eksperti-banner

Për shkak të mashtrimit, të shfrytëzimit, të robërimit në skajshmëri të Kombit dhe të Shqipërisë Etnike, si rrjedhim i politikave të biznesit privat ditor dhe afatgjatë, ka ardhur koha që të merremi jo me tema aktuale të drejtpërdrejta në favor të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të Kombit dhe të shtetit shqiptar, por me “tema të ndryshme”, secili sipas interesit-xhepit personal, tregtar, ekonomik, politik, grupor, klanor, partiak, ideologjik, lokalist dhe provincial etj., sipas recidivave të kamotshme të VETËMASHTRIMIT dhe të VETËMOHIMIT -"Qejf për veti, tim për shtëpi"(!)

Riorientimin dhe imponimin në shkruarjen e “temave të ndryshme”, së fundi, e diktojnë edhe këto tri (3) marrëveshje antishqiptare: 1) Marrëveshja shqiptare-greke për caktimin e kufijve detarë sipas së cilës, pa asnjë të drejtë historike, ligjore, kushtetuese dhe ndërkombëtare, Greqisë i falen apo i shiten 354.4. kilometra katrorë territor detar; 2) Ratifikimi i Marrëveshjes ndërkufitare të Kosovës me Maqedoninë, sipas së cilës Maqedonisë i janë cenuar hiq më pak se 250 hektarë të territorit të Kosovës; 3) Nënshkrimi i Marrëveshjes kosovare-maqedonase për vendosjen e marrëdhënieve ndërshtetërore diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Nuk ka asnjë dyshim se, përfundimi i këtyre marrëveshjeve të Tiranës me Athinën dhe të Prishtinës me Shkupin janë në kundërshtim me të drejtën historike dhe me të drejtën ndërkombëtare, sepse në mënyrë flagrante dhe paprecedencë cenojnë interesin e përgjithshëm kombëtar, territorial dhe shtetëror të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Konkretisht, ratifikimi i Marrëveshjes ndërkufitare të Prishtinës me Shkupin, si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Maqedoninë janë në frymën e Enciklopedisë antishqiptare, të ligjit, të Kushtetutës, të politikës, të propagandës dhe të diplomacisë antishqiptare të sistemit sundues kolonial të Republikës së Maqedonisë.

Të dyja marrëveshjet e theksuara dypalëshe të Prishtinës, janë dëshmi e pakundërshtueshme që, tërësisht justifikojnë politikën, ligjin dhe kushtetutën diskriminuese, hegjemoniste dhe kolonialiste të regjimit të shtetit maqedonas ndaj statusit të shqiptarëve në Iliridë.

Thjesht, si njohja e Maqedonisë nga ana e Shqipërisë së Sali Berishës dhe e Fatos Nanos në vitet e 90-ta të shekullit XX (pa zgjidhjen e statusit kushtetues, politik, kombëtar, shtetëror dhe territorial të shqiptarëve në Maqedoni, sipas së drejtës historike dhe së drejtës së vetëvendosjes), ashtu, së fundi, edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, janë në favor të përligjjes së VULOSJES SË TURPSHME të statusit minoritar të shqiptarëve nën “kapuçin” e sovranitetit kolonial të Republikës së Maqedonisë, edhe në shekullin XXI.

Konkretizimi i këtyre politikave irracionale dhe të gabuara si në sfondin historik, politik, juridik, kushtetues dhe demokratik kombëtar, ashtu edhe në atë të së drejtës ndërkombëtare në dëm të realizimit të së drejtës së vetëvendosjes së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, janë vërejtja e fundit se “shkrolat” dhe “hajmalitë” e mulla hamit sejdijajve të ndryshëm (pavarësisht sesa të efektshme kanë qenë dhe, janë ato për ribërjen e shëndetit të mbarë kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike), më nuk bëjnë punë për riparimin e gjendjes së përgjithshme dhe të mjerueshme të mbarë kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Është koha për ndryshime politike sipas agjendave-kërkesave të drejta politike, kombëtare, demokratike dhe paqësore të Lëvizjes Vetëvendosje!

Ndryshe, “shkrolat” me patros euforik dhe retorik të ideologjive të ndryshme të perënduara nuk ndihmojnë rimëkëmbjen e gjithmbarshme të Kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, sepse populli do bukë, do liri, do zhvillim, do përparim, do drejtësi, do barazi, do ribashkim kombëtar dhe shtetëror nën çatinë e Shqipërisë Etnike.

Përkundrazi, “shkrolat” me ngjyra të ndryshme ideologjike utopiste, ato, vetëm se na kthejnë prapa në kohën e “hajmalive të arta” të “heroit” Hamit Sejdiu në Kërpimeh të Podujevës.

Kombi shqiptar në të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike ka nevojë për heronj kombëtarë shqiptarë të vërtetë emblematikë revolucionarë siç ishin: Azem Bejta, Isa Boletini, Ismail Qemali, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Fazli Greiçevci, Adem Jashari... etj., e jo, kurrsesi për “ këngëtarë” vajtues të ideologjive të ndryshme përçarëse dhe vëllavrasëse “njëri thumbit, tjetri patkoit” sikurse këtu e 20 vjet më parë (1990-2009).