Duke e ngjitur një banane në mur me anë të një shiriti ngjitës të argjendtë dhe duke e quajtur këtë art, Maurizio Cattelani krijoi një nga polemikat më të mëdha kulturore të kohëve të fundit. Por, historia pas Komedianit [Comedian] zbulon shekuj të tërë të debateve dhe të taktikave tronditëse në art.

Nga: Matthew Wilson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Leonardo DiCaprio, Michael Bay dhe Travis Scott ishin ndër personazhet e famshme në hapjen e panairit Art Basel në Majami [Art Basel Miami Beach] më 4 dhjetor 2019, ditën kur Komediani u shfaq për herë të parë.

Atë mëngjes, etiketat me çmime të larta rrethonin që të gjithë në panairin magjepsës të artit. Një pikturë e Helen Frankenthalerit u shit për rreth 1.65 milion dollarë [2.16 milionë dollarë ose 2.5 milionë euro sot], ndërsa një vepër e Willem de Kooningut ishte në dispozicion për këdo që kishte tetë milionë dollarë të tepërt [10.5 milionë dollarë ose 10.25 milionë euro sot]. Por, për Sarah Casconen, reportere e Artnet News-it, atraksioni kryesor ishte vepra më e fundit e Maurizio Cattelanit: një banane e ngjitur në mur me shirit ngjitës.

Më vonë atë ditë, Cascone shkroi lajmin e parë të zgjeruar për të, duke i informuar lexuesit se dy edicione të veprës artistike të bazuar në frutë ishin shitur për 120 mijë dollarë secili. Brenda pak ditësh, edicioni i tretë dhe i fundit u ble për 150 mijë dollarë. Secili blerës mori një certifikatë autenticiteti me udhëzime se si ta ekspozonte atë, përfshirë nevojën për ta zëvendësuar rregullisht bananen.

“Komediani” u shfaq për herë të parë në vitin 2019 dhe u bë sensacion viral(Foto: Getty Images)

Gjatë gjithë kohëzgjatjes së panairit Art Basel, qindra vizitorë të tjerë e fotografuan veprën artistike dhe i publikuan reagimet e tyre në internet. Brenda vetëm pak ditësh nga zbulimi i saj, Komediani ishte bërë sensacion viral, duke tërhequr përçmim, habi, të qeshura dhe një nënkategori të re memesh imituese që përfshinin shirit ngjitës dhe banane. Në shtypin kryesor, si dhe në blogje e video në YouTube, njerëzit përplaseshin për vlerën e saj estetike dhe intelektuale: ata që e urrenin më së shumti Komedianin pëlqenin më së shumti të shkruanin për të.

Nëse synimi i Cattelanit ishte të tërhiqte vëmendjen te vetja, Komediani ishte sukses i jashtëzakonshëm. Pak vepra të tjera të artit bashkëkohor kanë bërë atë që Komediani arriti në vetëm pak orë: të fitonte famë përtej fortesës së botës së artit dhe të bëhej e njohur në mbarë botën. Fama e saj ndihmoi që vlera e saj në treg të rritej edhe më shumë. Në vitin 2024, i dyti nga tri edicionet e Komedianit u rishit në ankand për 6.24 milionë dollarë [5.68 milionë euro]. Kjo nxiti edhe një herë autorët e opinioneve, të cilët u zemëruan për shumat e kota të parave që tani po hidheshin për veprën artistike të Cattelanit.

Megjithatë, ironia e Komedianit është se gjithçka që tronditi njerëzit tek ajo ishte bërë më parë. Dhe, kur e zhvesh veprën artistike shtresë pas shtrese, ajo zbulon taktikat e fshehura të një mjeshtri të prapësive dhe të një studiuesi të përkushtuar të arteve të errëta të namit.

Tradita 400-vjeçare e satirës

Një nga strategjitë e tij është provokimi. Cattelani e kuptoi qartazi shumë kohë më parë se, në industritë krijuese konkurruese, vetëm të qenët i aftë ose inteligjent nuk garanton sukses. Por, nxitja e polemikave tërheq vëmendje, që do të thotë një audiencë më e madhe dhe më shumë porosi të mundshme.

