Marc Chagall në dhjetë piktura

Marc Chagall është një nga artistët më të njohur të shekullit XX. Veprat e tij shfaqin elemente nga rryma të ndryshme, si surrealizmi, fauvizmi, kubizmi dhe ekspresionizmi, megjithatë ato kanë një stil shumë të veçantë. Me kaq shumë piktura për të zgjedhur, është sfiduese të përzgjidhen vetëm dhjetë prej tyre. Por, le të provojmë! Këto janë dhjetë pikturat që na ndihmojnë të kuptojmë Marc Chagallin dhe artin e tij.
Nga: Jimena Escoto / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
1. Unë dhe fshati, 1911

Marc Chagall (1887-1985) u rrit pranë Vitebskut, një qytet i vogël bjellorus i përbërë nga një komunitet hasidik. Ai zakonisht quhet artist rus, sepse në atë kohë territori i përkiste Perandorisë Ruse. Për të ndjekur karrierën e tij artistike, ai u largua nga qyteti i tij për në Shën Petersburg dhe, më vonë, emigroi në Evropën Perëndimore. Megjithatë, pikturat e tij shpesh evokonin vendlindjen e tij. Për shembull, Unë dhe fshati u pikturua në vitin 1911, teksa ai ishte në Paris. Ndërsa subjekti të kujton rrënjët e tij, stili është qartazi i ndikuar nga lëvizjet artistike që po zhvilloheshin në kryeqytetin francez. Gjatë një konference në Muzeun “Columbus”, Susan Goodman shpjegoi se hebrenjtë hasidikë i konsiderojnë kafshët si lidhjen e njerëzimit me universin. Për më tepër, motivet rrethore synojnë t’u referohen Diellit, Hënës dhe Tokës.
2. Parisi përmes dritares, 1913

Për të vazhduar karrierën e tij, Chagalli u shpërngul për herë të parë në Paris në vitin 1910 dhe qëndroi atje për katër vjet. Atje takoi artistë të tjerë të njohur, si Robert Delaunay, nga i cili u frymëzua për këtë pikturë. Këtë mund ta shohim kryesisht në përfshirjen e Kullës së Ajfelit dhe në planet që mbivendosen. Ajo gjithashtu merr elemente nga lëvizja kubiste, e cila ishte mbizotëruese në rrethin artistik parisian. Kjo është ndoshta një nga pikturat e tij më të njohura dhe përmban një element karakteristik të veprave të tij: të dashuruarit që pluskojnë.
Lexo po ashtu:
- Jeta ime
- Kryeveprat e vjedhura nga nazistët
3. Mbi qytet, 1918

Megjithatë, Chagalli nuk mund të qëndronte përgjithmonë larg vendlindjes së tij, ose të paktën jo i vetëm. Herën e parë që u kthye, kishte vetëm një qëllim në mendje: të martohej me Bella Rosenfeldin. Ajo ishte e bija e një argjendari të pasur dhe ata u martuan në vitin 1915. Gjatë kohës së tyre së bashku, ajo ishte muza dhe mbështetësja e tij. Këtë mund ta shohim në pikturat e tilla si Mbi qytet e vitit 1918. Çifti fluturon i lumtur mbi Vitebsk sikur asgjë tjetër të mos kishte rëndësi. Kaq e fortë ishte dashuria e tyre. Veprat e këtij lloji janë ndër më të dashurat e tij. Pas Luftës së Parë Botërore, ata udhëtuan drejt Parisit dhe më pas drejt Amerikës për t’u shpëtuar nazistëve.
Tragjikisht, historia e tyre përfundoi me vdekjen e Bellas në vitin 1944. Ajo mori një infeksion i cili nuk mund të trajtohej për shkak të mungesës së mjeteve në spital. Brenda pak ditësh, ajo ndërroi jetë, duke e dërrmuar Chagallin. Pikëllimi nuk e lejoi të pikturonte për muaj të tërë më pas.
4. Kryqëzimi i bardhë, 1938

Besimi i Chagallit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të. Siç u shpjegua më lart, komuniteti i tij përbëhej prej hebrenjve hasidikë. Ai u përball me diskriminim që në moshë shumë të re - për shkak të politikave antisemite të Perandorisë Ruse. Gjërat u përmirësuan kur mbërriti në Paris, por me kalimin e viteve gjërat u përkeqësuan për hebrenjtë në të gjithë Evropën. Përgjigjja e tij ishte të përdorte imazhin e Krishtit në kryq për t’ua kujtuar njerëzve identitetin hebre të Jezusit dhe për të nxjerrë ngjashmëri mes sakrificës së tij dhe asaj të popullit të tij. Kryqëzimi i bardhë është një nga shumë pikturat me këtë temë. Në atë kohë, Gjermania veçse po pushtonte vendet fqinje dhe po ndërmerrte veprime brenda vendit kundër popullsisë hebreje. Fatmirësisht, Chagalli mësoi për këtë nga Franca, por nuk kaloi shumë kohë para se kjo të arrinte edhe tek ai.
5. Ikja në Egjipt, 1938

