LAJMI I FUNDIT:

Tërhiqet ministrja, ndryshohet Projektligji për Naftën

Tërhiqet ministrja, ndryshohet Projektligji për Naftën

Pas kundërshtimeve të Shoqatës së Naftëtarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur që ta ndryshojë Projektligjin për Naftë

Pas kundërshtimeve të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqatës së Naftëtarëve se Projektligjin për Naftë, i prezantuar më parë, po krijon monopol, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, është tërhequr duke paralajmëruar ndryshimin e tij. Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë kanë thënë se ky projektligji pritet të ndryshohet në pikat kontestuese.


Vjollca Dibra, këshilltare për medie në Ministrinë e Tregtisë, ka thënë për gazetën “Zëri” se Ministria e Tregtisë do të bëjë konsultime me palët relevante në Sektorin e Naftës dhe të Derivateve të Naftës, në mënyrë që të arrijnë konsensusin e duhur në mes sektorit privat dhe atij publik.

“Nga aspekti procedural, hapat janë të përcaktuar me legjislacionin përkatës. Nga aspekti i përmbajtjes së ligjit, MTI-ja do të bëjë konsultime me palët relevante në Sektorin e Naftës dhe Derivateve të Naftës, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e duhur në mes sektorit privat dhe atij publik, në mënyrë që të sigurohemi që Ligji i ri për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme të avancojë si në përmirësimin e kontrollit të cilësisë së karburanteve, po ashtu edhe në përmirësimin e kushteve dhe ambientit të të berit biznes për operatorët ekonomikë”, ka thënë ajo. /Zëri/Telegrafi/