Për të zvogëluar ngarkesën dhe shqetësimet që shfaqen gjatë orëve të gjata të punës, lëvizja e rregullt, ndryshimi i pozicionit, ushtrimet dhe ergonomia e përshtatshme janë çelësi për parandalimin dhe menaxhimin e dhimbjes së qafës në punë

Rilind Shala, PT, MSc, PhD (C)


Dhimbja e qafës është një problem shumë i zakonshëm te personat që kalojnë pjesën më të madhe të ditës në punë ulur, para kompjuterit apo në pozicione të njëjta për kohë të gjatë. Përveç punonjësve të zyrave, ankesa të ngjashme paraqiten edhe te shoferët, profesionistët shëndetësorë, stomatologët dhe shumë profesione të tjera.

Simptomat zakonisht përfshijnë ngurtësi të qafës, tension në shpatulla, dhimbje në pjesën e sipërme të shpinës dhe, në disa raste, kokëdhimbje.

A është postura e keqe shkaktari kryesor?

Për një kohë të gjatë është besuar se dhimbja e qafës vjen kryesisht nga “qëndrimi i keq”. Megjithatë, sot e dimë se situata është më komplekse.

Nuk ekziston një pozicion i vetëm perfekt për qafën. Edhe një pozicion që konsiderohet ergonomik mund të bëhet i parehatshëm nëse mbahet për disa orë pa lëvizur.

Prandaj, problemi shpesh nuk është vetëm si qëndrojmë, por sa gjatë qëndrojmë në të njëjtën pozitë.

Ndryshimi i pozicionit gjatë ditës është zakonisht më i rëndësishëm sesa përpjekja për të qëndruar vazhdimisht “drejt”.

Çfarë mund të bëjmë gjatë punës?

Një nga gjërat më të thjeshta është ndërprerja e periudhave të gjata pa lëvizje.

Nuk është e nevojshme të bëhen ushtrime çdo 20 minuta. Mjafton që herë pas here të ngrihemi nga karrigia, të ecim pak, të ndryshojmë pozicionin ose të bëjmë disa lëvizje të qafës dhe shpatullave.

Edhe pushimet prej disa minutash gjatë ditës mund të ndihmojnë në zvogëlimin e lodhjes dhe tensionit muskular.

Rregullimi i vendit të punës gjithashtu ka rëndësi. Ekrani duhet të jetë në një lartësi të rehatshme, tastiera dhe miu të jenë afër trupit, ndërsa karrigia të ofrojë mbështetje të mirë.

Por ergonomia nuk është zgjidhje magjike. Edhe tavolina më e mirë nuk e zëvendëson lëvizjen.

Ushtrimet janë një pjesë e rëndësishme e trajtimit

Nga këndvështrimi fizioterapeutik, ushtrimet janë ndër mënyrat më të dobishme për menaxhimin e dhimbjes së qafës.

Shpesh njerëzit mendojnë se qafa ka nevojë vetëm për shtrirje. Në fakt, edhe forcimi i muskujve të qafës, shpatullave dhe pjesës së sipërme të shpinës është shumë i rëndësishëm.

Disa ushtrime të thjeshta mund të jenë:

  • kthimi i kokës ngadalë majtas dhe djathtas;
  • lëvizja e shpatullave prapa dhe poshtë;
  • ushtrime me rezistencë të lehtë për qafën;
  • ushtrime për forcimin e shpatullave dhe pjesës së sipërme të shpinës;
  • ecje dhe aktivitet fizik i rregullt.


Nuk ekziston një ushtrim i vetëm që funksionon për të gjithë. Programi duhet të përshtatet sipas simptomave, nivelit të aktivitetit dhe punës që bën personi.

Dhimbja e qafës nuk varet vetëm nga muskujt, nyjet apo pozicioni i trupit.

Stresi në punë, lodhja, mungesa e gjumit dhe ngarkesa e madhe psikologjike mund ta rrisin ndjeshmërinë ndaj dhimbjes.

Kjo nuk do të thotë se dhimbja është “psikologjike”. Dhimbja është reale, por ndikohet nga shumë faktorë njëkohësisht.

Për këtë arsye, një trajtim i mirë fizioterapeutik nuk duhet të fokusohet vetëm te qafa, por edhe te aktiviteti fizik, gjumi, ngarkesa në punë dhe mënyra se si personi e menaxhon ditën.

Qëllimi i fizioterapisë është që personi gradualisht të bëhet më aktiv, më i fortë dhe më i aftë për ta menaxhuar vetë problemin.

Kur duhet kërkuar ndihmë?

Shumica e dhimbjeve të qafës nuk janë serioze. Megjithatë, duhet kërkuar vlerësim profesional nëse dhimbja vazhdon për një kohë të gjatë, përkeqësohet, paraqitet pas një traume ose shoqërohet me dobësi në krahë, humbje të ndjeshmërisë, probleme me ekuilibrin apo simptoma të tjera të pazakonta.

Në fund, qafa nuk ka nevojë për një posturë perfekte. Ka nevojë për lëvizje, forcë dhe ndryshim të pozicioneve gjatë ditës.

Për shumicën e punonjësve, disa ndryshime të vogla në rutinën e përditshme, së bashku me aktivitet fizik dhe ushtrime të rregullta, mund të bëjnë një ndryshim të madh. /Telegrafi/