Duke qenë hebrenj, Chagallët duhej të linin shtëpinë e veta dhe të arratiseshin në Amerikë. Nuk ishte një vendim i lehtë. Franca ishte bërë shtëpi e dytë dhe ai e shtyu largimin derisa u bë absolutisht i domosdoshëm. Në fakt, Varian Fry nga Komiteti i Shpëtimit Emergjent dhe zëvendëskonsulli Harry Birham duhej ta bindnin Chagallin disa herë që të largohej. Bashkë me pikturat e tij, ata mbërritën në ShBA në vitin 1941. Kjo është arsyeja pse shumë nga veprat e tij gjenden në muzetë dhe koleksionet amerikane. Përmes Ikjes në Egjipt, Chagalli evokon mërgimin e tij. Së pari, largimin e tij nga Rusia për në Francë dhe më pas arratisjen e tij drejt Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, ai e veshi Jozefin si arlekin, pasi i konsideronte klounët qenie me një natyrë njerëzore tragjike.
6. Kali i cirkut, 1964

Në të vërtetë, cirku e magjepste Chagallin dhe ai pikturoi vepra të ndryshme për të. Ishte një mjedis i përsosur për të, me akrobatët që fluturonin përreth dhe kostumet shumëngjyrëshe. Dashuria e tij për cirkun lindi në fëmijëri, teksa i shihte akrobatët shëtitës të cilët udhëtonin nëpër atë territor. Ai tha një herë: “Chaplini kërkon të bëjë në film atë që unë përpiqem të bëj në pikturat e mia”. Kali i cirkut është pikturë e vitit 1964, kur Chagalli ishte kthyer në Francë. Megjithëse titulli përqendrohet në pjesën qendrore, e gjithë kanavaca është e mbushur me personazhe që i japin veprës dinamizëm. Ai i ndan aktet përmes ngjyrave të gjalla dhe disa vijave. Veçanërisht interesant është kali në këndin e sipërm majtas, i cili i bie një lloj trumbete. Në cirk, realja dhe fantastikja shkrihen.
7. Një fantazi e Shën Petersburgut, 1942

Kur ishte në Amerikë, koreografi rus Léonide Massine e ftoi Chagallin të bashkëpunonte për kostumet dhe skenografinë e baletit Aleko. Kjo vepër bazohej në poemën Ciganët të Alexander Pushkinit, me muzikë të shkruar nga Tchaikovsky. Ai madje udhëtoi në Meksikë në kërkim të fuqisë më të lirë punëtore. Edhe një herë, kjo ishte një mundësi për të punuar me rrënjët e tij, por mori frymëzim edhe nga folklori meksikan. Për më tepër, artistët e tjerë të cilët ishin refugjatë në Meksiko-Siti - si Remedios Varo dhe Leonora Carrington - e ndihmuan ta përfundonte punën brenda afatit. Atje, në Pallatin e Arteve të Bukura, realizoi këtë akuarel gjigant të quajtur Një fantazi e Shën Petersburgut. Ai ishte pjesë e skenës së fundit të rrëfimit dhe një nga katër sfondet që krijoi gjithsej. Kjo është një pamje mjaft e errët, teksa kali i bardhë kalon mbi qytetin që digjet.
8. Tavani i Operës së Parisit, 1964

