetarë përveç krijimit të kostos shtesë.

Ligji i lejon kryetarit të komunës që të angazhojë pesë këshilltarë politikë. E konsideroj këtë të panevojshme kur edhe drejtorët e drejtorive komunale janë të emëruar politikë të kryetarit dhe, në njëfarë forme, përveç që janë zbatues të programit dhe politikave të kryetarit janë edhe këshilltarët me të mirë të tij, meqë përballen me punët ditore të administratës. Emërimi i pesë këshilltarëve të rinj do të jetë ngarkesë buxhetore dhe një rast i mirë për rehabilitimin e stafit partiake brenda administratës se kryeqytetit.

Kompetencat dhe përgjegjësitë e reja për kryeqytetin të shkruar në ligj, deri tash nuk kanë filluar të shohin dritën e zbatimit të tyre nga të dy palët, as nga ekzekutivi i kryeqytetit e as nga ai qendror. Nuk ka ndonjë iniciativë, të paktën jo publike, për themelimin e departamentit të veçantë në kuadër të policisë për kryeqytetin; nuk ka ndonjë iniciativë dhe plan konkret për fillimin e ndarjes së gjashtë-përqindëshit.

Ligji u bë, kompetencat diku me pak diku me shumë u shtuan, buxheti diku me pak diku me shumë po shtohet, e tash është mbetet veç me pasë kush me punu për kryeqytetin dhe banorët e tij. E, duke e parë që të gjithë ne jemi të sterngarkuar me politikat madhore të shtetit, kam frikë se tranzicioni nga Komunë në Kryeqytet do të zgjas nëse jo me shumë, aq sa ka zgjat draftimi dhe aprovimi i këtij ligji mbi një dekadë.