LAJMI I FUNDIT:

Trafikimi me qenie njerëzore, Murati: I lartë numri i fëmijëve viktima të trafikimit në Kosovë

Trafikimi me qenie njerëzore, Murati: I lartë numri i fëmijëve viktima të trafikimit në Kosovë
Foto: Ilustrim

Gjatë vitit 2021 dhe në periudhën janar-shtator të vitit 2022, në Kosovë janë identifikuar 40 viktima të trafikimit të qenies njerëzore, prej tyre 34 janë femra dhe gjashtë janë meshkuj. Sa i përket origjinës së viktimave, 38 janë shtetase të Kosovës, një shtetase e Serbisë dhe një shtetase e Shqipërisë.

Kështu tha për Telegrafin kapiteni Riza Murati nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, Policia e Kosovës në periudhën kohore 2021 dhe janar-shtator të këtij viti (2022) ka ngritur 32 kallëzime penale për trafikim të qenieve njerëzore.

Kapiten Riza Murati, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës

Murati tha se janë arrestuar 51 persona për trafikim me njerëz dhe 22 persona për shërbime seksuale të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Policia e Kosovës gjatë vitit 2021 dhe në periudhën janar-shtator të vitit 2022 ka ngritur gjithsej 32 kallëzime penale të cilat janë nëpër prokurori përkatëse, ndërsa ka arrestuar 51 persona për trafikim me njerëz dhe 22 persona për shërbime seksuale të trafikimit të qenieve njerëzore”, tha ai, duke shtuar se “sa i përket numrit të viktimave të identifikuara gjatë kësaj periudhe kohore për të cilën po flasim, janë 40 viktima të identifikuara të trafikimit, prej tyre 34 të gjinisë femërore (vajza dhe gra) dhe gjashtë meshkuj. Numri i viktimave sa i përket origjinës së viktimave, 38 janë shtetase të Kosovës, një shtetase e Serbisë dhe një shtetase e Shqipërisë”.

I pyetur për moshën e viktimave të trafikuar, Murati theksoi se shumica prej tyre janë nën moshën 18 vjeçare.

“Sa i përket moshës së viktimave të trafikimit, për periudhat për të cilat po flasim, prej 40 viktimave, 29 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërsa 9 kanë qenë prej moshës 18 deri 22 vjeçare. Ndërsa, dy janë të moshave të tjera. Pra shihet që më shumë të cenueshëm janë fëmijë, por edhe moshat e reja kryesisht vajza dhe gra”, potencoi ai.

Forma e shfrytëzimit të trafikimit, siç tregoi Murati, është prostitucioni i detyruar duke mos përjashtuar dhe rastet e kërkim lëmoshe të detyruar.

“Ne, me partnerë të tjerë dhe të institucioneve të tjera, organizojmë qoftë dhe plane operative me gjykim të hershëm në vende më sensitive, qoftë në rrugë fëmijët që kërkojnë lëmoshë, ndaj të cilëve ushtrojmë veprimtari operacionale. Pastaj, kontrolle të moteleve të ndryshme, saloneve të masazhave, klubeve të vallëzimit, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të hershëm. Po ashtu në kuadër të parandalimit ne kemi mbajtur ligjërata të ndryshme në shkolla, me nxënës me këshilla të prindërve, me inspektorë të punës, me punëtorë socialë”, theksoi ai.

Mirëpo, ai tha se niveli i vetëdijes nga pasojat e trafikimit është ulët.

“Si një faktor që po shohim, është niveli i ultë i vetëdijes nga pasojat e trafikimit të qenies njerëzore, moskujdesi i duhur nga ana e familjes. Kemi fëmijë që vijnë nga familje me probleme brenda familjes, qoftë fëmijë të braktisur apo fëmijë të lënë pas dore, të cilët braktisin dhe shkollimin. Ndikon shumë dhe çështja ekonomike. Megjithatë aktivitetet tona kanë bërë që të ngritet disi vetëdija, por edhe të parandalohet kjo dukuri. Nga aktivitet që kemi në terren shihet një rënie e lehtë e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Viteve të fundit kemi një situatë të qëndrueshme sa i përket rasteve të identifikimit të trafikimit”, tregoi kapiten Murati.

Ai më tej thotë se “derisa kemi ende viktima të trafikimit, nuk mund të themi që jemi mirë në situatë të tillë”.

“Vlerësimet e raporteve ndërkombëtare na krahasojnë me vendet, të cilat janë të BE-së, jemi krah vendeve të tyre. Në disa raste jemi më mirë se vendet e rajonit sa i përket luftimit të kësaj dukurie”.

Ai thotë se fëmijët e trafikuar dhe të identifikuar nga Policia e Kosovës dërgohen në strehimore.

“Kosova i ka tri strehimore, për strehimin e viktimave të trafikimit. Një është e fëmijëve në situata të rrezikut të lartë. Pastaj në bazë të rrezikut dhe në bazë të nevojave për integrim strehimore, një organizatë qeveritare bën strehimin e fëmijëve dhe një tjetër strehimore ofron ri-integrimin e viktimave të trafikimit më afatgjatë”.

