LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë jemi heronj të rastit

Të gjithë jemi heronj të rastit

“Kurajon dikush nuk mundet ta japë”, thoshte Don Abbondio. Por historia është plot me akte heroizmi të personave të rëndomtë.

Nuk janë të gjithë heronjtë të rinj e të bukur. Përkundrazi: shpesh kanë fytyra të zakonshme dhe histori banale pas vetes. Individë normalë. Si Giorgio Perlasca, tregtari që shpëtoi mijëra hebrenj hungarezë gjatë Holokaustit. Ose si ata dhjetëra abruzezë të cilët, ndërkohë që tërmeti shkundte L’Aquilan në natën e 6 prillit 2009, në vend që të shpëtonin nga shembja, ndihmonin ata që kishin mbetur të gozhduar. Ose si Lassana Bathily, e cila gjatë sulmit të fundit të ekstremistëve islamikë në një supermerket Kosher të Parisit, shpëtoi gjashtë pengje, duke i fshehur në një frigorifer.


Shpesh aktet heroike nuk kanë fund të lumtur. Një 23-vjeçare e ka paguar me jetë zgjedhjen që të mbronte, nëntorin që shkoi, dy vajza të sulmuara nga një grup keqbërësish në Gjermani. Këta persona kanë vënë në rrezik vetveten, për të shpëtuar të panjohurit.

Si kanë mundur? Çfarë kanë të veçantë këta “heronj të rastit?”

FORCA EMOCIONALE

Nuk është e thjesht të hetosh mekanizmat psikologjike dhe motivacionet që transformojnë një person normal në një hero. Rrallëherë heronjtë kanë mundësinë të jenë përsëdyti: akti heroik në jetë i një individi është unik, ose të paktën i rrallë, e ky është një limit për shkencëtarët që studiojnë fenomenin. Me siguri dihet, megjithatë, që vendimet e rrezikshme merren nga impulsi, mbi bazën e karakteristikave psikologjike, si ndjeshmëria, altruizmi, trimëria, të cilat përftohen në një ambient familjar të favorshëm, ose munden të kultivohen në rrugën e jetës.

“Një situatë emergjence karakterizohet nga ngjarje, të cilat ndodhin me shpejtësi dhe kërkojnë vendime të shpejta. Është kështu e vështirë të bëhen zgjedhje të bazuara mbi arsyetimin: veprohet nga shtytja e reaksioneve emocionale”, shpjegon Enriko Rubaltelli, studiues i Departamentit të Psikologjisë të Zhvillimit e të Shoqërizimit në Universitetin e Padovës.

Sipas psikologëve, vendimet merren duke ndjekur një udhë të dyfishtë: mbi njërën rrugë mendimi rend shpejt dhe automatikisht, në tjetrën në mënyrë të ngadaltë dhe i zhytur në mendime. Sistemi i parë, i lokalizuar në pjesën më të thellë të trurit, bazohet në eksperienca emotive të shkuara, shoqërizimesh dhe imazhezh mendore. I dyti, që nënkupton një arsyetim, është i lokalizuar në hemisferat dhe funksionon sipas rregullave të mësuara nga edukimi dhe eksperiencat e jetuara.

“Me veprimin heroik”, nënvizon Rubaltelli, “aktivizohet procesi i parë, ku ka pak kohë për të arsyetuar dhe janë të përfshira emocionet. Ajo pra, që pengon një analizë të shkëputur të situatës dhe vlerësimin e pasojave”!

Kështu hyjnë, pra në lojë, veprimet impulsive, siç demonstrojnë dëshmitë e mbledhura nga psikologu Luca Stanchieri në librin “Engjëj mes rrënojave”.

“Kur i kam dëgjuar të qajnë jam betuar para vetes time që do të kisha bërë çfarëdolloj gjëje për t’i nxjerrë jashtë”, tregon një abruzeze, e cila natën e tërmetit ndihmoi disa fëmijë të mbetur të bllokuar.

Një tjetër thotë: “Nuk isha i përgatitur për një gjë të tillë. Instikti më tërhoqi”.

Deklaratat përputhen me ato të analizuara nga kërkuesit e Yale, të koordinuara nga psikologu David Rand, që kanë intervistuar 51 individë, të cilëve iu është dhënë medalje nga “Carnegie Hero Fund”, fondacion që shpërblen gjestet e jashtëzakonshme të kryera për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Studimi ka demonstruar që heroi nuk reflekton para se të ndërhyjë. Stimul në vrullin e shkaktuar nga instinkti.

Por, në cilin tip njeriu? A ka gjurmë në karakter, që influencojnë zgjedhjen midis veprimit dhe pasivitetit?

NDJESHMËRIA DHE ALTRUIZMI

Përgjigja është po: altruizmi. Vështirë të imagjinohet një person bujar, të qëndrojë indiferent ndaj vuajtjeve të dikujt tjetër.

“Altruizmi është komponenti themelor i heroizmit, dhe në veçanti ndjeshmëria, që është kapaciteti i të vënurit në pozitën e tjetrit. Pastaj shtytja më e fortë për veprim vjen nga emocionet, dhe disa i ndiejnë emocionet në mënyrë më intensive se të tjerët, dhe ky ndryshim ndikon mbi sjelljen e tyre”, shpjegon Rubaltelli.

Samuel Oliner, profesor i merituar i sociologjisë në Universitetin Shtetëror Humboldt të Arcatas, Kaliforni, në një prej studimeve të tij të para (edhe sot i konsideruar më i gjeri), intervistoi mbi 400 persona jo hebrenj, që jetuan gjatë Holokaustit: disa kishin ndihmuar të persekutuarit, ndërkohë që të tjerë nuk kishin bërë asgjë.

