LAJMI I FUNDIT:

‘Tempulli’ bënë bashkë institucionet përgjegjëse për hekurudhat në Kosovë

‘Tempulli’ bënë bashkë institucionet përgjegjëse për hekurudhat në Kosovë

Kolegji “Tempulli” ka organizuar tryezë me temë “Gjendja ekzistuese e hekurudhave të Kosovës dhe integrimi në rrjetin hekurudhor evropian”, ku është diskutuar gjendja aktuale e transportit hekurudhor në vendin tonë. Kjo tryezë në format të tillë është organizuar për herë të parë në Kosovë.

Drejtori i “Tempullit”, Muhamed Krasniqi, ka thënë se qëllimi i kësaj tryezë është që të gjithë të kuptojnë dhe të kenë parasysh problemet ekzistuese me transportin hekurudhorë. Krasniqi tha në këtë drejtim duhet të përgatiten profesionistë të rinj, pasi mosha e punonjësve të angazhuar aktualisht është kryesisht e shtyrë.


“Krejt ideja që është që tash bashkërisht të merremi me problematiken e transportit hekurudhor në Kosovë. Dimë mjaft mirë se këtë vit KE dhe BE, komuniteti ndërkombëtar, ka alokuar mjete jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat janë vitale dhe jetike për interesin e Hekurudhave të Kosovës dhe ideja që bashkërisht t’i elaborojmë të gjitha këto çështje dhe t’i diskutojmë se si duhet t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Ideja është që aq sa është e mundur të involvohet edhe faktori ynë vendor për shkak se këto mjete do t’i jap Evropa, ndërsa Evropa nuk do të qëndroj këtu gjatë gjithë kohës dhe ne do të duhet t’i krijojmë resurset tona të cilat ekspertët tanë do të jenë të gatshëm për t’i menaxhuar dhe për të shikuar mbarëvajtjen e këtyre projekteve”, ka thënë Krasniqi.

Kurse, këshilltari i ministrit të Infrastrukturës, Shiqeri Spahiu, ka thënë se MI ka krijuar kushte në bazë të ligjeve në fuqi për hekurudhat e Kosovës, duke ndarë edhe mjete të mjaftueshme për ndërmarrjet publike “Infrakos” dhe “Trainkos”.

“Caktimi i një standardi të ri në infrastrukturën hekurudhore Qeveria e Kosovës ka filluar me sofistiku, me fjalë të tjera infrastrukturën hekurudhore, gjegjësisht investimet në projekte kapitale që janë tani më përmbajtjesore. Përkrahja e vazhdueshme financiare për Trainkos dhe Infrakos, si ndërmarrje publike që janë nën pronësi të shtetit, me modernizimin e mjeteve motorike dhe gjenerimin e tyre është dëshmi e fuqishme për investimet e mëparshme që i ka bërë Qeveria e Kosovës. Në vazhdimësi po angazhohemi që me mundësi buxhetore që ka Qeveria, t ë arrijmë qëllimet e saja që shërbimet e transportit hekurudhor të jenë në nivel me vendet e rajonit”, ka deklaruar ai.

Në tryezë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të “Infrakos”-it, “Trainkos”-it, të cilët kanë treguar për gjendjen e hekurudhave të Kosovës. /Telegrafi/