0Shares

Shkencëtarët, studiuesit e sociologjisë politike dhe të asaj fetare, qofshin të huaj apo vendës, kanë përdorur terma që përmbajnë ndryshime në formën e nuancave për tolerancën . Historianët e fesë dhe teologët flasin për “ekumenizëm ndërfetar”. Njohësit e mesjetës dhe etnologët përdorin termin “konvergjencë ndërfetare”. Sociologët dhe historianët sekularë priren nga termat “tolerancë”, “bashkëjetesë” apo “harmoni fetare”.

Vlen për theksuar që në fillim se ndjenja për besim në një fuqi absolute të quajtur Zot ka qenë pjesë shpirtërore e njeriut që nga momentet e para të daljes së tij mbi sipërfaqen e tokës. Kjo ndjenjë është dhe do të vazhdon të jetë prezentë pandërprerë te krijesa e quajtur njeri. Historia nuk njeh njerëz të cilët nuk kanë besuar në një fuqi absolute të cilën e kanë definuar dhe emëruar sipas shkallës së akceptimit të tyre.

Me zgjedhjen e profetëve nga Zoti dhe librave hyjnore- qiellore njerëzit u ftuan që të besojnë në besim të drejtë – në Një Zot – monoteizëm. Ithtarë të këtyre profetëve dhe këtyre librave janë sot ithtarët e tri feve më të mëdha monoteiste në botë. Përmes librave hyjnore krijesa njeri gjithnjë është ftuar që të jetë në shkallën e duhur të dëgjimit si dhe zbatimit të porosive të Zotit, në mënyrë që të jetojë në dashuri, mirëqenie, në paqe dhe liri me vetveten , familjen, rrethin dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi.

Toleranca dhe barazia njerëzore padyshim janë fryt i njohjes hyjnore në formën e saj të dëlirë. Zoti na ka pajisur qëllimisht me Njohuri Hyjnore, në mënyrë që të kuptojmë vetveten dhe rolin tonë në shoqërinë njerëzore, dhe si rrjedhojë e kësaj të zhvillojmë marrëdhënie njerëzore të bazuara në tolerancë dhe në barazi.

Larmia, ndryshueshmëria si dhe llojllojshmëria e njerëzve është një akt i qëllimshëm i Zotit për njohjen dhe afrimin e tyre mes vete, e jo për të treguar ose shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit në baza racore fisnore apo edhe religjioze. Këtë e theksoi edhe Kur’ani që në fillim të shpalljes së tij:

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe prej një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete. Ndërsa më i ndershmi ndër ju është ai i cili më së shumti ka frikën e Zotit. Zoti është i gjithëdijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë “ (49:13)

Bazuar në këtë citat kur`nor gjeneza njerëzore ka vetëm një burim dhe vetëm një Krijues- Zotin. Ndarja në fise, etnitete e popuj të ndryshëm është zgjedhje dhe vullnet i Zotit për njerëzit, andaj si i tillë duhet pranuar dhe respektuar nga të gjithë. Sikur Zoti të donte Ai të gjithë njerëzit do ti krijonte një komunitet të vetëm. Dhuna në fe nuk ekziston në bazë të librit hyjnor Islam Kuranit. Sipas shkencëtarëve të gjenezës njerëzore njerëzit 99.9% kudo në bota kanë të njëjtat elemente përbërëse dhe krijuese të tyre.

Prandaj shkaqet eventuale të grindjeve, përçarjeve, e ndonjëherë edhe të kacafytjeve tek njerëzit, të inspiruar sipas përkatësisë kombëtare, raciale, fetare etj., mund të jenë rezultat i injorancës, zemërngushtësisë si dhe fanatizmit të tepruar, e kurrsesi element natyral i vet qenies së njeriut.

Shqiptarët falë predikimeve të drejta të prijësve të tyre fetarë, që herët i kishin kuptuar këto fakte të rëndësishme hyjnore duke kuptuar fenë si vlerë shpirtërore të çdo njërit e jo si element përçarës. Siç dihet me depërtimin e feve të ndryshme në tokat shqiptare gjatë periudhave të ndryshme kohore, u bë edhe ndasia fetare në mes popullit shqiptar. Këtë ndasi invazorët e shqiptarëve përpiqeshin t’i thellojnë vazhdimisht, sidomos grekët dhe serbët si mënyrë për përçarjen dhe dobësimin e tyre. Për fat të mirë qëllimi i errët i armiqve nuk u realizua dhe përfundoj pa sukses te shqiptarët, sepse asnjëherë nuk u shkaktua asnjë konflikt në baza fetare ndër shqiptarët, siç ka pasur raste të tilla drastike në të kaluarën në Evropë dhe në disa vende të Azisë.

Toleranca fetare e popullit shqiptar mbështetet në vetëdijen kombëtare në faktin se të gjithë shqiptarët të të gjitha besimeve janë të një gjaku dhe të një gjuhe, kanë origjinën, truallin dhe traditën e përbashkët. Kjo vetëdije ka ndikuar fuqishëm në kohezionin kombëtar në përmasa më të gjëra dhe ka mobilizuar popullin shqiptar gjatë historisë për tu bërë rezistencë e përpjekjeve të vazhdueshme të të huajve që ta përçajnë dhe ta sundojnë.

