Skulptura në gjyq: Rasti i çuditshëm i “Zogut në hapësirë”

Nga: Ruxi Rusu / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1926, Zogu në hapësirë [L'Oiseau dans l'espace] kaloi Oqeanin Atlantik, nga Parisi në qytetin e Nju-Jorkut, për një ekspozitë në Galerinë “Brummer”, të kuruar nga një prej miqve më të besuar të Brâncușit - Marcel Duchamp. Por, çfarë ishte ndryshe këtë herë? Ky është rasti i jashtëzakonshëm i Zogut në hapësirë dhe mënyra se si ai krijoi një precedent, duke ndryshuar përgjithmonë përkufizimin ligjor të artit.
Kush ishte Constantin Brâncuși?
Constantin Brâncuși ishte skulptor që lindi në vitin 1876, në Hobicë, një fshat i vogël rumun. Ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht dhe më pas u nis për në Paris në vitin 1904. Pas dy muajve si nxënës i Rodinit, Brâncuși vendosi të hapte rrugën e vet drejt një qasjeje abstrakte ndaj skulpturës - një qasje që përqendrohej në thelbin e gjërave dhe jo në cilësitë fizike. Ai tha:
Ndjeva se nuk po jepja asgjë duke ndjekur mënyrën konvencionale të skulpturës.

Me kalimin e viteve, ai fitoi famë ndërkombëtare. Sot, veprat e tij ekspozohen në muze si MoMA, Muzeu “Solomon R. Guggenheim” dhe The Met. Stili artistik i Brâncușit karakterizohet nga një interes i pazakontë për dritën dhe lëvizjen në një kontekst hapësinor-kohor, i pasuruar me materiale të ngurta dhe me përmbajtje në hollësitë më të imëta.
Çka është puna me këta zogj?
Një nga pasionet e Brâncușit gjatë gjithë jetës ishte motivi i zogut, të cilin e trajtoi për më shumë se 40 vjet në mbi 30 vepra, në skulpturat si Majastra, Zogu i artë dhe seria Zogu në hapësirë.
Ndoshta më e dallueshmja, Zogu në hapësirë (1923-1940), është një shembull i qartë i reduktimit të hollësive dhe i paraqitjes së fluturimit në lidhje me botën materiale. Në këtë seri prej 16 modelesh, ai eksperimentoi me materiale të ndryshme, të gjitha të lëmuara nga vetë artisti. Brâncuși e reduktoi sqepin dhe kokën e shpendit në një formë vezake të pjerrët dhe e zgjati trupin deri në atë masë sa nuk mund të dallohet asnjë pendë apo krah. Baza elegante e ngre zogun në eter, me një lëvizje përshpejtuese për lart.

Brâncuși kundër ShBA-së
Një version i Zogut në hapësirë u dërgua për një ekspozitë në Nju-Jork, por kur mbërriti në kufi, zyrtarët e doganës vendosën një tarifë prej 40 përqind mbi vlerën e tij, edhe pse, sipas Ligjit të Tarifave të vitit 1922, të gjitha veprat e artit lejoheshin të hynin në vend pa taksa. Me sa duket, vepra e Brâncușit nuk përputhej me përkufizimin e skulpturës në atë kohë dhe, në vend të kësaj, u kategorizua nën “Enë kuzhine dhe pajisje spitalore”, si një “prodhim prej metali”.
Edward Steichen, pronari i skulpturës, së bashku me mbështetës të tjerë të Brâncușit, të zemëruar nga kjo shpërfillje paraqitën ankesë në mbrojtje të Zogut në hapësirë. Qeveria e ShBA-së ndoqi një strategji që synonte të dëshmonte nëse skulptura paraqiste apo jo një zog të vërtetë, duke u bërë trysni dëshmitarëve që t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Sipas legjislacionit, skulptura ishte “ajo degë e arteve të bukura të lira që gdhend ose skalit” për “riprodhimin e mëvonshëm me anë të gdhendjes ose derdhjes, imitimin e objekteve natyrore, kryesisht të formës njerëzore, dhe i paraqet këto objekte në përmasat e tyre të vërteta të gjatësisë, gjerësisë dhe trashësisë” (Treasury Decisions Under Customs and Other Laws: Volumi 63, United States, Department of the Treasury, 31 dhjetor 1932, U.S. Government Printing Office).

Mbrojtja mbajti një qëndrim të vendosur lidhur me parëndësinë e përkufizimit të skulpturës në këtë kontekst, pasi shkolla e re e artit, e cila përqendrohej tek abstraksioni, po fitonte rëndësi në atë kohë. Ajo gjithashtu theksoi se vepra ishte një origjinal i realizuar nga një artist profesionist. Kur u thirr për të dëshmuar, kritiku Frank Crowninshield u shpreh:
Ka sugjerimin e fluturimit, sugjeron hijeshi, aspiratë, vrull, të ndërthurura me shpejtësinë në frymën e forcës, fuqisë, bukurisë, ashtu siç bën një zog. Por, vetëm emri, titulli i kësaj vepre, në të vërtetë nuk do të thotë shumë.
Ky ishte një argument domethënës, pasi arriti ta bindte gjykatën se përkufizimi i saj për artin ishte i vjetruar. Abstraksioni ka të bëjë me idetë, jo me paraqitjen, pasi ai i flet secilit prej nesh në mënyra të ndryshme, sepse ne ndiejmë dhe shohim në bazë të përvojave tona të mëparshme. Vendimi i gjyqtarit J. Waite thoshte: “Pavarësisht nëse i përkrahim apo jo këto ide më të reja dhe shkollat që i përfaqësojnë ato, mendojmë se duhet të merren parasysh faktet e ekzistencës së tyre dhe ndikimi i tyre në botën e artit, siç njihen nga gjykatat”.
Megjithatë, ato duhet të njihen. Në fund, Zogu në hapësirë u lejua të hynte në vend pa paguar taksë, sipas nenit 1704 (të një ligji amerikan), pasi u vendos se kishte “qëllime thjesht zbukuruese” dhe se “është krijim origjinal i një skulptori profesionist”.

Sot, Zogu i famshëm në hapësirë ndodhet në Muzeun e Artit të Sietlit, por, fatkeqësisht, nuk është i ekspozuar. Përgjatë gati një shekulli, Zogu në hapësirë dha një shembull të guximshëm të ideve moderne e kundërthënëse që ndryshuan botën e artit ashtu siç e shohim sot. Brâncuși e nisi si një djalë i thjeshtë, por u zhvillua në një skulptor kompleks që luftoi për vendin që i takonte në histori. Ai duhet të mbahet mend për gjenialitetin e tij krijues, i cili na dha një mësim për pranimin dhe risinë. Ashtu siç “zogjtë e vërtetë” shndërrohen në lëvizje të rrjedhshme plot ndjenjë, këndvështrimi ynë për jetën duhet t’u përshtatet ideve të reja që ende pritet të vijnë. /Telegrafi/





































