LAJMI I FUNDIT:

Teksti si kujtesë e pashmangshme

Teksti si kujtesë e pashmangshme

Nga: Behar Gjoka

Fati i poetit, sipas teorive letrare dhe praktikës së shkrimit, gjithherët mëvaret nga fati i fjalës, e cila gdhendet në germa. Fjala, sidomos ajo e poetit, që sublimohet si zë i kohës, zakonisht e tejkalon kohën fizike. Madje, në një kuptim ma domethënës, gjallimi i fjalës poetike, më së shumti rijetësohet dhe përndritet në kohën e amshimit. Në kuptim real të ekzistimi, teksti poetik, është kujtesë e pashmangshme, rimarrje, rigjetje, rivlerësim, me shumë gjasa është ritakim, hipotetik me vetë poetin, pamëdyshje me pjesën ma të bukur, pra, me frymimin shpirtëror, që e përçon poezishkrimi.

Ali Podrimja erdhi në jetë në motin e largët dhe të vështirë, 1942, kur bota digjej në kthetrat e Luftës së Dytë Botërore. Iku, pa zë dhe bubullima, në një heshtim tronditës, nën vellonë e misterit, në vitin 2012, me 21 korrik, bash në ditën qe leu Martin Camaj, mjeshtri dalëzotës i gegnishtes dhe lavruesi i poezisë, prozës, dramatikës, studiues i gjuhës dhe letërsisë.

Ardhja në jetë e Podrimjes në prushin e luftës dhe ikja enigmatike, metaforikisht të fanitet si një yrnek, humor përjetësie, një shaka e mjeshtrit të poezisë, e sikur befas do të shfaqet, në vargjet e shkruara. Më në fund, me artistët, me poetët, jetëshkrimi ka vlerën e vet e gjithsesi ka kuptim të përkujtojmë lindjen dhe ndarjen nga jeta, por pasaporta, copa e shpirtit dhe mendjes, ma tepër gjellin dinamike në tekstet e shkruara, të cilat lexohen herëkurdo. Biseda e pambarimtë me librat, me vargjet dhe poezitë, sërish është e gjallë, si dikur, ndonëse pasi mbyll librin, vetëdija e ikjes së njeriut dhe poetit, të mbushë me dëshpërim, e pika e lotit rrëshqet vetvetiu …

Poet i metaforës ritmike

Qysh në vargjet e para, të shkruara në vitet 1960, kur qe gjimnazist, shqiptohet poetika e metaforës, krahas shenjave të tjera, si zë i kohës së mjegullt për Dardaninë, për Gjakovën e tij: Qaj rrafshi im i dashur, qaj! / Diellin tënd verbuar e kanë tytat. / E vatrat shkimbur deri më një …, e cila ndërkaq mbetet forma shprehëse dhe më domethënëse e shkrimit poetik, e shpërfaqjes së kumteve dhe poetikës, ku bashkë me angazhimin qytetar dhe atdhetar, prekim shpirtin human, me gjasë “bardin” e kohëve moderne, të fatit të gjakut të vetë, të kombit të shqipeve. Për të ardhur te vargjet emblematike: Me shekuj kam shitur gjakun / E jam rritur me gjakun e shitur / Me shekuj kam hëngër veten / E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar … Miq,/Kosova është gjaku im që nuk falet, që gdhendin poetin e atdhetarisë, gjer në sakrificë, cilësi që përsëri shpërfaqet nëpërmjet magjisë, forcës dhe shëmbëllimeve që përcjell metafora, si makrobotë e shqiptimit poetik, në poezinë e larushisë së Podrimjes.

