LAJMI I FUNDIT:

Termocentral diellor me kapacitet 150 MW në fshatin Bec të Gjakovës – fillojnë punimet

Termocentral diellor me kapacitet 150 MW në fshatin Bec të Gjakovës – fillojnë punimet

Sot është mbajtur ceremonia e fillimit të punimeve në projektin e termocentralit diellor me kapacitet 150 MW nga Solar Energy Group Europe, në fshatin Bec të komunës së Gjakovës.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.


Kreu i ekzekutivit theksoi se ky moment simbolizon jo vetëm një hap të rëndësishëm drejt qëllimeve për të ngritur kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, por edhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për vendin.

“Kënaqësi që ndodhem sot në qytetin e bukur të Gjakovës për të inauguruar impiantin solar fotovoltaik me kapacitet prej 150 MW… Në Evropë shtimi i përpjekjeve për rritjen e Efiçiencës së Energjisë dhe ndërtimin e Burimeve të ripërtëritshme të energjisë janë bërë më të rëndësishme se kurrë, e padyshim që edhe synimi jonë është të zgjedhim rrugën drejt dekarbonizimit.

Orientimet e sektorit të energjisë për periudhën 10 vjeçare ne tashmë i kemi vendosur në Strategjinë e re të Energjisë  të cilën e kemi miratuar në Kuvendin e Republikës me synimin që zhvillimi i sektorit të energjisë të shkojë drejt tranzicionit energjetik në përputhje me Marrëveshjen e Sofies dhe Planin e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor 6, si dhe gradualisht drejt neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050”, tha Kurti.

Ai më tej theksoi se duke shfrytëzuar potencialin e energjisë së pastër, janë duke shtruar rrugën për një të ardhme më të gjelbër dhe miqësore ndaj mjedisit.

“Po zvogëlojmë gjurmët tonë të karbonit dhe efektet e dëmshme të ndryshimeve klimatike, duke nxitur njëkohësisht rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Strategjia jonë e re e Energjisë tregon përkushtimin tonë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të qëndrueshëm për të investuar.

Kosova ofron mundësi të shumta për investitorët e huaj në sektorin e energjisë. Ne kemi ligjshmëri të mirë, institucione të besueshme, dhe treg të hapur për bizneset. Në të njëjtën kohë, politikat tona inkurajojnë konkurrencën e lirë dhe transparencën në ndërtimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë”, u shpreh i pari i Qeverisë së Kosovës.

Për Kurtin, vendi  ynë ka avantazhe të shumta, e ndër to janë edhe forca punëtore edhe e re edhe e kualifikuar, si dhe vendndodhja strategjike në rajonin e Ballkanit.

“Gjithashtu në këto dy vjet të qeverisjes sonë janë dyfishuar investimet e huaja direkte por në të njëjtën kohë pore dhe për një vit janë shtuar vlera e bruto produktit vendor pra përmasa e ekonomisë tonë aq sa dikur duheshin tri vjet marrë se bashku, andaj të gjithë ata që investojnë në vendin tonë nuk investojnë thjesht në një vend i cili do të zhvillohet dikur në të ardhmen por një vend i cili tashmë po zhvillohet dhe ekonomia e të cilit tashmë po rritet.

Kushtet e favorshme krijojnë mundësi që investitorët të zhvillojnë bizneset e tyre në Kosovë dhe investimet e tyre të suksesshme padyshim që sjellin përfitime për të gjithë, pasi që kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ofrimin e mundësisë të kompanive vendore në çdo segment të zinxhirit të vlerës”, u shpreh ai.

Kryeministri i vendit më tej tha se janë të hapur dhe të përkushtuar për të punuar me investitorët e huaj dhe të krijojë një mjedis bashkëpunimi të mirëfilltë, me qëllim që të mundësojmë zhvillimin e sektorit të energjisë dhe të arrijmë qëllimet tona ambicioze për energji të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik.

“Siç e tha edhe kryeshefi Schnuse, dielli është energji, Gjakova është vend me diell e Siemensi nuk është vetëm korporatë gjermane por edhe brend botëror andaj përgëzime për punën!”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, në njoftimin e komunës  së Gjakovës, thuhet se kryetari Ardian Gjini ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, Sege Energy, Siemens Energy, Berdyna Group dhe Go Energy për këtë projekt, për të cilin edhe Komuna e Gjakovës ka dhënë kontributin që i takon.

“Është një lajm shumë i mirë që një komunë si Gjakova të prodhojë energji të ripërtërishme dhe një gjë e tillë jep efekt në tërë Kosovën. Jam optimist që projekte si ky, do të ketë në vazhdimësi sepse energjia solare duhet të shfrytëzohet”, tha ndër të tjera ai. /Telegrafi/