Se sa e madhe ishte dhe vazhdon të jetë toleranca fetare mes shqiptarëve tregon një dukuri e rrallë dhe e pashoqe në Ballkan. Fjala është për familjet e përziera për nga besimi, për familjet që jetojnë së bashku në një shtëpi dhe që kanë çdo gjë të përbashkët përveç fesë, sepse një pjesë e sajë janë myslimanë e pjesa tjetër katolikë. Familje të tilla ka pasur dhe ende ka si në Has, Rugovë, Dushkajë të Gjakovës, Suharekë, Karadak, në Lug të Baranit dhe në shumë zona tjera të Kosovës dhe në Malësi.

Toleranca fetare ndër shqiptare gjithmonë ka qenë në shkallën e duhur. Gjatë muajit të Ramazanit gratë e besimit katolike të martuara për burra të besimit islam rrinë zgjuar natën për të përgatitur syfyrin për pjesëtarët mysliman të familjes, kurse për festat fetare të dy palët reciprokisht presin mysafirët dhe bënin punët e nevojshme.

Në këtë kontekst vlen për të theksuar kontributi jashtëzakonisht i madh i vet prijësve fetarë, të cilët vazhdimisht kontribuuan kësaj tolerance fetare. Ata asnjëherë në shkrimet e tyre nuk lënduan pjesëtarët e besimeve tjera ndër shqiptare. Hafiz Ibrahim Dalliu, hoxhë, studiues dhe komentues shumë me zë i Kur`anit në gjuhën shqipe gjatë viteve të 30-ta lidhje me bashkëjetesën ndërfetare nënvizonte: “Na shqiptarët prej çdo feje qofshim jemi te tanë vëllezër gjaku dhe vëllezër vatani. Do të shkojmë mbarë e mirë shoq me shoq si jemi tue shkue, to të punojmë së bashku për lulëzimin e atdheut tonë, dhe do të mbrojmë atë me gjakun tonë” .

Ilo Mitko Qafzezi i cili kishte bërë përpjekjen e parë të përkthimit komplet të Kuranit në gjuhën shqipe në shekullin e XVIII-të, që në fillim të fashikullës së tij të parë thotë: “ E mora këtë hapin për të përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe, për të parë se cila është ajo cipë e hollë e cila i ndanë shqiptarët katolikë dhe ata muhamedan”
Ndërsa Mulla Idriz Gjilani nënvizonte: “Kemi tri fe por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë një diell e Një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut” .

Në shtypin islam të viteve të 30-ta lidhje me tolerancën dhe respektin e ndërsjellët shqiptar shkruhej: “Feja është një institut që vëllazërimin e ka parim themelor, e kur ajo bie në shkallë sa bëhet vegël anarkie për të përçarë një popull nuk është më fe, por është shoqëri politike e fshehur nën maskën e fesë; është një fe e deformuese ”

Ndërgjegjja e njeriut është e lirë të besojë atë që i pëlqen. Feja nuk mund të imponohet, por ajo predikohet.
Toleranca ndërfetare ka qenë një domosdoshmëri historike, mjet dhe faktor që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën e popullit shqiptar. Ajo është shfaqur si një përbërës i rëndësishëm i modulimit psikokulturor të shqiptarëve, si faktorët historikë e përpjekjet për mbijetesë kombëtare e kështu me radhë, duke kaluar drejtë një vetëdije kombëtare për këtë vlerë.

Tradita e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët nuk është diçka e formuar në kohët moderne, por një traditë që vjen nga thellësia e shekujve.

Faik Konica në shkrimet e tij për tolerancën fetare ndër shqiptar thoshte: “Unë besoj se shqiptarët gjithkund janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare” .

Ndërsa Tomas W. Arnlod nënvizonte:“Myslimanët shqiptar, sikur edhe të krishterët flasin me një gjuhë, kanë traditat dhe moralin e njëjtë, nuk kanë far urrejtje, sepse me gjenerata nuk kanë pasur armiqësi. Faktori fetar nuk ka qenë shkak për përçarje “ .

Sami Frashëri shkruan: “ Ndarjet në besim nuk sollën çarje në mes të shqiptarëve. Gjendjet e besimit, jo vetëm në vendet e lindjes, por edhe në Evropë, e në vendet e ndriçuara me qytetërim, shumë herë kanë nxjerr vrasje të mëdha e të tmerruara; Në Shqipëri, këto grindje nuk ndihen dhe kurrë në këtë vend s`kanë ngjarë” .

Veçori tipike e shoqërisë dominante islame ndër shqiptarët është se ajo nuk u zhvillua duke mohuar apo shkatërruar shoqëri apo bashkësi paralele me të. Ajo realisht edhe sot jeton përkrah tyre, gjalloi dhe lulëzoj në klimën e mrekullisë së bashkëjetesës duke zhvilluar identitetin e sajë në harmoni dhe liri.

Në një qytet si Shkodra, ku popullsia myslimane është e përzier me të krishterë katolikë dhe ortodoksë, në ditët e ramazanit edhe tregtarët jo-islamikë ndalonin shitjen e mishit të derrit në dyqanet e tyre.

Historia e besimit në Shqipëri njeh zona të tëra ku popullsia i ushtronte paralelisht të dyja besimet. Ashtu sikurse njeh zona të tjera ku e njëjta faltore të premten shërbente për liturgjinë islamike dhe të dielën për liturgjinë e krishterë.

(Ligjëratë e mbajtur Universitetin e Vjenës – Fakulteti i së Drejtës dhe Filozofisë)

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)