Në vargjet: Erdhe në jetë / Nuk ka më nevojë për kuje, lutje / Kryesorja të jetosh /K ëtë gur ta hedhësh më larg se Unë/ (Me jetue, Tim bir, Lumit), ku sendërgjohet pikëllima lirike, shkëputur nga vëllimi Lum lumi, botuar në vitin 1982, që për shumicën e lexuesve, studiuesve, shënjohet si kryevepra e poetit, si kanga e dhimbës së parrëfyeshme. Ritmika metaforike formëson një verb më nxitës, të shumëngjyrtë në vargjet: në udhëtimin tim / një macë e zezë më ndjek / e shpirti më thotë / në gjysmë rruge ke për të mbetur / e kënga më thotë / kurrë s’do t’më këndosh me zë / e drita më thotë / i verbëri i verbër ka mbetur / e ëndrra më thotë/më kërko në zhgjëndërr / po eja e thuaje atë fjalë / kur s’di kë dashuron apo urren / eja e besoji fytyrës në pasqyrë/një mace e zezë më ndjek / në udhëtimin tim / orën e fatit ajo dikton, si një paranojë, me gjasë si parathënie e fatit, të ardhjes në ethet e barotit, e mandej fluturimin në amshim, në rrathët enigmatikë, që nuk dihet së në cilin shteg të shpie…

Poezia si gjerdan ligjërimi

Trashëgimia shkrimore e Podrimjes përfshin artikuj, për letërsinë dhe më gjerë, intervista dhe prononcime të ndryshme, që zbulojnë përmasën e intelektualit. Po ashtu, prej këtij autori, ka tekste në prozë si vëllimi me tregime Loja në diell (1967); Fundi i mitit (2007), me eseistikë, duke shpaluar kështu gjerësinë e letrares. Megjithatë, emri, vlera, shënjimi estetik, rëndësia që ka vepra letrare e autorit në letrat shqipe, lidhet pazgjidhshmërisht me poezinë, ku do të mjaftonte përmendja e librave me poezi: Thirrje, 1961, Dhimbë e bukur, 1967, Sampo 1969, Torzo, 1971, Folja, 1973, Credo, 1976, Sampo 2, 1980, Drejtpeshimi, 1981, Lum Lumi, 1982, Fundi i gëzuar, 1988, Zari, 1990, Në bisht të sorrës, 1994, Buzëqeshje në kafaz, 1995, Pikë e zezë në blu, 2005. Pra, kemi një mori përmbledhjesh me poezi, të vargut të lirë, të strehuar në magjenë e metaforikës ritmike, ku portretizohet universi poetik, si dhe shtegtimi i poetit, qysh me fillesat e deri në kulmime të pazakonta.

Fjala dhe vargu portretizon poetin e atdhetarisë, të qytetarisë, të erotikës së përndezur, të pikëllimës së dhimbës, mjeshtrin e metaforës dhe të simbolit, si një zë unik i letërsisë shqipe bashkëkohore. Poetika e endur në kaq libra me poezi, është pjesë e vlertë e poezisë shqipe bashkëkohore, krahas mjeshtrave të tjerë si: A. Shkreli, F. Arapi, F. Gunga, Rr. Dedaj, M. Camaj, I. Kadare, D. Agolli, F. Rreshpja e tjerë. Numri i librave me poezi, e sidomos niveli estetik, ku arriti poezia e autorit e po kaq përkthimet e shumta që njohu poezia e Podrimjes, krahas qenësisë së poetikës spontane, të hapur dhe të drejtpërdrejtë si mesazh, përfaqëson njërën nga përvojat me më shumë ndikim, në harkun e bashkëkohësisë, sepse shpesh shëtitej në hapësirat etnike të shqiptarisë dhe dërgonte fjalën poetike, e po kaq mblidhte poetët, e ndihmonte për botimin e librave të tyre me poezi, si një pelegrin i fjalës shqipe, që edhe ikjen në amshim e gdhendi në vargje: Po qe se nuk të shkruaj / miku im i dashur dhe / Po qe se nuk ma dëgjon zërin / Merr një karafil / E ma kërko varrin / Diku në botë / Se vajta pas Lumit

Megjithatë, kujtesa njerëzore, e veçmas kujtesa e pashmangshme e teksteve, e derdhur në larminë e metaforave të Podrimjes, e kur gjezdisësh në arealin e poezive të poetit, sikur llafitesh me vetë atë, si një akt që buron nga drita që përçon fjala, ose edhe më qartë, siç e pati formuluar R. Barthes: … germa është kënaqësia e tij; madje ai është i fiksuar pas saj, siç janë kështu të gjithë ata që e duan gjuhën … (Kënaqësia e tekstit, 2021:34), si një akt komunikimi me poetikën autoriale, gjithherët, aq më tepër në motin e shpallur si vit i poetit Ali Podrimja …