LAJMI I FUNDIT:

Tradita suedeze e Ditës së Shën Luçisë

Tradita suedeze e Ditës së Shën Luçisë

Nga: Gladiola Jorbus

Data 13 dhjetor shënon procesionin vjetor të Shën Luçias, i cili mund të konsiderohet si një nga traditat më të konsoliduara suedeze, me vajza e djem të veshur me të bardha që këndojnë së bashku.


Por, cila është Shën Luçia ? Ç’përfaqëson ajo në kulturën suedeze?

Shën Luçia njihet si bartësja e dritës. Dita e saj mund të gjurmohet që në shekullin IV. Ajo përkujton martiren Luçia të Sirakuzës e cila, sipas legjendës, u çoi ushqim të krishterëve të fshehur në katakombet romake, duke ndriçuar rrugën e saj me një kurorë me qirinj në kokë.

Festimet shekullore në nder të saj përfaqësojnë një nga traditat kulturore themelore në Suedi. Origjina e kësaj feste rrjedh nga historitë që sollën murgjit së bashku me krishtërimin në Suedi. Shën Luçia ishte një vajzë e re e krishterë që u martirizua dhe u vra për shkak të besimit të saj, në vitin 304. Qirinjtë e ndritshëm janë simbol i kësaj dite dhe atmosfera e veçantë shoqërohet nga zërat e fëmijëve të cilët këndojnë himnet e saj.

13 dhjetori ishte dita më e shkurtër e kalendarit historik Julian dhe, sipas folklorit suedez, kjo natë e gjatë dhe e rrezikshme ishte nën pushtetin e shpirtrave të errësirës.

Sipas traditës, Luçia duhet të mbajë “dritën në flokët e saj”, që ad litteram do të thotë një kurorë me qirinj përreth kokës. Secila prej shoqërueseve të saj mban gjithashtu një qiri.  Djemtë e yjeve, të cilët janë të veshur me të bardha, mbajnë yje në shkopinj dhe kanë kone letre në kokë.

Më parë përdoreshin qirinj të vërtetë, por për arsye sigurie janë zëvendësuar nga ata me bateri – detaj tjetër i rëndësishëm është dhe fjongoja e kuqe rreth belit.

Luçia mbetet një figurë e lashtë mitike, me rolin e bukur si bartëse e dritës në dimrat e errët suedez.

Ndër ëmbëlsirat më tipike të kësaj feste përmendim simitet e ëmbla me xhenxhefil dhe shije shafrani (lussekatter), të cilat mund të shoqërohen me verë të zier me sheqer dhe erëza (glögg) ose kafe.