LAJMI I FUNDIT:

Trajnim dyditor në Prishtinë me Ermal Mamaqin: Mendo, përcakto, ndrysho dhe vepro!

Trajnim dyditor në Prishtinë me Ermal Mamaqin: Mendo, përcakto, ndrysho dhe vepro!

Ermal Mamaqi i njohur si businessman, showman, aktor, producent, këngëtar, komedian i suksesshëm, së fundmi po ushtron edhe një profesion tjetër, atë të trajnerit të motivimit.

Me moton “Mendo – Ndrysho – Fito”, showman-i Mamaqi pritet të mbajë sërish në Prishtinë një trajnimin dyditor më 10 dhe 11 dhjetor në “Golden Imperial”.


Mamaqi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se ky trajnim është i ndërtuar në katër boshte: mendo, përcakto, ndrysho dhe vepro.

Ermal Mamaqi gjatë intervistës për Telegrafin me gazetaren, Elfije Boletini /Foto: Ridvan Slivova/

Ai u shpreh se qëllimi i trajnimit me moton “Mendo – Ndrysho – Fito” është që njerëzit të ndalojnë dhe të mendojnë për atë që duan të arrijnë në jetë.

“Mendoj që ky ka qenë zbulimi im, dhe për mua kjo ka qenë një formulë, pjesa e kësaj motoje ‘Mendo-Ndrysho-Fito’. Trajnimi im ka katër boshte, që është: mendo, përcakto, ndrysho dhe vepro. E kam përmbledhur në këtë frazë ‘Mendo-Ndrysho-Fito’, sepse në momentin që njerëzit duan të arrijnë diçka, gjithmonë janë të prirë sa më parë ta marrin atë. Por, ajo që ju them njerëzve është: Stop-Ndalo! Dhe, mendoj që kjo moto mund të shërbejë për çdo lloj projekti, për çdo lloj momenti të jetës, për çdo lloj niveli, statusi”, ka thënë Mamaqi.

Sipas tij, qëllimi i përbashkët i të gjithë njerëzve përkthehet me një emërues të përbashkët, e ajo është: rritja-zhvillimi-pozitiviteti-mendimi dhe energjia pozitive.

“Në një sallë me 1,500 veta kanë të gjithë një emërues të përbashkët dhe kjo është: rritja, zhvillimi, pozitiviteti, mendimi pozitiv, energjia pozitive. Magjia që ndodh në këtë sallë, është energjia që krijohet nga këta njerëz që bashkëveprojmë. Besoj që ne jemi energjia, besoj që nëse do të kishim aftësi, pra nëse truri ynë do të kishte aftësi për të parë çdo trup të personave që na rrethojnë dhe objekteve, besoj që çdo gjë rrethohet nga një aureolë”, tha tutje ai.

Businessman, showman, aktor, producent, këngëtar, komedian i suksesshëm, trajner motivimi, Ermal Mamaqi /Foto: Ridvan Slivova/

Mamaqi gjatë intervistës për Telegrafin, po ashtu theksoi se pjesëmarrësit në trajnimet e tij, kur hyjnë për herë të parë “tronditen”. Kjo pasi, siç sqaroi ai, trajnimet e tij dallojnë nga ato me formula strikte dhe të pandryshuara.

“Njerëzit nga trajnimet e mia, hera e parë kur futen aty, tronditen. Sepse presin që të futen në një seminar ku flet një zotëri i moshuar, serioz, me kollare dhe njerëzit rrinë duke shënuar dhe i zë gjumi. Kurse kur futen aty është black out. Është errësirë, ka drita diskoteke, ka muzikë, Dj, ka balerina në skenë dhe njerëzit kërcejnë, këndojnë, bërtasin, qeshin nga fillimi deri në fund, qajnë… E të gjithë këtë koktej ndjenjash, që ndodh në dy ditë në një trajnim anormal, sepse kështu i quaj të gjithë njerëzit që vijnë aty, janë anormal, sepse normal is boring”, shpjegoi showmani, Mamaqi.

Gjatë intervistës ai tha se pjesëmarrësit në këtë trajnim dyditor do të dëgjojnë histori të ndryshme, ku do të kenë një ndërlidhje të lotëve dhe gëzimit.

“Në këto dy ditë trajnimi, njerëzit nuk e kuptojnë se si ikin 12 orët gjatë ditës. Ka shumë histori në këtë trajnim, E, pjesa më e madhe janë histori të jetës time. Aty tregoj se si një person i varfër që ka talente ose jo, pa ditur se ku do të shkojë, mund të transformohet dhe të bëhet një person që të ndikojë në jetët e njerëzve dhe të ketë lumturi, pasuri, pushtet… Mendoj që njerëzit duan të dëgjojnë një fjalë nga dikush si ata”.

Businessman, showman, aktor, producent, këngëtar, komedian i suksesshëm, trajner motivimi – Ermal Mamaqi /Foto: Ridvan Slivova/

Ai po ashtu i siguron pjesëmarrësit se në këtë trajnim ata do të prekin “pika të larta emocionale”.

