LAJMI I FUNDIT:

Të kruarat e anusit: Të gjithë shkaktarët e mundshëm, edhe ushqimi gjithashtu mund të jetë fajtori!

Të kruarat e anusit: Të gjithë shkaktarët e mundshëm, edhe ushqimi gjithashtu mund të jetë fajtori!

Të kruarat që shfaqen në zonën e prapanicës mund të jenë shumë të pakëndshme dhe acaruese

Ka të ngjarë që do ta keni të vështirë t’i rezistoni impulsit për të kruar, gjë që vetëm sa do ta përkeqësojë situatën.


Disa probleme shëndetësore apo shprehi, por edhe mënyra e të ushqyerit, mund të ndikojnë në shfaqjen e kruajtjes.

Para se të provoni ndonjë ilaç popullor kundër kruajtjeve të anusit apo pra se të vendosni të shkoni te mjeku, lexoni shkaktarët e këtij problemi, transmeton Telegrafi.

Higjiena e keqe pas nevojës së madhe

Nëse nuk keni zakon të pastroheni në mënyrën e duhur pas nevojës së madhe, ajo që ka mbetur do t’ju shkaktojë djegie dhe kruajtje. Prandaj, pastroni zonën rreth anusit me një copë letre të njomë tualeti pa aromë, pastroni zonën rreth anusit pasi të keni bërë nevojën e madhe dhe thajeni me leckë të butë apo me letër. Nëse kjo zonë është shumë e irrituar, përdorni tharëse flokësh për ta tharë anusin.

Pastërtia e tepruar dhe kruajtja anale

Pastrimi i tepruar i zonës anale mund të jetë i keq si edhe moskujdesi i higjienës. Domethënë, ajo po ashtu mund të shkaktojë kruajtje apo edhe ta përkeqësojë atë. Kini kujdes që të përdorni dezodorantë dhe sapunë pa aroma dhe mos përdorni ujë tepër të ngrohtë, sepse mund të shkatërroni barrierën e lëkurës që mbron këtë zonë të ndjeshme.

Dieta dhe kruajtja rreth anusit

Nëse ju pëlqen të pini kafe, ka më shumë gjasa të keni kruajtje anale. Një filxhan kafe mund të dobësojë muskujt e anusit dhe kjo mund të çojë në një situatë ku jashtëqitja juaj rrjedh jashtë dhe kështu shkakton kruajtje.

Gjëra të tjera që mund të shkaktojnë kruajtje anale janë:

▪ çaj dhe kola,
▪ pije energjike dhe birra,
▪ çokollatë dhe arrat,
▪ agrumet dhe domatet,
▪ ushqim pikant
▪ produktet e qumështit.

Problemet e të ushqyerit mund të shkaktojnë kapsllëk dhe kështu të çojnë në acarim dhe kruajtje në zonën anale. Më shumë lëngje dhe ushqime që janë të pasura me fibra do t’ju ndihmojnë të zgjidhni këtë problem dhe nëse kjo nuk funksionon, kërkoni patjetër ndihmë mjekësore. Mjeku juaj mund të sugjerojë disa ndryshime dietike apo edhe ilaçe për t’i kthyer gjërat në normalitet.

Zgjedhja e gabuar e të brendshmeve

Nëse zgjidhni të brendshme me materiale sintetike, ka mundësi që të keni probleme me lagështinë në zonën anale. Për të shmangur këtë problem, zgjidhni të brendshme pambuku sepse do të thithin më mirë lagështinë. Gjithashtu, ndërroni rregullisht të brendshmet, veçanërisht pas stërvitjes dhe përdorni detergjente pa aromë gjatë larjes.

Hemorroidet dhe kruajtja anale

Venat e fryra në anus dhe rektum mund të çojnë në probleme me jashtëqitje, djegie, dhimbje dhe gjakderdhje. Edhe pse rrallë shkaktojnë komplikime, ato mund ta bëjnë qëndrimin ulur jashtëzakonisht të dhimbshëm. Nëse keni këtë problem, një nga këshillat për të lehtësuar shqetësimin tuaj është të uleni në një banjë të ngrohtë për 15 minuta pas defekimit.

