Kosova po shkon në zgjedhje, por për çfarë?

Zgjedhjet e reja do të mbahen më 7 qershor. Por, për çfarë?
Zgjedhje për ta mbrojtur Kushtetutën, zgjedhje për të mos e lënë Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje të kapë krejt pushtetin?
Zgjedhje për të fituar përsëri Albini, për t’u dobësuar Vetëvendosje, për të fituar PDK-ja ose LDK-ja me apo pa Vjosa Osmanin, apo zgjedhje për ta ndarë pushtetin?
Këto sot janë diskutimet kryesore se pse po shkojmë sërish në zgjedhje.
Por, a kanë mbetur zgjedhjet peng i riciklimeve me të njëjtët emra? A është kjo krizë apo ka diçka më shumë?
Sa herë që përmenden zgjedhjet e reja në Kosovë, pritshmëritë janë për ndryshim. Por, realiteti na kthen gjithmonë në të njëjtën pikë, te të njëjtët emra, të njëjtat premtime, të njëjtat përplasje.
Dhe, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por çfarë ndryshon realisht.
Prej vitesh, Kuvendi i Kosovës funksionon si një cikël i mbyllur. Figurat riciklohen, herë në pushtet, herë në opozitë, por struktura politike mbetet e pandryshuar. Ndryshojnë deklaratat, jo mënyra e të bërit politikë. Ndryshojnë sloganet, jo qasja.
Në këtë kontekst, ajo që pengon më së shumti nuk është vota e barrikaduar, por alternativa.
Në vende të tjera të rajonit dhe Evropës, skena politike është transformuar prej figurave apo iniciativa të reja që kanë dalë jashtë kornizave tradicionale. Në Hungari, Péter Magyar ka sfiduar sistemin nga brenda. Në Shqipëri, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj apo Arlind Qorri po përpiqen të krijojnë alternativa të reja politike. Në Mal të Zi, lëvizja “Evropa Tani” ka ndryshuar balancat politike brenda një kohe të shkurtër.
Kosova, ndërkohë, vazhdon të sillet rreth të njëjtave figura dhe të njëjtave narrativa.
Ky nuk është vetëm problem i partive politike. Është edhe reflektim i mungesës së presionit për ndryshim. Dhe, këtu lind dilema kryesore: a është shoqëria gati për një alternativë të re, apo jemi rehatuar me këtë cikël të pafund?
Në këto zgjedhje ne do të shohim vetëm akuza e kundër-akuza, jo alternativa. Akuza dhe kundër-akuza për “kapje” e “çkapje” të institucioneve. Akuza për tenderë, korrupsion e skandale ...
Zgjedhjet e reja nuk duhet të jenë vetëm një proces, ato duhet të jenë moment reflektimi për partitë, por edhe për votuesit.
Sepse, nëse gjithçka mbetet njësoj, atëherë problemi nuk është më vetëm te politika.
















































