“Toka Jonë, Shija Juaj” rikthehet më 11 dhe 12 shtator në Prishtina Mall

Pas suksesit të edicioneve të kaluara, fushata “Toka Jonë, Shija Juaj” rikthehet edhe këtë vit me panairin dyditor të produkteve bujqësore vendore, i cili do të mbahet më 11 dhe 12 shtator 2026, në Prishtina Mall (hyrja lindore).
Ceremonia e hapjes do të jetë të premten, më 11 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në Prishtina Mall.
Ky aktivitet synon të promovojë prodhuesit lokalë të Kosovës, duke i lidhur ata drejtpërdrejt me konsumatorët dhe duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore.
Vizitorët do të kenë mundësi të zbulojnë dhe të blejnë produkte autentike ushqimore, të takojnë agrobiznese nga rajone të ndryshme të vendit dhe të përjetojnë shijet më të mira që ofron bujqësia jonë.
Pas ceremonisë do të zhvillohet një vizitë në stendat e agrobizneseve pjesëmarrëse, ku mysafirët dhe vizitorët do të njihen nga afër me produktet dhe prodhuesit vendorë.
Panairi organizohet si pjesë e fushatës “Toka Jonë, Shija Juaj”, në kuadër të projektit EREA nga Caritas-i Zviceran dhe në parteritet me shoqatat bujqësore PePeKo, Organika dhe Mjedra e Kosovës.
Projekti EREA (Fuqizimi i Ekonomisë Rurale e Bujqësisë) financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).
Ftojmë të gjithë qytetarët, familjet, mediat dhe dashamirësit e ushqimit vendor që t’i bashkohen panairit gjatë datave 11–12 shtator dhe të mbështesin prodhuesit vendorë duke zgjedhur produkte të kultivuara e të përpunuara në Kosovë.




