Gjithashtu rekomandohet rritja e marrjes së ujit gjatë ditës dhe një dietë e pasur me fibra. Nëse kjo nuk ju ndihmon, telefononi mjekun tuaj.

Çarja anale dhe kruajtja

Prerje të vogla ose plagë, çarjet anale mund të formohen brenda anusit tuaj dhe të shkaktojnë dhimbje dhe kruajtje. Ka të ngjarë t’i merrni ato nëse vuani nga kapsllëku dhe shkaqe të tjera përfshijnë diarre afatgjatë, sëmundje inflamatore të zorrëve si sëmundja e Crohn-it, koliti ulceroz ose kanceri i zorrës së trashë.

Më së shpeshti prek njerëzit e moshës së mesme, por gjithashtu është shkaku më i zakonshëm i gjakderdhjes rektale tek fëmijët. Shumica e çarjeve anale shërohen brenda pak javësh pas një periudhe kapsllëku, por disa fisura mund të bëhen kronike. Me sëmundjet kronike, është e rëndësishme të hani një dietë të pasur me fibra, të pini shumë ujë, të lëvizni dhe të shmangni ushqimet e yndyrshme dhe pikante.

Infeksione dhe kruajtje rreth anusit

Infeksionet fungale dhe disa lloje të baktereve mund të shkaktojnë gjithashtu kruajtje anale. Për shembull, një infeksion i lëkurës me stafilokok dhe streptokok mund të shkaktojë skuqje dhe kruajtje në zonën e anusit. Gjithashtu, virusi i papillomës humane (HPV) mund të jetë një nga shkaqet e kruajtjes, ndaj vizitoni mjekun nëse vëreni lytha në atë pjesë të trupit.

Krimbat e fëmijëve dhe kruajtja e anusit

Infeksioni me krimbat ndodh nëse gëlltiten vezë të pjekura. Pas hyrjes në trupin e njeriut, larvat udhëtojnë nëpër trup për në destinacionin e tyre përfundimtar, që është kryesisht zorra e hollë ose e trashë. Kruajtja zakonisht ndodh natën, kur krimbi femër vendos vezë rreth anusit. Mund t’i vëreni në të brendshme ose në tualetin pas një lëvizjeje të zorrëve dhe duken si fije të vogla të bardha. Nëse ju ose fëmija juaj keni krimba, e gjithë familja juaj duhet të trajtohet për ta.

Krimbat e fëmijëve janë një nga dëmtuesit më të mëdhenj të njeriut. Këta parazitë nuk janë, siç mendohet zakonisht, karakteristikë vetëm për zona të thella dhe të varfra të botës me standarde të ulëta higjienike; janë shumë më të përhapura dhe përfaqësojnë një problem të rëndësishëm shëndetësor edhe në shoqëritë e pasura në mbarë botën.

Kruajtja ose zgjebja

Njerëzit zakonisht marrin zgjebe nga kontakti lëkurë me lëkurë. Ajo përhapet me shpejtësi aty ku njerëzit kalojnë shumë kohë në afërsi të njëri-tjetrit, si në qendrat e kujdesit ditor, konvikte dhe shtëpi pleqsh. Ndarja e rrobave, peshqirëve dhe shtratit gjithashtu mund ta përhapë atë. Ashtu si me krimbat, mjeku juaj mund të sugjerojë trajtimin e gjithë familjes.

Psoriaza dhe kruajtja e anusit

Psoriaza më së shpeshti njihet nga vatra me luspa të kuqërremtë të madhësive dhe formave të ndryshme të vendosura kryesisht në zonën e gjunjëve, bërrylave, shpinës dhe zonave të tjera të lëkurës. Duke qenë se mund të prekë lëkurën në tërësi, kruajtja anale mund të jetë një nga pasojat.

Nëse kruajtja nuk largohet, vizitoni mjekun tuaj për të zbuluar se çfarë po ndodh. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori