LAJMI I FUNDIT:

“Task-Force” për përmirësimin e cilësisë së ajrit

“Task-Force” për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ndërsa ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-Force të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Ministrja Albena Reshitaj ka kërkuar nga qeveria përkrahje në vendime dhe aktivitet në bazë të planit që është hartuar muaj më parë nga MMPH-ja.


Reshitaj kërkoi nga ministritë përgjegjëse që të kryejnë obligimet e tyre institucionale që kanë të bëjnë me mbrojtën e ajrit nga ndotja.

Ajo kërkoi nga Ministria e Arsimit, shkencës dhe Teknologjisë që të marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit dhe lëndëve tjera  djegëse-ndotëse për ngrohje në shkolla.

“Nga ministri i Zhvillimit Ekonomik të merr vendim për ndërprerjen e dhënies së thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut. Ministria e Shëndetësisë të përkrahë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publik që të krijojë një sistem efikas të informimit të qytetarëve për pasojat e ndotjes së ajrit dhe përdorimit të thëngjillit në veçanti”, shtoi Reshitaj.

Nga ministri i Infrastrukturës ministrja Reshitaj kërkoi që të nisë zbatimi i Udhëzimit Administrativ që obligon Ministrinë e Infrastrukturës që të mos lejojë regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.

Nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë kërkoi që të rritet kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës që importohen në Kosovë si dhe nga ministri i Punëve të Brendshme mobilizim dhe përkrahje në këtë situatë.

Reshitaj tha që si ministri janë në koordinim me Komunën e Prishtinës që për periudhat kur niveli i ndotjes së ajrit është i lartë të reduktohet qarkullimi i veturave në disa lagje, duke bërë pa pagesë transportin publik.

Ndryshe, edhe sot ajri në kryeqytet vazhdon të jetë shumë i pashëndetshëm për qytetarët.

Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 11:00, vlera e ndotjes ka arritur në 289 që konsiderohet shumë e pashëndetshme.

Sipas rang-listës botërore, Prishtina ende vazhdon të kryesojë këtë listë si vendi me ajrin më të ndotur në botë. Pas Prishtinës, radhitet Pakistani, Kina, Maqedonia, India dhe shumë vende të tjera.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë, e veçmas në Prishtinë, efektet afatshkurta na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.

Për shkak të gjendjes alarmante, ISHP-ja apelon të reduktohen daljet në mëngjes dhe mbrëmje. /Telegrafi/