Kosova vendos masë antidamping ndaj importit të farës së grurit nga Serbia

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë vendim për vendosjen e një detyrimi të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.
Sipas Kusari-Lilës, vendimi është marrë pas hetimit të zhvilluar nga ministria dhe dëshmive paraprake që, sipas saj, tregojnë për import me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë.
“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila.
Hetimi për importin e farës së grurit nga Serbia ishte nisur më 5 qershor 2026, pas dyshimeve se ky produkt po shitej në Kosovë me çmime më të ulëta dhe se kjo po ndikonte negativisht te prodhuesit vendorë.
Kusari-Lila kishte deklaruar atëherë se çmimi i farës së grurit nga Serbia në tregun e Kosovës ishte i njëjtë ose edhe më i ulët se në vetë Serbinë.
Sipas saj, kjo kishte ngritur dyshime se në çmimin e importit nuk po përfshiheshin kostot e transportit dhe kostot e tjera që lidhen me eksportin.
Vendimi për detyrimin e përkohshëm antidamping synon, sipas ministrisë, të mbrojë prodhuesit vendorë nga konkurrenca e konsideruar e pandershme dhe të ruajë kushte më të barabarta në treg.




