Historia e artit e dëshmon këtë. Më shumë se 400 vjet më parë, Caravaggio ndau në dysh opinionet e bashkëkohësve të tij, përmes niveleve novatore të dhunës, tensionit seksual dhe errësirës në pikturat e tij fetare, faktorë që i sollën atij famë ndërkombëtare. Artistët e shekullit XIX të cilët sot vlerësohen më së shumti, si JMW Turner, John Constable, Manet, Monet, Gauguin, Whistler dhe Cézanne, kishin qenë pionierë të qasjeve të reja në krijimin e artit, të cilat u sollën përqeshje publike nga kritikët. Si rezultat, në agimin e shekullit XX, risia artistike dhe përçmimi i publikut të gjerë shiheshin gjithnjë e më shumë si dy anë të së njëjtës medalje.

Caravaggio shkaktoi polemika me pikturat si “Davidi me kokën e Goliatit” (1609-1610)(Foto: Alamy)

Disa artistë modernë (si edhe muzikantë, autorë dhe regjisorë filmash) e shihnin mosmiratimin e publikut si shoqëruesin e domosdoshëm të eksperimentimit autentik. Të tjerët e ngatërruan mospëlqimin e kritikëve si shenjë gjenialiteti, pa e kuptuar se ai mund të jetë gjithashtu sinjal paralajmërues i mungesës së talentit. Të dyja palët e dalluan fuqinë e tij të pakrahasueshme për vetëpromovim. Dhe, duke mësuar nga kjo, Maurizio Cattelani është mbështetur gjithmonë në rolin e tij si provokator i botës së artit, duke bërë çfarë të mundet për të irrituar dhe provokuar.

Por, lloji i polemikës së Cattelanit ndryshon nga ai i paraardhësve të tij, sepse nuk ka të bëjë me procesin apo teorinë artistike. Veprat e tij më famëkeqe, si Ora e nëntë [La Nona Ora] e vitit 1999 (figura e Papa Gjon Palit II të goditur nga meteori) dhe Ai [Him] e vitit 2001 (një nxënës që lutet, me fytyrën e Adolf Hitlerit), bazohen në subjekte të njohura ndërkombëtarisht, në gjëra të llojit që menjëherë do t'i njohin njerëzit të cilët zakonisht nuk i frekuentojnë ekspozitat e artit.

Nuk ka asgjë elitiste apo të vështirë për t'u kuptuar tek asnjëra prej tyre. Ato shfrytëzojnë gjithashtu humorin, duke përdorur ironinë për të “goditur lart” dhe për të ngritur pyetje rreth individëve të fuqishëm përmes humorit. Dhe, duke vepruar kështu, Cattelani përcjell një traditë të satirës në historinë e artit, duke ndjekur pionierët si James Gillray (1756-1815) dhe Honoré Daumier (1808-1878), të cilët vunë në shënjestër institucione të identifikueshme prej të gjithëve, për t’i vënë në pikëpyetje dhe për të përqeshur pushtetin e tyre.

Ndër veprat më famëkeqe të Cattelanit është “Ai” e vitit 2001(Foto: Attilio Maranzano)

Te Një ditë e përsosur [In A Perfect Day, 1999], institucioni të cilin Cattelani e kishte vënë në shënjestër ishte vetë tregu i artit. Në vend që të vendoste një vepër arti në mur, Cattelani ngjiti në të dilerin e tij të artit në Milano, Massimo De Carlo. Shitësi u bë spektakli. Komediani, që u shfaq pothuajse saktësisht 20 vjet më vonë, përdori shirit të njëjtë të argjendtë. Kjo zgjedhje u sinjalizoi të gjithë atyre që kishin ndjekur karrierën e tij se, ashtu si Një ditë e përsosur, synimi i Komedianit ishte të tallej me vlerat e ngjarjeve të botës së artit, si Art Basel, në frymën e një komiku të stendapit që jep një batutë therëse, me një fjali, drejtuar industrisë.

