TikTok sjell komente me zë dhe anketa të thjeshtuara

TikTok ka njoftuar disa mjete të reja që synojnë të përmirësojnë përvojën e përdoruesve në platformë.
Së shpejti, përdoruesit do të mund të lënë komente me zë poshtë çdo videoje. Mesazhet zanore mund të zgjasin deri në 60 sekonda dhe përdoruesit e tjerë do të mund t’i dëgjojnë duke prekur komentin.
Funksioni i komenteve me zë do të nisë të ofrohet gjatë muajit të ardhshëm për përdoruesit mbi 18 vjeç.
Ndërkohë, krijuesit e përmbajtjes tashmë mund të krijojnë anketa në komentet e publikimeve të tyre.
Anketat mund të përmbajnë deri në pesë alternativa, ndërsa rezultatet mund të ndiqen drejtpërdrejt në seksionin e komenteve. Ky funksion është tashmë i disponueshëm për përdoruesit në mbarë botën.
TikTok ka shtuar gjithashtu disa mundësi të reja për komentet me fotografi. Përdoruesit tani mund të ngarkojnë nga galeria e telefonit edhe fotografi të drejtpërdrejta, të cilat përmbajnë një ose dy sekonda lëvizje dhe zë të regjistruar para dhe pas shkrepjes së fotografisë.
Një tjetër ndryshim do të jetë mundësia për të publikuar deri në nëntë fotografi në një koment, të paraqitura në formën e një karuseli. Ky funksion pritet të jetë i disponueshëm gjatë muajit të ardhshëm.
Këto janë ndër përditësimet më të fundit të TikTok. Platforma së fundmi ka shtuar edhe mundësinë për rezervimin e shërbimeve të lidhura me udhëtimet drejtpërdrejt përmes aplikacionit, si dhe një furnizim lokal me përmbajtje që përdor vendndodhjen e përdoruesit. /Telegrafi/


































