Romantik, modern dhe natyral në të njëjtën kohë, ky stil flokësh është zgjedhja ideale për pranverë dhe verë

Kur nuk kemi shumë kohë për t’u rregulluar, shumica zgjedhim flokët lëshuar, bishtin klasik ose një topuz të shpejtë. Megjithatë, ndonjëherë mjafton vetëm një ndryshim i vogël që pamja të duket shumë më elegante dhe moderne, pa pasur nevojë për frizer apo stilizim të komplikuar.


Topuzi i ulët me onde është kthyer në një nga frizurat më të pëlqyera të këtij sezoni. Ai duket romantik, i relaksuar dhe elegant njëkohësisht, ndërsa pjesa më e mirë është se mund ta realizoni për vetëm disa minuta.

Kjo frizurë përshtatet në mënyrë perfekte me estetikën boho që dominon sezonin pranverë-verë dhe kombinohet po aq bukur me xhinse dhe këmishë linoje, sa edhe me një fustan elegant për mbrëmje apo dasmë.

Ndryshe nga topuzët tepër të shtrënguar dhe të lëmuar, topuzi i ulët me onde lejon një pamje më natyrale dhe paksa të çrregullt. Pikërisht ky efekt “messy chic” i jep hijeshi të veçantë, transmeton Telegrafi.

Çfarë ju nevojitet?

  • Krehër ose brushë
  • Llastik për flokë
  • Kapëse flokësh
  • Llakk për flokë
  • Pak vaj ose serum për lëmimin e flokëve

Si ta realizoni?

Krehni mirë flokët
Frizura realizohet më lehtë në flokë që nuk janë larë sapo, prandaj idealisht flokët duhet të jenë të thatë ose pak të lagësht.

Lidhni një bisht të ulët
Mblidhini flokët në fund të qafës dhe lidheni bishtin me një llastik. Mos e shtrëngoni shumë që pamja të mbetet e butë dhe natyrale.

Ndani dy tufëza flokësh
Nga të dyja anët nxirrni nga një tufë më të trashë flokësh, bashkojini prapa dhe fiksojini me një llastik të hollë transparent.

Krijoni topuzin
Rrotullojini tufëzat rreth gishtit dhe kalojini lehtë poshtë bazës së bishtit për të krijuar efektin e topuzit të relaksuar.

Fiksojeni frizurën
Nëse flokët janë të trashë ose të padëgjueshëm, përdorni disa kapëse për ta mbajtur topuzin gjatë gjithë ditës. Mund të lini disa fije flokësh të bien lirshëm rreth fytyrës për një pamje më romantike dhe natyrale. /Telegrafi/