Murati  po ashtu tha se duhet të ketë koordinim me të gjitha akterët që të arrihet të krijohet besimi në institucione nga ana e viktimave të trafikimit të qenies njerëzore.

“Një prej gjërave kryesore që merret nga ana e trafikantëve është humbja e besimit në institucione. Sepse në atë formë ata arrijnë që viktimën ta mbajnë nën kontroll”.

Ai thotë se duhet të mbrohet konfidencialiteti i viktimës. “Paraqitja e ngjarjeve, situatave se si ndodhi një rast konkret i një viktime dhe shfrytëzimet e saj nuk i bën hajër viktimës por përkundrazi vetëm mund ta dëmtoj atë”, thotë Murati, për Telegrafin.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të martën lansoi fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se veprimet, puna e aktivitetet nuk guxojnë të kufizohen vetëm në kuadër të kësaj dite apo këtij muaji kundër trafikimit me njerëz.

Zëvendësministri i MPB-së Blerim Gashani, në lansimin e fushatës kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim /Foto: Ridvan Slivova/

“Veprimet tona e puna jonë duhet dhe do të vazhdojnë të jenë të përditshme dhe të intensifikohen edhe më tepër në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz, hetime dhe dënime meritore për trafikantët si dhe përkrahje të duhur e shërbime cilësore për viktimat e trafikimit”, ka thënë Gashani.

Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që edhe më tutje t’i përafrojë veprimet e veta me instrumentet ndërkombëtare në veprimet anti-trafikim.

“Me dekada, me shekuj e epoka të tëra, familjet janë ndjerë të sigurta për fëmijët e tyre kur i kanë pasur ata në shtëpi. Jashtë ishin rreziqet e furtunat, brenda ishte çerdhja e ngrohtë dhe e mbrojtur. Kur i kishin fëmijët në shtëpi prindërit qetësoheshin dhe ndjenin siguri për ta. Por sot, sot fatkeqësisht, duhet të thuhet, dhe jo vetëm të thuhet, por edhe të ngritet alarmi se kjo lloj sigurie i takon së kaluarës. Kjo siguri nuk ekziston më. Fëmijët mund t’i kemi brenda, t’i kemi në shtëpi, por mund të mos i kemi të sigurt. Rreziku kibernetik, që vjen nga përdorimi i sotshëm i rrjeteve sociale, lojërave dhe kontakteve online, është i kudondodhur dhe kjo duhet të na e rris vetëdijesimin për cenueshmërinë e fëmijëve tanë – dhe jo vetëm të tyre – për rreziqet online”, tha zëvendësministri Gashani.

Edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se në kohën kur fenomene të tilla janë bërë globale edhe mobilizimi duhet të jetë i përbashkët.

Presidentja Vjosa Osmani, në lansimin e fushatës kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim /Foto: Ridvan Slivova/

Ajo theksoi se 27 milionë njerëz në botë trafikohen në vitë, burra, gra e fëmijë.

“Fakti se sot po lansohet fushata dëshmon për gatishmërinë e vendit për t’u përballur me këtë dukuri të rrezikshme. Trafikimi përbënë jo vetëm një shkelje të rëndë por edhe sfidë shqetësuese për vendet tona”, tha Osmani.

Tutje, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti theksoi vetëm këtë vit janë 15 viktima të trafikimit.

Kryeministri Albin Kurti në lansimin e fushatës kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim /Foto: Ridvan Slivova/

“Tre për punë të detyruar, një kërkim lëmoshë, 14 vajza, 11 nën moshën 18 vjeçare, valltare e këngëtare, në klube nate e për masazhe. Nga viti 2021 e deri më sot janë arrestuar 353 persona, janë ngritur 128 kallezime penale kundër 227 personave”, tha Kurti.

Tutje ai shtoi se institucionet duhet të jenë të pakompromis në luftimin e kësaj dukurie  në bashkëpunim me të gjithë, duke punuar për të përmirësuar gjendjen, veçanërisht në lidhje me identifikimin pro-aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë e mbështetje, si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor të autorëve të krimit.

Kurti gjithashtu deklaroi se detyrë e Qeverisë do të mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes.

Ai shtoi se edhe këtë vit, angazhimi i Policisë së Kosovës në identifikimin e grupeve kriminale për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka shënuar progres, duke bërë thirrje për më shumë punë e angazhim për qëllimin tonë të përbashkët, parandalimin dhe luftimin e rreptë të trafikimit me qenie njerëzore.

Ndërsa, zyra e Prokurorit të Shtetit bën të ditur se kanë trajtuar 47 raste të viktimave të identifikuar dhe viktima potenciale për të trafikuar.

“Që nga viti 2021 dhe  9 mujori  i 2022-shit, kjo zyra ka trajtuar 3.780 raste, 270 raste kundër integritetit seksual”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori