Thierry Henry thur elozhe për Luis Enrique: Nuk foli vetëm, e bëri realitet

Legjenda e Arsenalit dhe futbollit francez, Thierry Henry, ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të trajnerit të Paris Saint-Germain, Luis Enrique, pas triumfit të klubit francez në Ligën e Kampionëve.
PSG-ja siguroi trofeun e dytë radhazi në garën më prestigjioze evropiane për klube, pasi mposhti Arsenalin në finalen e zhvilluar të shtunën mbrëma. Ndeshja përfundoi 1-1 pas 120 minutave lojë, ndërsa parisienët triumfuan 4-3 pas ekzekutimit të penalltive.
Pas ndeshjes, Henry nuk i kurseu fjalët e mëdha për trajnerin spanjoll, duke theksuar se Enrique ka arritur të përmbushë premtimet që kishte bërë pas largimit të Kylian Mbappes.
“Pas largimit të Mbappes, thatë se skuadra juaj do të bëhej më e mirë, se do të zhvillohej si ekip dhe do të fitonte si ekip. Nuk e thatë vetëm, por e bëtë dhe e bëtë përsëri”, deklaroi Henry gjatë bisedës me trajnerin e PSG-së.
Ish-sulmuesi francez shtoi se Enrique ka treguar gjithmonë besim të madh në idetë e tij, edhe kur është kritikuar nga opinioni publik.

“E kam thënë edhe më parë se njerëzit shpesh e ngatërrojnë arrogancën me vetëbesimin. Ju e dini saktësisht se çfarë po ndodh me ekipin tuaj dhe ku duhet të arrijë ai”, vazhdoi Henry.
Legjenda franceze vlerësoi gjithashtu ndikimin që PSG-ja e Luis Enriques ka pasur në futbollin francez, duke e cilësuar stilin e lojës së skuadrës si diçka që nuk është parë prej dekadash.
“Duhet të them se ajo që po bëni për futbollin francez është e jashtëzakonshme. Ndoshta që nga vitet ’90 nuk kemi parë një ekip francez në Evropë që luan me kaq shumë vetëbesim dhe cilësi”, përfundoi Henry.
Me dy tituj radhazi në Ligën e Kampionëve, Luis Enrique ka konfirmuar PSG-në si forcën dominuese të futbollit evropian dhe një nga skuadrat më të frikshme të momentit./Telegrafi/









