Oliner dëshironte të krahasonte përgjigjet për të individualizuar ndryshime të mundshme, midis tipeve të personalitetit të dy grupeve. “Të drejtët” tregojnë një kapacitet ndjeshmërie më të shtuar, duke qënë më shumë të paanshëm, tolerantë dhe të dhembshur, si dhe të paralajmërojnë në masë të madhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve, të konsideruar “të ngjashëm” e jo “të huaj”. Por ofruan edhe një të dhënë tjetër: një pjesë e mirë e tyre deklaronte se kishte mësuar të silleshin kështu në familje. Edukimi dhe modelet e referimit pozitiv në fëmijëri, a munden të nxjerrin në pah anën më fisnike të individëve? Duket se po. Edhe pse veprimi është heroik dhe instiktiv, ai është ende i kushtëzuar nga mënyra e të qënit të atyre që e kryejnë atë.

Dhe, kjo është e përcaktuar të paktën pjesërisht, nga mjedisi në të cilin jetohet. Lajmi i mirë është se nëse në fëmijëri nuk mundet të ndërhyhet, mund të veprohet në të tashmen. Me fjalë të tjera: qëndrimi i duhur ndaj heroizmit, mundet të kalitet në çfarëdo moshe.

“Nuk ka dyshim që mundet të punohet për t’u transformuar nga spektatorë pasivë, në aktorë”, shpjegon Oliner.

Mjafton të mendosh për “profesionistët e emergjencave”, si zjarrfikësit dhe mjekët, të stërvitur për të përballuar situata rreziku, dhe në zhvillimin e veprimeve instiktive më të besueshme. Ose për ushtarët, në një kuptim të caktuar, të ‘trainuar’ për kurajo dhe sakrifica. Një hetim mbi qindra heronj lufte ka dhënë një infromacion të çmuar: një pjesë e mirë e këtyre ushtarëve kishte patur një fëmijëri sfiduese, gjatë të cilës iu ishte dashur të kujdeseshin për persona të tjerë, si dhe të merrnin në fillim shumë përgjegjësi.

QËLLIMI I SAKRIFICËS

Në bazë të një serie eksperimentesh të kryera mbi bashkëpunimin njerëzor, David Rand ka demonstruar se kush ka prirjen për të ndihmuar të tjerët, e bën gjithmonë, pavarësisht nga fakti që ka një shpërblim në lojë apo jo. Heroizmi mundet të shikohet si një veprim bashkëpunimi ekstrem nga ana e individëve bujarë dhe të çinteresuar. A janë kështu të gjithë altruistët heronj të mundshëm? Jo tamam.

Për psikologët amerikanë Philip Zimbardo dhe Zeno Franco është një akt heroik, më shumë, që nënkupton edhe idenë e një sakrifice të madhe personale. Të paturit e një objektivi fisnik dhe kryerja e veprimeve, duke pranuar pasojat: është ky boshti i konceptit të heroizmit”. Prandaj në personalitetin e heroit të mundshëm nuk mund të mungojnë trimëria, bujaria, kapaciteti i të vepruarit me shpejtësi dhe në mënyrë të çinteresuar. Dhe dëshira për të rrezikuar: heronjtë rrezikojnë vetë jetën.

NË STOL

Heronjtë që aspirojnë, të pajisur me qëllime të mira por me pak virtyte, munden të vazhdojnë të shpresojnë: vetë kapaciteti i heroizmit mundet të shtohet. Ka kurse e seminare të cilat të mësojnë për të vepruar me efikasitet në situata të vështira, si ato të propozuara nga Hip (akronim anglez për “Projekt për imagjinatë heroike”), organizatë jo fitimprurëse e themeluar në Kaliforni nga Philip Zimbardo, i cili shpjegon: “Është më e mundshme që një individ të sillet si hero nëse ka pothuajse reflektuar mbi situata që do të kërkonin veprime të rezikshme dhe nëse ka vlerësuar pasojat”.

Si funksionojnë këto leksione të heroizmit? Pjesëmarrësit diskutojnë mbi sjelljet e tyre në situata të rrezikshme, analizojnë histori të vërteta të heronjve, përpunojnë strategji hipotetike. Objektivi është të imagjinojnë veten e tyre si “heronj në pritje”, të aftë, në rast nevoje, të vrapojnë për të ndihmuar. Edhe disa shkolla të larta italiane (për shembull dy në Siçili dhe një në Prato) janë frymëzuar nga kurset e Zimbardo-s. Jo aq shumë për të transformuar studentët në superheronj, sesa për t’u ofruar atyre instrumenta të dobishme kundër ngacmimeve, ose për të kundërshtuar indiferencën pasive dhe izolimin social. Propozohet të qënët hero “normal”, për të gjithë. E ndoshta, vlera e të treguarit e të të kujtuarit histori nga persona të zakonshëm të cilët kanë kryer gjeste të jashtëzakonshme, qëndron pikërisht në këtë: të demonstrohet që është e mundur, për të gjithë, të veprojnë si heronj. /Focus/bota.al/

Në trend Botë

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Evropa
Ministri izraelit propozon ekzekutimin e palestinezëve për të reduktuar mbipopullimin në burgje

Ministri izraelit propozon ekzekutimin e palestinezëve për të reduktuar mbipopullimin në burgje

Azia
“Rrobat tuaja stimulojnë imagjinatën”, studentja amerikane tregon se si u ngacmua nga profesori

“Rrobat tuaja stimulojnë imagjinatën”, studentja amerikane tregon se si u ngacmua nga profesori

Amerika
Kalo në kategori