“Unë siguroj që njerëzit në këtë trajnim do të shkojnë në një pikë, stad, në një gjendje të largët emocionale dhe për herë të parë ata do të prekin zona që nuk i kanë prekur më parë. Dhe kjo ka për t’i bërë ata, që pasi të përfundoj trajnimi, që të fillojnë diçka që kanë vite që duan ta bëjnë dhe nuk po e bëjnë dot. Ose t’i bëjë ata që ta ndalojnë atë që janë duke e bërë prej vitesh, pasi po ia  merr jetën, po ia shkatërron jetën. Në këtë dy ditësh, unë sigurohem që pasi ata të ikin, a kanë ndonjë plan të qartë për gjërat që duan të bëjnë, që duhet të bëjnë, si t’i bëjnë dhe cili person do të jenë ata pas pesë vitesh dhe si duhet të transformohet ky personi që pas pesë vjetësh ta meritojë këtë qëllim, që do marri”, theksoi Mamaqi.

Tutje ai tregoi se në këtë trajnim do të jetë bashkë me mikun e tij, i cili është mjeshtri i meditimit, Sheki Useini.

“Kam krijuar një kompani për zhvillimin personal dhe po ecën shumë mirë. Mendoj që është momenti që shqiptarët të kenë një mundësi në këto trajnime dhe të ketë një dritare ku ata të mësojnë se si të organizojnë mendimet personale dhe profesionale. Pasi trajnimet janë dhe për busines master, dhe nuk jam unë i vetmi trajner. Në këtë trajnim do të jetë edhe Sheki Useini. Ai është një mik imi shumë i mirë dhe një mjeshtër meditimi. Ai ka ekipin e vet të trajnimeve, por mendoj që në këtë trajnim do të ketë jo vetëm njerëz që kanë shqetësime të momentit. P.sh. duan të marrin jetën nën kontroll, ose duan të menaxhojnë mendimet e tyre, pasi mendja zakonisht i punon në një gjendje negative… Në këto evente që ne bëjmë, në përgjithësi sallat janë plotë”

Ermal Mamaqi gjatë intervistës për Telegrafin me gazetaren, Elfije Boletini /Foto: Ridvan Slivova/

Mamaqi  tregon për rezultatet që pret nga ky trajnim.

“Pres rezultate pas trajnimit. Shitjet janë shumë të larta e kërkesat edhe më të larta. Mendoj që do të vijë një moment shumë shpejt që ky trajnim do të mbahet në stadium”, potencoi ai.

I pyetur se nëse pjesëmarrësit nuk do të ndahen të kënaqur nga trajnim, a do të ketë kthim të mjeteve, Mamaqi tha: “ne u japim njerëzve një lloj garancie. Kaq konfidentë jemi për efektin dhe për kualitetin e këtij trajnimi, sa që i themi të gjithë njerëzve që të blejnë këtë biletë (pasi bileta është e shtrenjtë). Hajdeni në trajnim – por duhet ta vërtetosh që ke ardhur në trajnim, të vish dhe ta bësh trajnimin dyditor deri në fund. Nëse trajnimi nuk të pëlqen, vjen të nesërmen, ditën e hënë dhe thua ‘nuk më pëlqeu trajnimi’ dhe ne të kthejmë lekët 100 për qind pa bërë asnjë pyetje”.

Ndërsa mesazhi i tij për njerëzit që duan të bëhen pjesë e këtij trajnimi, është: “Jeta jonë është një udhëkryq i vazhdueshëm dhe definohet nga zgjedhjet që ne bëjmë. Shumë njerëz bëjnë zgjedhje të gabuara. Pavarësisht se këto zgjedhje të gabuara na bëjmë që të mësojmë dhe të rritemi. Për njerëzit që po ndihen keq për jetën që po bëjnë, u them se, nëse ndiheni keq, diçka brenda teje po të thotë se ‘ti mund të bësh më shumë, mund të kesh më shumë, ti mund të jesh më shumë’. Mënyra më e mirë për ta shikuar të ardhmen është ta krijojmë dhe për ta krijuar është ta vizualizojmë. Ju pres në maje të suksesit, në 10 dhe 11 dhjetor, në Prishtinë”, tha ndër të tjera Mamaqi për Telegrafin.

Businessman, showman, aktor, producent, këngëtar, komedian i suksesshëm, trajner motivimi, Ermal Mamaqi /Foto: Ridvan Slivova/

Duhet të jesh pjesë e MENDO NDRYSHO FITO nëse:

-Je i/e paqartë për të ardhmen dhe do të bësh një plan për jetën

-Je i pafokusuar dhe i pamotivuar për më shumë

-Marrëdhëniet me njerëzit në jetën tënde nuk po shkojnë shumë mirë

-Dëshiron të marrësh ide dhe të njohësh njerëz të rinj

-Ke nevojë të mendosh më pozitivisht

Këto dhe shumë të tjera benefite mund t’i marrësh në sallën e MENDO NDRYSHO FITO, ku jo vetëm që do marrësh energji të mirë, do njohësh njerëz pozitivë, por mbi të gjitha do motivohesh për të VEPRUAR dhe do marrësh atë shtysën për të cilën ndoshta kishe nevojë.

Eventi i rradhës do zhvillohet në Prishtinë më 10 & 11 dhjetor.

KLIKO KËTU për të marrë biletën tënde! /Telegrafi/