“Tronditja e së vjetrës”

Pra, pse një banane? Përveçse ka formë eufemiste dhe është rekuizitë e njohur në komedinë fizike, shumë artistë përpara Cattelanit, përfshirë Giorgio de Chiricon, Andy Warholin dhe Guerrilla Girlsin, kanë paraqitur banane në veprat e tyre. Është objekt i njohur që të çarmatos në shumë nivele. Dhe, vetë ideja e paraqitjes së një ushqimi si vepër arti është gjithashtu, në vetvete, një propozim ngushëllues. Ajo ka historinë e vet të nderuar në formën e natyrës së qetë që ka qenë zhanër i konsoliduar i artit, ndonëse i nënvlerësuar, që nga vitet 1500.

Tradicionalisht, këto lloje veprash arti, si Natyrë e qetë me thëllëzë dhe doreza (1501) e Jacopo de' Barbarit (e cila është ndër pikturat më të hershme të natyrës së qetë pas periudhës klasike), duhej t'i bënin shikuesit të mendonin për jetëgjatësinë e shkurtër të jetës dhe për mënyrën se si arti mund ta bëjë atë të rezistojë përtej vdekjes. Veprat e De' Barbari-t dhe Cattelanit, megjithëse të krijuara me më shumë se 500 vjet diferencë, zbulojnë dy gjeste në thelb identike: objekte të ngjitura në mur për soditjen e shikuesit. Taktika e Cattelanit këtu është tronditja e së vjetrës.

Në “Një ditë e përsosur” (1999), Cattelani ngjiti në mur dilerin e tij të artit në Milano, Massimo De Carlo(Foto: Armin Linke)

I vetmi ndryshim është se Komediani paraqet një banane të vërtetë (e cila mund të kalbet dhe kalbet gjatë një periudhe prej rreth shtatë ditësh), në vend të një paraqitjeje artistike. Por, edhe këtu, tradita i parapriu Cattelanit. Ideja e përdorimit të një “redimejdi” (readymade - objekte nga bota reale, jo të krijuara nga artisti, por të paraqitura si “art”) ishte më shumë se 100 vjet e vjetër në kohën e Komedianit.

Pionieri më i njohur i kësaj metode ishte Marcel Duchampi, i cili kishte ekspozuar objekte të përditshme si mbajtëse shishesh, rrota biçikletash dhe një oturak si objekte arti që në vitet 1910. Por, edhe synimi i Duchampit për të vënë në pikëpyetje parimet themelore të “artit” si kategori - sado radikale të ishte paraqitja e këtij argumenti prej tij në fillim të shekullit XX - ishte gjithashtu një debat i rrahur mirë, me origjinë në filozofinë e lashtë greke, më së famshmi te Platoni (rreth 428-347 p.e.s.). Në mos tjetër, përdorimi i një “redimejdi” është një gjest mjaft i çuditshëm nga Cattelani dhe plotësisht brenda kufijve të traditës së historisë së artit.

Komediani ishte që në fillim i përllogaritur për të shkaktuar bujë. Në moshën 61-vjeçare, dinaku Maurizio ishte bërë provokator plotësisht i aftë që mund të gjeneronte debat dhe habi nga një banane, një mur dhe një shirit ngjitës. Por, nën sipërfaqe gjenden përbërës të tjerë thelbësorë - polemika, satira, faktori i dallueshmërisë, tradita e natyrës së qetë dhe “redimejdi”. Dhe, ndonëse disa njerëz mund të zemërohen nga çmimi i saj, ajo nuk ishte vepra më e shtrenjtë e artit e shitur në Majami në vitin 2019, dhe as nuk është “redimejdi” më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në ankand. E vërteta radikale për Komedianin është se nuk ka asgjë vërtet radikale në të. /Telegrafi/