LAJMI I FUNDIT:

Tenderët e “Naim Bossit”

Tenderët e “Naim Bossit”

Ishte kohë zgjedhjesh komunale në vitin 2014, kur punëtorët e kompanisë ‘ Ekskavatori’ po i jepnin shtresën e fundit të asfaltit rrugës Mollopolc-Dremjak-Jezerc.

Disa ekskavator të një kompanie tjetër zgjeronin një rrugicë brenda qytezës, derisa kamionët me zhavorr prisnin afër rrugës Nëna Terezë.


Kështu thonë se po realizoheshin premtimet e kryetarit të Komunës së Shtimes, Naim Ismajli për banorët e kësaj ane në këmbim të votave.

Tani kur kanë kaluar dy vite dhe gjithçka ka përfunduar, kjo komunë ka shpallur tender për ti asfaltuar rrugët e njëjta. Dhe për koincidencë është e njëjta kompani që ka fituar tenderin 43 mijë euro.

“Ne këto ditë do ta rregullojmë atë rrugë. Tenderin e kemi marrë për rregullimin e saj”, thotë Arsimi për Gazetën Fjala, përfaqësues i kompanisë ’Eskavatori’ nga Ferizaj.

Sipas tij, aty do të shtrohet asfalt.

Por, në terren shihet se asfalti tashmë ekziston qe një kohë të gjatë, ndërsa askush në komunë nuk tregon se ku do të punoj kompania e kontraktuar.

Gazeta Fjala, ka vizituar rrugën e njëjtë për të cilën është shpallur tenderi dhe përmes fotografive sjellë dëshmi se askush nuk është duke punuar në të dhe se e njëjta është e rregulluar tashmë.

Sipas dokumentacioneve, të konfirmuara edhe nga kompania punë kryese pranimi teknik është bërë me datë 20.11.2014. Ndërkaq, tenderi për rregullimin e kësaj rruge është nënshkruar me datë 13.07.2016.

Madje Labinot Beqa, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje bënë të ditur se në të njëjtën është punuar edhe një herë tjetër.

Ai për Gazetën Fjala, ka thënë se në këtë komunë është bërë rutinë që të shpallen tenderë për rrugët të cilat tashmë janë të asfaltuara.

“Lidhur me këtë çështje kemi diskutuar disa herë në Kuvendin Komunal të komunës së Shtimes. Kjo që është bërë me asfaltimin e këtyre rrugëve është shkelje e rendit dhe ligjit. Unë po shpresoj që që organet e hetuesisë do të merren me këta tenderë”, ka thënë Beqa.

Deri më tani shqetësimet e tij dhe të qytetarëve tjerë për shpërdorim të parasë publike, thotë se nuk i ka marrë parasysh askush.

Dosjeve me argumente kur një natë para ditës së zgjedhjeve kompanitë asfaltonin rrugë me urdhër të kryetarit Ismajli, ai thotë se nuk ua ka lëshuar sytë asnjë zyrtar kompetent.

“Këto veprime i bën kryetari Ismajli për ti shlyer borxhet e tij personale ndaj kompanive”, thotë Gazmend Haxhiu kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Rashincë.

Sipas tij, gjatë fushatës së fundit zgjedhore i ka angazhuar kompanitë në projektet e tij elektorale, pa planifikuar buxhet e pa përfillur asnjë rregull administrativ.

“Për secilin projekt të realizuar ky i ka vjel kompanitë në përqindje të ndryshme”, thotë Haxhiu.

Shumë projekte që figurojnë të realizuara me buxhet të komunës, sipas tij janë paguar nga komuna por ato janë vetëm në letra por nuk janë realizuar asnjëherë.

“Kështu qeverisë Naim bosi”, thotë ai.

Gazeta Fjala, javën e kaluar ka kërkuar nga Komuna e Shtimes përgjigje lidhur me tenderin për asfaltimin e rrugëve të cilat tashmë janë përfunduar.

Megjithatë nga ky institucion ende askush nuk ka dhënë përgjigje. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

1
2

3