Chagalli përfundimisht u kthye në Evropë, pasi nuk u përshtat kurrë tamam me Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1960, André Malraux, ministër i Çështjeve Kulturore, e ngarkoi atë të pikturonte tavanin e Operës “Garnier” në Paris. Tavani paraqet operat e mëdha që jepen shpesh në atë teatër. Në qendër është Karmena e Bizetit, ndoshta Traviata e Verdit, Fidelio e Beethovenit dhe Orfeu dhe Euridika e Gluckut. Rreth tyre mund të shohim Tristanin dhe Izoldën të Wagnerit, Flautin magjik të Mozartit, Romeon dhe Zhulietën të Berliozit, Peleasin dhe Melisandën të Debussysë, Dafnisin dhe Kloen të Ravelit dhe Zhizela të Adamit. Mes tyre, ai përfshiu edhe kompozitorë rusë: Liqenin e mjellmave të Tchaikovskyt, Zogun e zjarrtë të Stravinskyt dhe Boris Godounovin të Mussorgskyt. Secila prej tyre është theksuar me ngjyra të ndryshme dhe është emërtuar. Ngjyra ishte pjesë themelore e artit të Chagallit. Ai tha një herë: “Vizatimi duhet bërë të këndojë përmes ngjyrës”.
Nëse ju duket se tavani nuk përshtatet me atë vend, nuk jeni të vetmit! Piktura e Chagallit u kritikua ashpër se prishte harmoninë e teatrit. Në fakt, tavani origjinal kishte një tjetër pikturë, shumë më “të përshtatshme”, të artistit akademik Jules Eugène Lenepveu. Pavarësisht komenteve negative, ajo është një vepër e jashtëzakonshme arti.
9. Dritaret me vitrazhe në Kishën e Shën Stefanit, 1978-1986

Chagalli jo vetëm që ishte një artist shumë prodhimtar, por edhe i gjithanshëm. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai eksperimentoi me mjete të ndryshme artistike. Pas kthimit të tij në Paris, e vizitoi Katedralen e Shartrit dhe vendosi ta provonte vetë pikturimin e vitrazheve. Pavarësisht mediumit të ri, Chagalli vazhdoi me krijimet e tij shumëngjyrëshe. Ai mori porosi në Izrael, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, ShBA dhe Francë. Ai punoi gjithashtu, nga të gjitha vendet, edhe në Gjermani. Në vitin 1978, filloi të punonte për një seri dritaresh me vitrazhe për Kishën e Shën Stefanit në Majnc të Gjermanisë. Kuptohet, nuk ishte e lehtë ta bindnin, por përfundimisht ai pranoi. Puna e tij në një kishë simbolizonte pajtimin mes Gjermanisë dhe njerëzve që kishin qenë në shënjestër gjatë regjimit nazist. E kaltra është ngjyra mbizotëruese në këto vepra. Përveç kësaj, ai përfshiu skena si nga Besëlidhja e Vjetër ashtu edhe nga Besëlidhja e Re.
10. Autoportret me shtatë gishta, 1912-1913

Këtë listë e përmbyll Autoportretin me shtatë gishta, i realizuar gjatë qëndrimit të parë të Chagallit në Paris. Megjithëse ishte ende në fazat e hershme të karrierës së tij, këtu mund të shohim një përmbledhje të artit dhe rrugëtimit të tij. Për shembull, në të përfshihet vendlindja e tij, Vitebsku, si dhe Parisi. Për më tepër, ai e pikturon veten si një piktor të veshur me elegancë. Dhjetë vjet më vonë, kur ishte vetëm 30 vjeç, e shkroi autobiografinë e tij. Ajo që të ngjall më shumë kureshtje është dora me shtatë gishta, nga e cila e merr titullin piktura. Kjo është një referencë ndaj shprehjes jidishe, Mit alle zibn finger - fjalë për fjalë, “me të shtatë gishtat”, një shprehje që aludon për punën e palodhur.
Dhe, Chagalli sigurisht që punoi shumë! Siç u përmend më parë, ai ishte një artist jashtëzakonisht prodhimtar. Mund të bënim edhe dhjetë artikuj të tjerë duke paraqitur çdo herë piktura të ndryshme. Përdorimi i ngjyrës dhe stili i tij kanë magjepsur publikun për dekada. Sot ai mbetet artist jashtëzakonisht popullor dhe i dashur. /Telegrafi/
________________
Bibliografia
1. ‘A circus is disturbing. It is profound’ — The fantasy worlds of Marc Chagall’s Le Cirque, 2018, Christie’s.
2. Gérard Fontaine: Marc Chagall’s Ceiling for the Paris Opéra - 1st series of panels, 2004, Google Arts and Culture.
3. Jennifer Blessing: Marc Chagall. Paris through the Window (Paris par la fenêtre), Solomon R. Guggenheim Museum.
4. Lexington Davis, Chagall in Mexico and the Making of “Aleko,” 2017, Unframed.
5. Marc Chagall’s Ceiling for the Paris Opera, 2021, The Canvas. Youtube.
6. Paul Priestely: Persecution, Exile, Confrontation; Marc Chagall the Painter of Love and Light - Art History School, 2019, Art History School. Youtube.
7. Susan Goodman: Susan Goodman Marc Chagall Lecture 11.30 2017, 2017, Columbusmuseum. Youtube.






































